Rama:Votoni sot lirshëm. Blushi:Kutitë u mbushën!
Rreth 80 mijë socialistë do t’i përgjigjen sot pyetjes nëse “konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit, kur partia është në qeveri dhe kryetari është kryeministër”. Votimi i sotëm, megjithë rezultatin që pak a shumë dihet, synon t’i jap fund një debati dy vjeçar në lidhje me mandatin e kreut të Partisë Socialiste. Me referendum kreu i PS-së, Edi Rama formalizon rizgjedhjen e tij në krye të partisë. Për mbështetësit e tij, me votën e sotme, kompensohet dhe moszgjidhja me parimin “një anëtar një votë”. Në të dyja rastet janë socialistët ata që votojnë. Por ndryshe e mendon gjithë këtë proces, Ben Blushi, i cili është dhe kritiku më i fortë i Ramës në PS për çështjen e rizgjedhjes së tij. Për Blushin nuk duhej referendum, por zgjedhje për kryetarin. Sipas tij socialistët nuk duhet të pyeten si mendonin për mandatin, por duhet të votonin për emrat e kandidatëve.
Pak orë para se të hapen kutitë e votimeve për referendumin në Partinë Socialiste, kanë nisur replikat në distancë mes kreut të partisë, Edi Rama dhe Ben Blushit. Nga Dibra deputeti Ben Blushi hodhi dyshime për procesin e votimit që do të zhvillohet sot në gjithë vendin. Sipas tij, kutitë janë mbushur ende pa filluar votimi. Pas takimit me strukturat e PS në Dibër, Blushi e krahasoj procesin në PS me modelin e zgjedhjeve të manipuluara që bënte ish-kryeministri Sali Berisha. “Në qoftë se Sali Berisha mbahet mend që ka vjedhur votat e opozitës, Edi Rama do të mbahet mend që ka vjedhur votat e shokëve të tij”,- ka thënë Blushi. Ai u bëri thirrje socialistëve në mbarë vendin të monitorojnë procesin dhe të denoncojnë shkeljet që do të kryhen. Blushi shprehu rezerva dhe për listat e votuesve. “Një referendum ku asgjë nuk është reale dhe normale. Ku kutitë e votimit janë të mbushura pa filluar ende votimi. Një referendum ku socialisti i vërtetë nuk e gjen emrin ose më saktë ku nuk ka lista zgjedhësish”, u shpreh Blushi.
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi, teksa e cilësoi referendumin si një farsë. “Referendumi s’ka të bëjë me asnjë prej shqetësimeve të socialistëve me qeverinë, për pagat e ulëta, papunësinë, administratën, as demokracinë në PS, as meritë me karrierë. Është përpjekje për të legalizuar mandatin 7-vjeçar të kryetarit të PS në kundërshtim me normat e PS-së”,- tha Hafizi.
Por një qëndrim krejt tjetër kanë drejtuesit PS-së për efektin e këtij referendumi. Pak orë pasi Blushi shprehte rezerva për procesin, kryesocialisti Rama e ka cilësuar ditën e sotme si një ngjarje të madhe për demokracinë në selinë rozë. “Nesër (Sot) një ditë e shënuar për PS që pyet anëtarësinë me referendum. Pjesëmarrja e çdo anëtari është kontribut për forcimin e demokracisë në PS”,- tha Rama. Dje shumica e ministrave të PS-së dhe deputetëve kanë qenë në zonat e tyre elektorale për të ndjekur nga afër përgatitjen e procesit. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha dje se në çdo zonë janë verifikuar listat e anëtarësisë dhe nuk ka asnjë mangësi në proces, duke ju përgjigjur kështu dhe kritikave të Blushit.
Sot socialistët do të drejtohen në kutitë e votimeve. Të organizosh një zgjedhje në Shqipëri është një problem edhe për vetë institucionet e shtetit dhe jo më për partitë. Kështu për çështje që kanë të bëjnë më organizimin mund të ketë edhe ndonjë difekt gjatë procesit, por në thelb duket një votim demokratik. Por pa e paragjykuar procesin dhe rezultatin, megjithë të metat që mund të ketë, referendumi është një etapë e re në partitë politike. Në 25 vjet pluralizëm në partitë shqiptare nuk ka ndodhur që gjithë anëtarësia të shkojë në referendum. Ka pasur sherre, grindje, çarje forcash politike, por anëtarët e partisë janë anashkaluar gjithmonë. Sot formalisht PS-ja po bën një test demokracie brenda saj ndaj dhe me të drejtë Rama e quan një ditë të veçantë.
Por një referendum brenda llojit në një familje politike ka dhe rreziqe. Nëse rezultati del 99 për qind pro kreut të PS Edi Rama mund të kthehet nga një test demokracie në një test budallallëku. Do të jetë i pabesueshëm. Nëse pretendimet e Blushit se socialistët nuk janë ftuar të gjithë në votime, se nuk ka lista të sakta, se po manipulohen zgjedhësit, se po mbushën kutitë e votimeve etj do rezultojnë të vërteta atëherë referendumi është një xhiro bosh e PS. Por duket se Rama e njeh mirë se nëse manipulohet votimi nuk ka se të thotë më fjalë kundër Saliut si “vjedhës votash”. Ndaj duket se Edi Rama mbetet i qartë për një proces normal votimi dhe rezultat që nuk ndryshohet udhës për në Tiranë.
Gjithsesi referendumi është një risi politike në forcat politike shqiptare, të cilat asnjëherë nuk e kanë pyetur anëtarësinë, qoftë edhe formalisht.