Edi Rama në Lezhë dhe “Viti i SKENDERBEUT”

Edi Rama foli dje nga qyteti i Lezhës, serioz dhe i merakosur për hallet e Lezhës e të Shqipërisë në këtë Vit të Skenderbeut. Realisht është ide e bukur kjo gjetje e tij për nderimin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot-Skenderbeut. Dihet tashmë nga historia se ishte pikërisht qyteti i Lezhës vendi ku u mblodhën prijësat shqiptarë për të marrë një vendim kundër turqve, e cila mori emrin Beslidhja e Lezhës. Ishte vendim i madh asokohe me 2 mars 1444 i Udhëheqësit të shqiptarëve, ku hoqi dorë nga shumë privilegje të tijat dhe dëgjonte me urti prijësat e krejt vendit edhe si bisedonin apo edhe kur ziheshin, por në fund i pajtoi për hir të Atdheut.

Por ai ishte Gjergj Kastriot-Skenderbeu!

Edi Rama në rolin e kryeministrit të vendit  që duhet të kishte lexuar pak më shumë për atë Beslidhje të madhe shqiptare, ka shansin, që Lezha e historisë kombëtare, të jetë vendtakimi i takimit të Burrave të Shtetit të këtij vendi për të folur e rënë dakort për prioritetet e Shqipërisë jo vetëm për vitin 2018, por edhe për 20 vitet e ardhshme. Të ngrihesh mbi vetveten e karriken e kryeministrit kërkon forcë, shpirt dhe zemër të fortë. Ndaj dje nga Lezha kryeministri u mundua të dukej si udhëheqës, por të tillë nuk të bëjnë njerëzit e partisë rrotull apo ministrat, ndonëse sfondi i Memorialit të vendvarrimit të Gjergj Kastriot-Skenderbeut të krijonte idenë e kohëve të shkuara, të lavdishme dhe përbashkuese.

Edi Rama ka edhe pak kohë të provojë shansin e udhëheqësit për të dalë mbi veten dhe mbi karriken që të ofrojë pakt me Presidentin e Republikës, kryetarin e PD-së  e krejt politikanët e rëndësishëm të shtetit për një marrëveshje të madhe kombëtare për hir të stabilitetit të vendit dhe të ardhmes tonë drejt BE.

Shpresojmë se nga Lezha dje kryeministri të ketë riparë filmin “Skenderbeu”. Në mos e ka harruar, duhet patjetër t’ia kujtojë Endri Fuga.

Viti i Skenderbeut është vit i madh, ndaj duhen vendime të mëdha, pikërisht në Lezhë atje ku Gjergj Kastriot-Skenderbeu ka edhe eshtrat. U fol në dhjetor 2016 për një “Beslidhje” të re lezhjane, por e rrëzuan përtokë si ide pikërisht ata që sot përfitojnë tenderime, koncensione, leje ndërtimi apo që kanë paratë e këtij vendi. Nuk iu interesonte “Beslidhja e Re” e Lezhës. Nga kjo Beslidhje humbnin privilegjet, pazaret dhe gjithçka jo të ligjshme kjo urdi e dalldi e cila ka marrë peng vendin.

Edi Rama është edhe sot në Lezhë. Le të ulet të paktën në nivelin e një prijësi të Beslidhjes së Lezhës dhe i mjafton për të kuptuar se nuk mundet të ecet më kështu.

Shpresojmë se sot të kthjellohet dhe të mos e turbullojë era e rakisë së Kallmetit apo të mos e daravisë era e peshkut të pjekur te Diella e restorantit të famshëm buzë detit.

S.P.

SHKARKO APP