Reichel: Strukturat kriminale të mos depërtojnë në politikë
Flet Dr. Ernst Wolfgang Reichel, i ngarkuar me punë i qeverisë së Gjermanisë për Europën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s. Në Tiranë ai pati takime me përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës.
DW: Dr. Reichel, duke u fokusuar tek zhvillimet në Shqipëri pas marrjes së statusit të vendit kandidat, cilat mbeten sfidat kryesore tashmë në procesin e integrimit europian?
Dr. Ernst Wolfgang Reichel: Shqipëria ka shumë për të bërë për përmbushjen e pesë prioriteteve të identifikuara, mes tyre lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma administrative, çështje që lidhen me të drejtat e njeriut etj. Janë aspekte që realisht Shqipëria duhet të përmbushë më tepër, me qëllim që të vijojë hapat e tjerë në rrugën drejt BE-së. Marrja e statusit të vendit kandidat, vitin e kaluar, ishte një vlerësim për përpjekjet e bëra dhe fokusimin te reformat. Duke monitoruar ç'ka është duke u bërë në kryerjen e reformave, mbi të gjitha vlerësojmë angazhimin dhe hapat e ndërmarra, duke shpresuar se do të vijohet më tej, për të parë momentin e hapjes së negociatave.
DW: Që nga gushti i vitit të kaluar, kur u mbajt Konferenca e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, a shikoni ndonjë impakt konkret në intensifikimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit?
Dr. Ernst Wolfgang Reichel: Ne kemi ndërtuar tashmë procesin e konferencave të përvitshme të këtij formati, që siç dihet do të vijojë me Konferencën e Vienës, në gusht të këtij viti, dhe më pas në vende të tjera. Një nga efektet pozitive mendoj se është përmirësimi në marrëdhëniet biletarale mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kryeministri Edi Rama udhëtoi për në Beograd dhe qartazi duket interesi i të dy vendeve për të përmirësuar marrëdhëniet, për t'i normalizuar ato. Ky është një aspekt, por ne jemi duke punuar për të arritur rezultate konkrete në këtë periudhë, mes Konferencës së Berlinit dhe asaj të Vjenës. Kjo kërkon përpjekje nga vendet e përfshira, qeveritë dhe parlamentet e tyre të arrijnë në kompromise për të bërë të mundur dhënien e asistencës nga BE.
DW: Nga Gjermania ka shqetësim mbi rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria apo vende të tjera të rajonit. Çfarë masash do të duhet të ndërmerren për të ndalur këtë fenomen? A shikoni ndonjë rrezik që të rivendoset regjimi i përdorimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit që udhetojnë në territorin e Schengen të BE-së?
Dr. Ernst Wolfgang Reichel: Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që njerëzit këtu të dinë dhe të kuptojnë se nuk është opcion për të përmirësuar jetesën e tyre nga emigrimi i paligjshëm drejt BE-së apo Gjermanisë, me kërkesa për azil. Ne jemi duke asistuar për ndihmë dhe kam besim se autoritetet janë duke bërë atë që duhet për të parandaluar këtë lloj industrie krininale të organizimit të transportit ilegal të njerëzve. Për këtë unë shpresoj se në fund të fundit do të vijmë tek situata normale. Ajo për të cilën ju pyesni, mbi mundësinë e pezullimit të procesit të liberalizimit të vizave, përgjigja është se ekziston mundësia e kjo mundësi bazohet në legjislacionin e BE-së. Por kushtet për të vendosur këtë janë të larta dhe mund të ndërmerren në një situatë dramatike. Ka arsye të mira për të pasur vëmendje ndaj kësaj dukurie dhe mendoj se shoqëria e tërë ka interes që t'i parandalojë të tilla situata dramatike.
DW: Dr. Reichel, një nga temat më të debatuara aktualisht në Shqipëri është procesi i dekriminalizimit të parlamentit apo politikës në tërësi. A keni diskutuar mbi këtë çështje me autoritetet në kontaktet që keni pasur gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë? Cila është pikëpamja juaj për këtë?
Dr. Ernst Wolfgang Reichel: Më duket një interesim i natyrshëm për kapjen e standardeve të Bashkimit Europian në procesin e dekriminalizimit, që nënkupton se njerëzit me rakorde politike kriminale të mos kenë poste zyrtarësh dhe të mos luajnë rol politik. Për këtë janë përfshirë në debat mes tyre aktorët relevantë. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet duke u siguruar që strukturat kriminale të mos arrijnë të depërtojnë në politikë. Kjo nuk është çështje vetëm e Shqipërisë, por është edhe e vendeve të tjera, ndaj dhe për këtë ne jemi në mbështje të këtij qëllimi. Çdo gjë tjetër është më shumë çështje e debatit të brendshëm në shoqërinë shqiptare, se sa e jona.