Reforma vdiq! Rroftë Reforma!
Nëse ka një gjë që duan me shumë shqiptarët, mbetet drejtësia. Mund të jenë të varfër, por drejtësia i bën më optimist, sikur e harrojnë hallin edhe kur nuk kanë të ardhura të domosdoshme financiare e ekonomike për të jetuar. Fjala drejtësi është kryefjala e çdo politikani vendas dhe të huaj. Por sa do të realizohet një drejtësi e pakapur nga politika e krimi? Në fillim kishte shumë shpresë e besim. Tani po duket hapur se si luhet e cili po e fut në kllapi.
Reforma në Drejtësi ishte një sherr që për pak nuk çoi vendin në krizë vitin e kaluar. Ndërhynë ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadoresha e BE, Romana Vllahutin duke dhënë garanci publike se reforma do jetë kushtetuese dhe asnjëri nuk do fus dorë për ta vënë nën vehte. Garancia dhe përceptimi publik kishte të bënte me atë se flisnin SHBA dhe Gjermania. U miratua me 140 vota si asnjëherë në këto 27 vite pluralizëm e paksa demokraci.
Kishte akuza se kryeministri Rama po synonte ta fuste në kontroll një drejtësi e cila duhet pranuar se kishte qenë e Saliut. Njerëzit e thjeshtë nuk duan një drejtësi që ndërron varësinë, por një drejtësi për të gjithë.
Por dje pamë një tablo aspak premtuese. Komisioni i ligjeve drejtuar e në shumicë nga deputetët e PS, kërkoi që kryeprokurori i Republikës të votohej me një mandat të përkohshëm dhe me një procedurë aspak ligjore e kushtetuese. Ndërkohë që kishte kohë dhe mund të gjendej zgjidhja ku politika të mos e zgjedhë, por siç duhet me anë të KLP, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, siç e do Reforma e miratuar. Por me hile e djallëzi është vepruar nga PS, ku anëtari që vjen nga shoqëria civile nuk është përzgjedhur për të ngritur KLP, i cili zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm. E kanë lenë bosh për të mos ngritur KEP dhe për ta emëruar me 36 vota, shumicë e thjeshtë, një prokuror të përgjithshëm, ku mund të pastrojnë dosjet e tyre apo të shpëtojnë nga hetimet që janë në proces.
Ajo që nuk pritej ishte reagimi i mënjëhershëm i dy ambasadorëve, atij amerikan Lu dhe asaj të BE, Vlahutin, të cilët ndërkohë që debatohej në komision nxorën në media me sms një status të sejcilit. Ambasadori Lu tha se duhet të veprohet sipas ligjit pra me shumicë të thjeshtë se kështu kanë thënë OPDAT dhe EUROLIUS. Edhe Vlahutin kështu mendon. Edhe kryeministri Rama kështu mendon dhe dëshiron. Ishte si paradoks se si, të tre, ishin në një mendje në kohë rekord.
Ka reaguar PD dhe LSI. Reagimi i Petrit Vasilit ka qenë shumë i ashpër. Ai ka shkruar ndër të tjera dje se ”Të huajt, cilido qofshin, nuk mund të sillen si pushtues dhe të bekojnë kapjen e drejtësisë nga kanabisi i kryeministrit. Ka vetëm një kushtetutë, dhe as kuvendi dhe asnjë mision i huaj nuk kanë as më të voglën mundësi ta tjetërsojnë dhe interpretojnë pasi kushtetuta nuk jua jep këtë të drejtë. Shqipëria është Republikë kushtetuese dhe jo Republikë e kanabisit. Po, kryeministri, qeveria dhe kushdo tjetër…..që kërkon të shkelet kushtetuta është si ata”.
Reagim më të ashpër nuk mund të ketë. Pra aludimi është i hapur për dy ambasadorët e huaj, të cilët dolën hapur pro Ramës. Ndërkohë ka nevojë që ambasadori Lu, I cili shquhet për protagonizëm shqiptar të flaës publikisht se pse kë të njëjtin mendim si kryeministri për kryeprokurorin e përkohshëm. A nuk do të kishte qenë më mirë që të dilte dhe të kërcënonte njëherë Donald Lu se pse nuk ngrihet KLP?
Me siguri po të dilte, siç del herë pas here, KLP tashmë do ishte krijuar dhe kryeprokurori nuk do të fuste politikën në sherr dhe dyshimet për të të huajt se me kë janë.
Ndërkohë PS vazhdon procedurën për të emëruar një prokuror të saj me votat që zotëron.
Pra Reforma vdiq! Rroftë Reforma!
S.Pruelli