Rama zapton drejtësinë e re

-Nuk duam që nga drejtësi e Saliut, siç akuzojnë, të kalojë në drejtësi nën thundrën e Ramës. 

-Nuk është mirë që të dalë profecia e gazetarit të njohur Arian Çani, i cili thotë se “kjo e gjitha është një lojë e ambasadorëve për t’ia dhënë pushtetin e drejtësisë kryeministrit Rama”.

Reforma në drejtësi nuk po del tamam, siç u nis. Apo siç premtoi ambasadori amerikan dhe ambasadorja e BE. Më shumë se kurrë, tani po shihet se Edi Rama po kaplon fuqishëm duke futur në dorë organet e Vettingut. Ditët e fundit përlau SHISH e pas pak ditësh synon edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Frika në PS dhe sidomos në qeveri pas skandalit Tahiri dhe dosjes Habilaj, ka ndezur sirenat e alarmit se mund të përfundojnë në burg gjysma e qeverisë dhe plotë të tjerë të lidhur me kryeministrin.

Po hidhen dhjetëra milionë euro për të blerë Vettingun. Po investohen shuma marramendëse për të hequr prokurorët dhe gjyqtarët që nuk i kanë pas vetes në gjyqet që mund të zhvillohen. Miliona jo të paktë u dhanë për të larguar kreun e SHISH, apo më shumë se disa milionë për të kapur edhe kryeprokurorin e Republikës, pasi Llalla ndodhet në dilemën kushtetuese nëse ka të drejtë të qëndrojë më si prokuror apo do largohet. Në krye të kësaj fushate dhe plani reformështypës dhe shantazhues është kryeministri Rama, tregojnë burime në PD dhe LSI.

Gjyqet po afrojnë. Arrestimet VIP janë afër dhe sekuestrime pronash do ketë në muajt e ardhshëm, jo pak. Ndaj, PS dhe Edi Rama janë në dilemën e ekzistencës në politikë apo të burgut. Nuk janë të vetmit këta, ka edhe nga PD e LSI.

Por burgu do jetë më i madh në PS. Ata që janë në qeveri kanë vjedhur jashtëzakonisht shumë, janë lidhur me bandat e drogës, kanë blerë zgjedhjet me paratë e pista. Edhe burgu i ministrave dhe zyrtareve të PS do jetë në progresion gjeometrik me burgun e palëve të tjera politike. Njerëzit e thjeshtë duan një drejtësi të pavarur. Nuk duam që nga drejtësi e Saliut, siç akuzojnë, të kalojë në drejtësi nën thundrën e Ramës. Nëse ndodh kështu, siç duken gjasat, nuk kemi bërë asnjë përparim. Përkundrazi.

Kryeministri i djegur nga skandali Tahiri apo ndonjë ministri tjetër që mund të plasë së shpejti, po bën çdo makinacion dhe pazar që të marrë sistemin e ri të drejtësisë në dorë. Nëse ndodh kjo që ka filluar të konturohet, atëherë reforma ishte lojë siç e tha bukur Arian Çani, ku Rama dhe disa ambasadorë punuan për të kaluar drejtësinë nga ish-kryeministri Berisha te kryeministri Rama. Po rezulton se ndryshohen vetëm emrat e institucioneve dhe njerëzit brenda tyre, ndërsa vendimet duket se do të jenë të urdhëruara dhe orientuara politikisht. Pra, prapë drejtësi e blerë, drejtësi e dhunuar dhe diktuar nga politika qeveribërëse.

Në PS e kundërshtojnë me forcë këtë skenar, të paktën publikisht. Por zhvillimet thonë tjetër gjë. Qëllimisht po vonohen funksionimi i institucioneve të reja. Qëllimisht nuk u jepen fondet dhe struktura e nevojshme organeve të drejtësisë. Po qëllimisht po vonohet funksionimi normal i drejtësisë që duhet të funksiononte me ligjet e reja të miratuara me konsensusin e madh të korrikut të vitit 2016. Sigurisht faji për këtë është i gjithë politikës, por në këtë rast është i PS dhe angazhimi për një reformë korrekte duhet të ishte nga PS-ja si parti që ka qeverinë.

Në vend të zbatimit të konsensusit të madh të vitit 2016, PS-ja ka një ngut të paparë për të nisur aksione dhe për të bërë shoë me drejtësinë. Nuk ka asgjë të keqe kur zbatohet ligji. Por një ligj që zbatohet me urdhër politik dhe me institucione që vihen në lëvizje me deklarata nga drejtuesit e PS është shqetësuese. Rasti “Tahiri” ishte prova që PS-ja do të kontrollojë me çdo kusht çdo veprim të organeve të drejtësisë.

Nëse kryeministri Rama arrin të marrë drejtësinë, siç po tenton, atëherë tensioni politik do rritet dhe, fatkqesisht duket se duhet shkuar të revolucioni popullor për të shkuar me pas në zgjedhje të parakoshme parlamentare në marsin e vitit 2018.

Nuk është mirë që të dalë profecia e gazetarit të njohur Arian Çani, i cili thotë se kjo e gjitha është një lojë e ambasadorëve për t’ia dhënë pushtetin e drejtësisë kryeministrit Rama. Dhe se ambasadorët përherë janë me pushtetin- deklaron Çani!

Nuk urojmë që Arian Çani të jetë parashikues brilant në këtë rast.

A.Mati

SHKARKO APP