PD nuk flet, ministrat bëjnë raport!
Ministrat teknikë të Partisë Demokratike, pas dorëheqjeve të dorëzuar në zyrën e Edi Ramës, publikuan dje raportin e detajuar të zgjedhjeve parlamentare. Dokumenti prej 120 faqesh është një përmbledhje e gjithë vëzhgimit që ministrat bënë gjatë fushatës elektorale. Në dokument gjenden konkluzione, rekomandime, sugjerime si dhe jepen fakte të pretenduara për manipulime të zgjedhjeve. Një pjesë kryesore e shqetësimeve që ministrat ngrenë në këtë dokument për problemet me zgjedhjet, realisht qëndrojnë. Në raport flitet për paratë e kanabisit, për blerjen e votave, përdorimin e administratës dhe për gjithë problemet e fushatës elektorale. Janë probleme, që edhe pa i shkruar ministrat në një raport, janë thënë më parë nga mediat dhe janë denoncuar në publik.
Dokumenti i teknikëve të PD-së, për hartimin e të cilit u deshën gati 3 muaj, është kundërshtuar nga Partia Socialiste. Burime nga qeveria thanë dje se raporti ka probleme ligjore pasi nuk është miratuar nga task-forca e ministrave PS-PD, por vetëm nga ministrat e PD. Mund të ketë të drejtë kryeministria e cila kundërshton, por shkresa që thotë se vjedhjet i vodhi kryeministri Rama mban vulën e kryeministrisë! Zv/kryeministrja Mandija ka përdorur vulën e kryeministrit edhe pas dhënies së dorëheqjes. Shkresa është nisur me vulën e kryeministrisë drejt ambasadave të huaja në Tiranë dhe OSBE-ODIHR. E paparë kjo që po ndodh me qeverinë shqiptare. Kryeministri deklaron se nuk kam blerë apo vjedhur vota, kurse zv/kryeministrja firmos e vulos se janë blerë. Shkresa tashmë mbetet zyrtare.
Por nëse PS dhe qeveria kapen me aspektin ligjor, dokumenti i ministrave të PD më shumë se kaq ka një problem moral. Ministrat e zgjedhur nga Lulzim Basha kishin detyrë të garantonin zgjedhjet duke penguar blerjen dhe manipulimin e tyre. Gjatë 30 ditëve të fushatës, ministrat e PD-së nuk bën asgjë të tillë. Nuk kërkuan arrestime dhe as kontrolle të imtësishme për pasuritë që po përdoreshin në fushatë. Kabineti teknik duhet të ruante votat dhe jo pas përfundimit të zgjedhjeve të mjaftohet vetëm me një raport dhe me vonesë. PD dhe Lulzim Basha gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve nuk thanë asnjë fjalë kundër Ramës. Ishte akoma pazari në fuqi?! Apo tani nuk ka më tepsi të gatuar me 17 maj?
Sado reale të jenë shqetësimet e ministrave në këtë dokument, moralisht nuk kanë më vlerë. Ankesat vijnë nga njerëzit që kishin mision të ndalonin vjedhjen dhe manipulimin e votës. Nëse vjedhja dhe manipulimi ka ndodhur në masë kaq të madhe, sa shkruajnë ata në raport, ka vetëm disa pyetje për ministrat: pse nuk i ndaluan dhe paditën në kohë parregullsitë? Pse flasin dy muaj për zgjedhjeve, kur gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve nuk thanë asnjë fjalë? Ankesat e tyre sot i shkojnë për shtat shprehjes “pas pilafit”. Dhe “pilafi” ishte marrëveshja e pazbardhur plotësisht mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që prodhoi këtë qeveri.
Në raportin e ministrave të PD ka një rekomandim të veçantë që duket se është i ndikuar ende nga klima e marrëveshjes Rama-Basha. Ministrat e PD propozojnë se kjo metodë me qeveri gjysmë teknike të aplikohet sërish. Siç duket e mendojnë prapë PD-në në opozitë! Në pjesën e rekomandimeve të raportit, ministrat propozojnë që në çdo fushatë elektorale, në kabinetin qeveritar të ketë grup pune me ministra të qeverisë dhe opozitës. Propozimi i teknikëve të PD është që duke nisur nga data 1 janar e çdo viti elektoral të krijohet një kabinet i përbashkët për zgjedhjet mazhorancë-opozitë. Një propozim i tillë nga PD, pasi humbi zgjedhjet në mënyrë spektakolare, pasi dështoi me kabinetin gjysmë teknik dhe pasi nuk arriti asnjë fitore morale, duket si qëndrim shoqate jo qeveritare dhe jo partie politike.
Raport mund të jetë realist, por ka marrë vulën e “pas-pilafit”, ndaj duket me shumë si lojë e PD-së për të justifikuar bashkëqeverisjen me PS edhe pas 25 qershorit.
Këtë duhej të thoshte selia blu dhe Lulzim Basha dhe jo ministrat teknikë, të cilat nuk patën asgjë në dorë, nuk i begenisi kryeministri, nuk i qasi njeri në mënyrë serioze dhe nuk folën kur duhej folur. Asnjëherë Lulzim Basha nuk ka dalë deri më tani të deklarojë se nuk e njeh marrëveshjen e 17 majit, sepse PS bleu dhe vodhi zgjedhjet.
Tani është shumë vonë, raporti i ministrave! PD-ja deri tani nuk ka bërë deklaratë se nuk i njeh zgjedhjet, atëhere çfarë vlere ka raporti i ministrave.
A.Mati