Rinumërimi në KQZ zbulon me fakte se votat janë vjedhur në tavolinë

Ajo që ndodhi në KQZ më rinumërimin e disa kutive të votimit në Tiranë, është e mjaftueshme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me numërimin e votave në gjithë vendin.

KQZ rinumëroi 64 kuti votimi, pas ankesave të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Partisë Socialiste.  Kreu i PDIU nuk e mori mandatin e deputetit në Tiranë për 36 vota. Nga procesi dje në KQZ, në 64 kuti rezultoi se 5 vota ishin numëruar gabim. Pra, Idrizi humbi mandatin për 31 vota. Qarku Tiranë ka 1198 kuti votimi. Kur në vetëm 64 kuti dalin të llogaritura gabim të paktën 7 vota, po në 1134 kutitë e tjera të votimit në kryeqytet sa vota të llogaritua gabim mund të jenë për PDIU? Mundësia që të ketë gabime gjatë numërimit në kutitë e tjera janë të mëdha.

Ajo që zbuluan dje 64 kutitë e votimit, tashmë nuk ka të bëjë vetëm me mandatin e Shpëtim Idrizit, por me gjithë procesin e zgjedhjeve. Nga këto kuti ka dalë se jo pak vota i janë vjedhur nga komisionerët. Ka raste kur votat e pavlefshme janë cilësuar të vlefshme. Në disa kuti, votat e PDIU dhe partive të tjera të vogla, nga vota të rregullta janë cilësuar të pavlefshme. Në disa kuti votimi mbledhje aritmetike e votave është bërë gabim. Me qëllim apo pa dashje, fakti është se tabelat nuk rakordojnë. Gjithashtu ka raste kur votat e partive të vogla edhe pse kanë qenë të pavlefshme janë llogaritur gabim duke ua quajtur si të rregullta. Më shumë se numërim ky proces ka qenë një “pazar” komisionerësh.

Këto 64 kuti votimi zbuluan një skandal që vë në pikëpyetje të gjithë procesin. Nga të dhënat e KQZ për këto kuti rezulton se në asnjë rast rezultati i numërimit më 25 qershor, nuk përputhet me rezultatin pas numërimit. Është gati e pabesueshme, por në të gjitha kutitë e hapura dje, pas numërimit shifrat ndryshojnë dhe nuk përputhen tabela e KQZ-së me tabelën e komisionarëve që numëruan më 25 qershor. Thënë thjeshtë, procesverbalet e miratuara nga komisionerët dhe që janë dërguar në KQZ nuk pasqyrojnë atë që ndodhej në kuti, por atë që komisionerët kanë dashur ose janë urdhëruar të pasqyrojnë.

Këto probleme të nxjerra gjatë rinumërimit faktojnë atë që PDIU, LSI, LIBRA dhe ditët e fundit edhe PD-ja e kanë thënë për këto zgjedhje. Procesi është manipuluar në tavolinë. Votat janë manipuluar, janë numëruar keq, ose janë vjedhur me shumicë nga komisionerët. Mjaftojnë 64 kuti votimi, si njësi matëse për të zbuluar të vërtetën e zgjedhjeve në të gjithë vendin.

Në Tiranë, në tavolinat e numërimit ka vëzhgues të partive, media dhe vëzhguese të ambasadave dhe misioneve ndërkombëtare të monitorimit. Edhe pse është një ushtri vëzhguesish sërish komisionerët kanë vjedhur hapur para kamerave dhe syve të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Kur kjo ndodh në Tiranë, çfarë ka ndodhur në zonat e tjera të vendi, ku numërimi nuk është mbajtur kaq në vëzhgim?

Ky debat lindi pas ankesës së PDIU, por tashmë nuk ka rëndësi nëse Shpëtim Idrizi e fiton apo jo mandatin. Më shumë se kaq, ky numërimin hapi “Kutinë e Pandorës” së zgjedhjeve shqiptare. Ajo që po del nga kutitë bënë pis gjithë procesin, partitë, komisionerët dhe gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë që thonë se zgjedhjet ishin të rregullta. Në fakt, vetëm të tilla nuk kanë qenë. 64 kuti tregojnë se masakra elektorale është bërë në tavolinë, nën sytë e komisionerëve politikë.

Ndërkohë, ajo që ka ndodhur në tavolinat e numërimit, edhe pse është e rëndë, nuk është e vetmja. Të mos harrojmë se para procesit të votimit pati akuza, denoncime dhe prova për blerje të zgjedhjeve. Pati akuza për kërcënime ndaj administratës dhe dhunë ndaj votuesve. Pra që në nisje procesi ishte i vënë në pikëpyetje. Por manipulimi i zgjedhjeve nuk ka mbaruar me kaq. Pas presionit të votuesve dhe blerjes së votës me euro dhe para, vjedhja ka vijuar në tavolinat e numërimit.

Blerja e votës nuk mund të faktohet pas përfundimit të zgjedhjeve. Mes qindra akuzave, prokuroria ka nisur procedime për blerje vote vetëm në rreth 20 raste. Por nëse sekserët e votës nuk kapen më, rinumërimi i kutive është mënyra e vetme për të zbuluar atë që ka ndodhur me vjedhjen e votës në tavolinë. Nuk është më çështje se kush e fiton dhe kush e humbet mandatet e deputetëve. Vullneti i qytetarëve është deformuar në tavolinat e numërimit. Ky është një krim elektoral që duhet zbardhur.

SHKARKO APP