Rama-Meta, miq me “brekë” hekuri !
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:29
Pas zgjedhjeve vendore ka vetëm një debat që ka dominuar politikën dhe mediat. A ka sherr mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta? Zërat për një ftohje të marrëdhënieve mes tyre nuk i nxitën vetëm mediat dhe politikanët e djathtë që shohin me vëmendje çdo ndryshim temperature dhe re të zezë që shfaqet në koalicionin e majtë. Më shumë se kaq, qëndrimet e eksponentëve të lartë të LSI-së pas zgjedhjeve, por edhe të deputetëve të PS-së që shohin si problematik disa sektorë që drejton LSI-ja, kanë krijuar klimën e një marrëdhënie që nuk është më ajo e para 21 qershorit mes dyshes Rama-Meta. Ndërkohë mediat kanë rritur dozën e spekulimeve duke hedhur në diskutim skenarë nga më të ndryshmit për fatin e koalicionit. Disa thonë koalicion PS-PD, të tjerë PD-LSI. Kur debati ka arritur pikën ku shumica e opinionit e ka marrë si të mirëqenë sherrin Rama-Meta, dje Kryeministri ka vendosur të dalë në skenë për të shpërndarë paksa mjegullën që ka rënë mbi koalicion. Jashtë stilit të tij të komunikimit me publikun, me rrjetet sociale apo median vizive, në një intërvistë për gazetën “Dita”, Edi Rama e ka paraqitur ndryshe situatën në koalicionin e majtë.
Pavarësisht zërave se e ka shitur tek ndërkombëtarët partnerin e tij, pavarësisht pakënaqësive të Metës për zgjedhjet, pavarësisht fjalëve për pazare me President dhe Kryeministër, Edi Rama i ka mohuar të gjitha versionet e çarjes me Ilir Metën. "Kush ëndërron apo dëshiron furtunë mes PS-së dhe LSI-së, ose konkretisht, mes meje e Ilir Metës, duke e bërë çdo qime tra me forcën e dëshpëruar të pakënaqësisë vetjake, kam përshtypjen se do të duhet të presë më shumë se një shtator", – është shprehur ai për çështjen më të diskutuar në PS dhe LSI këto javë.
Megjithëse kreu i Qeverisë ka pranuar tezën e të pakënaqurve të koalicionit që e duan këtë sherr, madje dhe të njerëzve brenda PS e LSI, por nuk ka përmendur emra. Ai duke folur nga Dhërmiu ka thënë se kjo është aleanca më e mirë për interesin e shqiptarëve. Duke vlerësuar me superlativa punën e një koalicioni, që siç ka deklaruar vetë Rama dhe Meta në analizat partiake se ka ende shumë për të bërë dje ka dhënë sinjalin e paqes. Është përpjekur të shmangë çdo hije dyshimi mbi marrëdhëniet në koalicion, duke u dhënë fund debateve dhe mesazheve të koduara që gazetarët dhe analistët afër kryetarëve të koalicionit kanë shpërndarë këto kohë në media. Dhe mesazhi i Ramës duket se është kuptuar në mënyrën e duhur edhe nga LSI-ja. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një intervistë për “Syri.net” ka përdour terma më konstruktivë për ecurinë e koalicionit. Sipas tij, marrëveshja po funksionon dhe fakti që rezultatet e zgjedhjeve janë pozitive hedh poshtë çdo hamendje për krisje të koalicionit mes PS dhe LSI. Madje, sipas Vasilit “sherri Rama-Meta” është një sajesë e mediave dhe analistëve. Por Meta prapë ri me “veshë në krah” se nuk i dihet. Eksperienca e këtyre 25 viteve e ka bërë të mos besoj kollaj , sepse kur në politikë e heq vigjilencën,atëhere merr kolpo të fortë.
Pra, dy partitë kryesorë dje hodhën ujë mbi zjarrin e thashethemeve që gëlojnë në politikë për sherrin Rama-Meta. Për ta bërë më të besueshëm stabilitetin e koalicionit është dashur ndërhyrja e Kryeministrit. Fakti që ka preferuar të komentojë gjatë mbi pyetje që zakonisht i kalon me batutë, tregon se “thashethemet” nuk kanë qenë dhe aq të pavërteta. Ndërsa nga LSI-ja ka dalë nënkryetari i saj, si gjithnjë Petrit Vasili, ai të cilin nuk e tradhton asnjë nerv edhe kur thotë atë që nuk mendon ose nuk është realisht e vertetë ajo cka lexon me seriozitet. Në këtë fushatë për të zbutur zërat për krizë mungon vetëm qëndrimi i kreut të Kuvendit dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Dhe fakti që në vend të tij ka folur Vasili është edhe një një mënyrë për t’i çuar sinjale Ramës.
Kryeministri ka fashitur çdo ide për krizë në vjeshtë mes koalicionit. Një mënyrë për të ruajtur jo vetëm aleancën me Metën, por edhe për të shmangur telashet që mund t’i lindin brenda partisë. Aq me tepër që Ben Blushi aty është, në PS.
Ajo që dihet tashmë është se Rama ka dhënë dje disa garanci më shumë për aleatin kryesor të qeverisjes, si dhe ka krijuar idenë se miqësia vazhdon. Por që nga vitet 2000 historia e marrëdhënieve Rama-Meta ka qenë miqësi dhe tradhti, ku gjithmonë Meta dhe Rama kanë akuzuar njeri-tjetrin se nuk kanë mbajtur fjalën. Kjo ka bërë që sa herë nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, të presin goditjen e radhës pas shpine. Por nëse përleshën, që nuk besohet, asnjëri nuk del pa kocka të thyera.
Ndaj që të mos shkojnë tek “dueli i shpatave” të dy rrijnë tashmë me “brekë hekuri” dhe në një çati qeverisje, sepse edhe Metarlurgjiku i Elbasanit, i blerë nga turqit, prodhon hekur të mirë e të garantuar nga ndryshku katër vjeçar në një qeverisje!
Spiten P.