Rama: Qeverisim mirë. Basha: Do ju rrëzojmë!

 

 

E hëna i ka gjetur kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha para kompjuterit. I pari për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rrjetet sociale. I dyti, për t’iu përgjigjur përgjigjeve të kryeministrit Edi Rama. Në rreth 500 pyetje që qytetarët kanë drejtuar në adresën e kryeministrit dallohen edhe cilat janë problemet kryesore që ka sot Shqipëria.  Çmimet e larta, pagat e ulëta, mungesa e shërbimit mjekësor cilësor,  korrupsioni në drejtësi, eksodi i shqiptarëve në Gjermani, ndëshkimi i korrupsionit të qeverisë së kaluar, kontrabanda në dogana, zgjidhja e problemeve të emigrantëve, mungesa e zhvillimit ekonomik, investimet në rrugë dhe mjaft probleme të tjera. Në morinë e pyetjeve që falë rrjeteve sociale kanë qenë më të drejtpërdrejta edhe sesa ato të gazetarëve, kryeministri ka qenë më i qartë. Ka pranuar se jo çdo gjë po ecën sipas planit qeverisës, por nga ana tjetër, ka shtuar se në këto dy vite janë bërë reformat më të mëdha. Ka folur për drejtësinë e korrupsionin dhe ka premtuar se pas miratimit të reformës në drejtësi do të nisë dhe ndëshkimi i zyrtarëve të korruptuar. Madje, pas reformës tha se do të ketë drejtësi dhe për vrasjet e 21 Janarit, një temë që duket se është harruar nga mazhoranca aktuale. Mburri reformën në arsim dhe deklaroi se çdo ligj që do kthehet nga Presidenti, do të votohet. Premtoi se çështja e pronës do të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se korrupsioni dhe kontrabanda vazhdon të lulëzojë në qeverisjen aktuale. Në ndryshim nga kryeministrat paraardhës, Rama ka mbajtur një qëndrim dinjitoz lidhur me Greqinë dhe akuzat e fundit të Ministrisë së Jashtme greke për kishën në Himarë. Sipas tij, Shqipëria nuk është nën tutelën e askujt. Për ndryshimet në qeveri, përsëriti variantin se nuk është e nevojshme të ketë ndërrime  emrash, për aq kohë sa sipas tij, qeverisja është efikase. Në përmbledhje të të gjitha pyetjeve, Rama deklaron se nuk sheh të meta tek qeverisja. Dy vite në pushtet mund të kenë pasur edhe probleme në disa sektorë ku mazhoranca nuk ka qenë e përgatitur siç duhet, siç janë financat dhe mbledhja e të ardhurave. Por sipas Ramës, “kjo është mazhoranca që ka bërë më shumë reforma në dy vite”.

Një tjetër këndvështrim të situatës ka lideri i opozitës Lulzim Basha. Në morinë e përgjigjeve të kryeministrit, Basha është kapur vetëm me njërën prej tyre, atë që ka të bëjë me rritjen e frikshme të numrit të azilkërkuesve në Gjermani. Për kryeministrin Edi Rama, azilkërkuesit nuk janë shqiptarë të Shqipërisë, por shqiptarë emigrantë në Greqi që kanë zgjedhur më pas të shkojnë drejt Gjermanisë. Për kreun e PD-së, një shpjegim i tillë i situatës është jorealist dhe tallje me qytetarët shqiptarë. Basha thotë se përgjegjësia për largimin e mijëra shqiptarëve është e keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Nisur nga kjo, Basha kërkon masa ekstreme ndaj qeverisë, deri në largimin e saj, për të normalizuar situatën në vend. “Vetëm ndarja me këtë qeveri dhe me këtë kryeministër mund ta normalizojë situatën dhe ta frenojë eksodin dramatik të shqiptarëve”, – tha Basha po në një postim në Facebook. Largimi i qeverisë është detyrë e opozitës që në ditën e saj të parë që del në opozitë. Është normale që një parti të kërkojë pushtetin. Problemi është se kur kërkon rrëzimin e qeverisë, opozita duhet të ketë gati dhe një plan për ato probleme që pretendon se mazhoranca nuk po i zgjidh. Opozita flet përditë për keqqeverisje dhe mungesë vizioni nga ana e PS dhe LSI, por ende nuk është parë një program i qartë i PD-së se cila është zgjidhja që ajo jep nëse vjen në pushtet. PD-ja kritikon situatën ekonomike pa bërë një analizë se çfarë shkoi keq në 8 vitet e qeverisjes së saj dhe pa dhënë asnjë variant se çfarë modeli më të mirë ka në plan sesa qeverisja e sotme. Po ashtu, është e thjeshtë të kritikosh për papunësinë institucionet aktuale. Por teksa kërkon largimin e qeverisë, të paktën opinionit duhet t’i paraqesësh një projekt sesi mund të hapen vendet e reja të punës. E njëjta gjë vlen dhe për azikërkuesit. Më shumë sesa ndonjë ide si mund të shmanget fenomeni, PD-ja vret mendjen si ta përdorë këtë situatë në favor të saj. Është në të drejtën e saj të përfitojë sa të mundet nga gabimet e qeverisë “Rama”, tek e fundit këtë bëjnë opozitat në gjithë botën.

Basha tha se do ta rrëzojmë Qeverinë Rama ,por nuk përmendi se si; me demonstrata apo do të presë të rrëzohet vetë nga varfëria?  PD-ja duhet të jetë konkrete  këtë vjeshtë, sepse nëse rri e mban një fjalim në bulervard e pa aksione konkrete, atëhere edhe demokratët do fillojnë të mësohen me pushtetin e Ramës. Opozita tregon forcë, projekte dhe platformë se si do ta qeverisë vendin.

Dje Rama e Basha u ndeshen në “Facebook”. Në shesh akoma nuk janë përballur fort.

Qamil  Xhani

SHKARKO APP