Rama: Nuk më rrëzon kjo opozitë! Petrit Vasili: Do ta shikojmë pas 30 qershorit!
Pasi ironizoi protestën e 26 majit të opozitës ditën e shtunë në Tiranë, kryeministri Rama dje në televizionin francez “France 24” e ka sfiduar hapur Frontin Opozitar. I pyetur nëse do të dorëhiqej nga protestat e opozitës, Edi Rama ka deklaruar se protestat janë gjera që ndodhin shpesh në Shqipëri dhe se ai nuk ka ndërmend të largohet nga tubimet e opozitës. Insistimit të gazetares franceze se cili do të jetë qëndrimi i tij për protestat që kërkojnë largimin e qeverisë, Rama ju përgjigj se “protestat në Tiranë nuk meritojnë të zënë faqet e para të medieve të huaja”.
Ironike kjo përgjigje e kryeministrit, ndërkohë që opozita ka përgjegjsinë e mbrojtjes së interesave opozitare e popullore nga uzurpimi i pushtetëve, siç po bën realisht Edi Rama.
E thënë ndryshe, Edi Rama ka lëshuar dje sfidën ndaj opozitës duke u thënë hapur se “nuk e rrëzojnë dot”. Ai ka shkuar dhe më tej në provokimin e nervave të opozitës duke mos i konsideruar protestat e tyre as si lajm që duhet të pasqyrohet në median ndërkombëtare. “Mendoj se (protesta) nuk është një lajm, i cili duhet të zërë faqet e para të gazetave ndërkombëtare, është jeta e brendshme e vendit. Opozita është duke protestuar dhe ka një qeveri që është në fuqi”,- tha kryeministri Edi Rama. Zakonisht, kur një kryeministër pyetet jashtë shtetit për situatën e brendshme politike, fjala e parë që thotë është dialogu, konsensusi dhe formulat e gatshme të bashkëpunimit. Është një mënyrë për të treguar para vendeve të BE se në Tiranë është një qeveri që ofron konsensus ndaj pakicës (opozitës). Por dje Edi Rama nuk ka dashur të japë as këtë sinjal për opozitën në Tiranë dhe BE-në e Brukselin. Në mënyrë provokuese, siç di të bëjë zakonisht kreu i qeverisë, i ka cilësuar tubimet e Lulzim Bashës si të parëndësishme dhe të parrezikshme për pushtetin e tij. Pas injorimit të tubimit të opozitës poshtë zyrës së tij duke e krahasuar Lulzim Bashën me portierin e “Liverpulit” që humbi finalen, tashmë Rama talljen me PD-në e ka kaluar në nivel ‘ndërkombëtar’.
Ironisë së Ramës në median franceze, Lulzim Basha iu përgjigj dje me një reagim në Facebook. Kreu i PD-së kritikoi faktin që kreu i qeverisë nuk përmendi dhunimin e gazetarit të “RD”-së nga policia dhe akuzat e opozitës ndaj qeverisë. Sulmi më i fortë që Basha i bëri Ramës për talljen në Paris është krahasimi i kreut të qeverisë me kryeministrat e Lindjes. “Është e papranueshme jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane të Shqipërisë të kemi një kryeministër të tillë që nuk ka lidhje me standardet minimale perëndimore por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes”,- tha Lulzim Basha.
Siguria që ndjen Rama duke e mos e llogaritur opozitë si rrezik për qeverinë e tij duke se vjen dhe nga modeli i protestave që Lulzim Basha ka zgjedhur kundër mazhorancës. Të gjitha ato që ndodhin në Tiranë, siç tha dhe dje Edi Rama, nga qeveria shqiptare raportohen në vendet e tjera si zhvillime normale demokratike.
Këto ditë pati shumë debate për efektet që solli protesta e opozitës ndaj qeverisë. Përgjigjen për të gjithë ata që thonë se protesta e arriti qëllimin dhe ishte e suksesshme, ua dha dje kryeministri. Duke i sfiduar edhe një herë, Rama u tha se me këtë model protestash nuk ka asnjë problem për qeverisjen e tij. Madje, në vend që t’i hapin probleme tubime të tilla për Ramën tregojnë se demokracia po funksionin normalisht. Por Edi Rama harron se jemi para vendimit të BE për statusin e Shqipërisë në fund të qershorit, ndaj protestat kanë qenë kaq të “buta”, sa i tall dhe ironizon, por pas 30 qershorit do të shikojë tjetër opozitë kjo mazhorancë.
Opozita nuk ka dashur të jetë ajo problemi për moshapjen e negociatave, ndaj me sa duket nuk ka dashur të tregojë “dhembët” me protesta radikale, të cilat përfundojnë përherë me krizë politike dhe rënie qeverie.
Petrit Vasili tha për mediat se PD dhe LSI nuk duan të jenë ato problemi për mos hapjen e negociatave, por pas 30 qershorit opozita do të ndezin motorat e përballjes dhe përplasjes për rrëzimin e qeverisë. Pas 30 qershorit do të kuptojë qeveria se kush do të jetë opozita, ky kryeministër sharlatan dhe i papërgjegjshëm.
Q.Xhani