“Rilindja” rreth Koços, PS-ja afër Ruçit
Tashmë në partinë socialiste janë kristalizuar dy grupime kundërshtare në kupolën e partisë. I pari dhe natyrisht kryesori është dueli mes dy ish-miqve më të mëdhënjë , Edi Ramës dhe Ben Blushit, që tashmë ka plasur në publik. Ndërsa dueli tjetër, i nëndheshëm, por që është më i rrezikshmi për bazën e PS-së mbetet ai mes Gramoz Ruçit dhe Koço Kokëdhimës. Ruçi njihet si “shtylla kurrizore” e PS-së dhe njeriu stoik që e ka mbajtur selinë rozë korrekte me programin e saj. Politikan me staturë të majtë në gen, i pa akuzuar edhe nga kundërshtarët për korrupsion apo shkelje të ligjit. Ky është Gramoz Ruçi, njeriu që ka patur si qëllim partinë socialiste e jo kryetarët që kanë ardhur apo që do të vijnë në seli. Ai është kryetar i grupit parlamentar dhe sekretar i përgjithshëm i PS-së ose thënë në gjuhën e hierarkisë, numri dy. Ndërsa përballë tij po ngrihet Koço Kokëdhima, biznesmen shumë i fuqishëm, pronarë mediash, miku më i ngushtë i Edi Ramës qëkur u bë kryetar bashkie në vitin 2000, “ supërdeputet” ose “kryeministri i Jugut”. Me synim të qartë politik që të jetë ai sekretar i përgjithshëm pas kongresit të datës 19 mars. Një e drejtë e tij legjitime për karrierë në PS, ashtu sikurse e Ruçit për të ruajtur PS-në në thelb të majtë.
Më saktë duken si dy kapitenë, ku Ruçi mbronë ikonën e PS-së, kurse Kokëdhima shefi i grupimit “rilindas”. Por kongresi po vjen dhe ku Edi Rama ka rënë në hallin më të madh të karrierës së tij politike. Ka qenë “mbret” në bashkinë e Tiranës ku drejtonte e punonte dhe ku askush nuk guxonte ta kundërshonte në bashki, por në PS po heq të “zitë e ullirit”. Nga një anë ka Ben Blushin, një intelektual, ish-gazetar, shkrimtar, idelog i së majtës europiane në Shqipëri dhe së fundi edhe kurajoz si në vitet 1997 kur drejtonte gazetën më të madhe në vend, gazetën “Koha Jone”. Blushi e ka bërë Ramën që i rrethuar mes “rilindjes” së grupimit Kokëdhima të anojë paksa tek PS-ja e Gramoz Ruçit, sepse atje janë votat, janë e majta, është edhe pushteti. Tek “rilindja” janë interesat e momentit, por për interesa të lenë në baltë edhe miqtë ! Ndaj po mundohet të luajë publikisht në anën e Ruçit, të paktën derisa të mbarojë kongresi. Mjeshtërisht Edi Rama po tund “kryeministrin e luftës” Pandeli Majkon, i cili fatmirësisht jeton akoma në vitin 1999, kur ishte shefi i qeverisë.
Gramoz Ruçi nuk është kockë labi që gëlltitet kollaj, ndonëse Koço ka stomak të fortë që bluan gjithçka. Koço do një parti ndryshe nga ajo e kohës së Ruçit, siç po e bën realisht në Jug e ku deputeti Fatmir Toçi bërtet përditë se “ Kokëdhima po e shkatërron PS-në e majtë”. Toçi flet duke mos ditur se e ka fshirë emrin e tij nga lista e ardhshme për deputet në Vlorë prej “rilindjes”. Ruçi si lab i regjur në këto dekada e di se pas kongresit ditët e tija mund të jenë me rrebesh në asamblenë e re ku “rilindja” do mposht PS-në, ndaj edhe në emër të parimit dhe ligjit e ka nisur “beun e Jugut” drejt Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të ketë vendim jo fatlum për Koçon. Ndaj në mbledhjen e grupit parlamentar Kokëdhima e ka hedhur shigjeten e parë vetëm drejt kokës së Ruçit. Ia di fortësinë e “tehut të thikës” së Ruçit, thikë labi, ndaj Koço gjuan nga larg. Por pas kësaj “procedure formale”, ku parlamenti e nisi edhe me votën e Ruçit drejt kushtetueses “supërdeputeti” Kokëdhima dyshon se fshihet një lojë e deputetëve të PS-së kundër tij. Dy ditë më parë, në një intervistë në “Tonight Ilva Tare”, Kokëdhima tha se nuk është ndjerë mirë kur e ka mësuar vetëm pak minuta përpara se Parlamenti do të votonte për dërgimin e mandatit të tij në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendimi i Grupit duket se e ka gjetur të papërgatitur deputetin Kokëdhima, i cili u pa të bënte dhe gjeste fyese në seancën e kaluar, me një gisht mesi ngritur ndaj Berishës e ku Saliu nxitoi të thoshte se “ do t’ia priste gishtin e mesit”! Me 106 vota, duke përfshirë dhe votat e kolegëve të tij në PS, Kuvendi votoi dërgimin në Kushtetuese të kërkesës së PD për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima. Por edhe pse është cilësuar si një rutinë procedurale, votimi i të enjtes nxjerrë në publik përplasjen mes Koço Kokëdhimës dhe Gramoz Ruçit. Që nga marrja e mandatit si deputet ndërmjet Kokëdhimës dhe Ruçit ka pasur një betejë të heshtur për ndikimin në strukturat e PS-së.
Së fundmi burime pranë PS-së kanë folur dhe për një ndryshim të strukturave drejtuese në Kongres, ku Koço Kokëdhima ka shprehur ambicien për të marrë drejtimin e Asamblesë ose postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Këto zhvillime të reja duket se kanë sjellë dhe reagimin e deputetëve të PS-së që e shohin problematik drejtimin e strukturave nga Kokëdhima. Ndaj dhe loja ka nisur me pikën më të fortë të Kokëdhimës dhe që e mban atë zyrtarisht në politikë,mandatin e deputetit. Nëse Koço merr sekretarin e përgjithshëm pas kongresit duket se as gjykata kushtetuese nuk ka ndërmend të shkurtojë ditët e saj nga dyshja Rama-Kokëdhima. Pra e ruan mandatin e deputetit. Ikën Ruçi nga selia rozë. Fiton “Rilindja”, vdes PS-ja!
Por Edi Ramës i duhet të përkundë djepin e Koços dhe të lutet për Ruçin që të mos vendosë të flasë si lab në kongres. E ndërkohë të ruajë karriken e njëshit sepse Ben Blushi po avancon përditë nga një hap drejt fronit.
Gjithsesi kongresi po vjen,ndërsa Edi Rama duhet t’i ikë shigjetave blushiane, të ul gjakun lab të Ruçit si dhe të mos mërzisë deputetin qepariot bregdetar, Kokëdhima.
Nëse ia hedh pa “lagur” këtë rradhë Edi Rama e kalon lumin më të madh politik të jetës së tij.
Alban Prulli