Regjim policor apo opozitë destruktive?
Nga Nikoll Lesi.
Situata në Kosovë po precipiton rrezikshëm nga dita në ditë,bile nga ora në orë. Pas manifestimit të madh të opozitës me mbi 35 mijë njërëz Ditën e Pavarësisë Kombëtare në Prishtinë dhe arrestimit të Albin Kurtit ish-liderit të Vetvendosjes e deputet në parlamentin e Kosovës, si dhe arrestimeve në zyrën e partisë Vetvendosja, gjithçka në Kosovë ka hyrë në krizë të plotë. Pushteti mund të ketë të drejtë të vendos ligje me votë, porse kur flitet për ndarje territoriale për t'i falur, sipas opozitës, pjesë toke shqiptare me marrëveshje, Serbisë dhe Malit të Zi, duhet patjetër dialog me opozitën. Më saktë pushteti i drejtohet me referendum, popullit.
Nëse do të kishte përdorur këtë metodë ligjore, porse edhe kombëtare pushteti në Kosovë do t’ia kishte hequr të drejtën opozitës për manifestime apo bllokime në parlament siç po ndodh tani. Duket se pushteti në Kosovë është në delir force, por dhuna e forca nuk të çon në fund të mirë, përveçse në katrahurë, ku gjithsesi është populli i cili e pëson. As Isa Muftafën , as Hashim Thaçin, as kryetarin e parlamentit, por as liderët e opozitës nuk i gjen gjë, përjashtuar Albin Kurtin që pushteti po e çon atë, pa dashje,drejt Pushtetit. Populli e merr si faturë të keqen e politikës kosovare. Ndërkohë Serbia feston, edhe Mali i Zi nën dhëmbë po përqesh.
E gjithë kjo që po ndodh në Prishtinë tregon një klasë politike ende të papjekur. Dhe kur mendon se në Kosovë vjen edhe Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, dhe prapë një destabilitet ndizet duke arrestuar apo duke protestuar dhunshëm veçse ia ul autoritetin Kosovës në arenën ndërkombëtare.Edhe nënkryetarja e parlamentit europian dhe raportuese për Kosovën Lunacek tha për median se nuk duhet me arrestime, porse me gjetjen e gjuhës për dialog. Pushteti e thelloi me shumë hendekun mes saj dhe opozitës pasi arrestoi sot edhe dy deputetë të opozitës për gazin lotsjellës në parlament. E nuk mjaftoi me kaq porse vendosi të zhvillojë seancë parlamentare duke mos lejuar, me polici, të hyjnë deputetët e opozitës në sallë. Pra shtetrrethim ! Por opozita ka nevojë të mësohet se nuk mund të bllokohet parlamenti. Nëse nuk duan parlamentin e sotëm të mbledhin turmat në sheshe dhe e fusin në krizë qeverisjen. Nuk mundet të bëhet salla e parlamentit si vend ku hidhen gurë apo shishe gaz lotsjellës. Ato hidheni në rrugë!
Kjo nuk e justifikon pushtetin, kurrsesi.
Ngjarjet në Kosovë duket se do të kenë ndikim edhe në Shqipëri. Me 8 dhjetor opozita e PD-së do të fillojë stinën e dimrit me protesta pa ndalesë, siç thuhet, për të rrëzuar qeverinë "fashiste" të Edi Ramës. Këtë e ka paralajmëruar Lulzim Basha, porse kur del Sali Berisha e thotë “të rrëzojmë Ramën me 8 dhjetor” tregon se diçka po përgatitet edhe në Tiranë.
Në Prishtinë ka plasur e nuk ndalon kollaj. Në Tiranë mund të kriset edhe akulli mes Metës e Ramës, e ku përballë ndodhet “eskavatori “ Berisha, dhe nuk dihet fundi i pushtetit në Tiranë.
Prishtina në flakë e Tirana në prag, a mos ka kordinim nga jashtë për destabilitet?!
Në fund të fundit janë qeveritë që e çojnë vendin në rrëmujë !