Botërori i futbollit. Cristiano Ronaldo dhe Leonel Messi, dy yje pa skuadër!

Botërori “Rusi 2018” do të mbahet mend si Botërori ku pësuan disfatë skuadrat e mëdha dhe yjet e sportit më popullor nuk shkëlqyen në fushë, siç pritej. E para ishte Gjermania që në “frontin rus” u mund pa lavdi nga një skuadër si Koreja e Jugut, që në botëror quante fitore vetëm pjesëmarrjen. Fati i gjermanëve ndoqi dje Argjentinën përballë Francës dhe Portugalinë përballë Uruguait. Por humbja e Argjentinës dhe Portugalisë është dhe më rëndë për faktin se në të njëjtën ditë ikin në shtëpi dy yjet e mëdhenj të futbollit botëror, Cristiano Ronaldo dhe Leonel Messi. Dy dominuesit e futbollit evropian në 10 vitet e fundit, nuk janë me fat, pasi luajnë në kombëtare, ku është e dukshme mungesa e cilësisë. As Argjentina dhe as kampionët e Europës, Portugalia, nuk mund t’u garantojnë në fazën e avancuar cilësinë që ata gjejnë te Real Madrid apo te Barcelona, ku e kanë shumë më të thjeshtë për të gjetur rrugën e rrjetës.

Nëse nuk do të ishte Ronaldo në Botëror nuk do të kishte as Portugali. Ylli i futbollit tregoi se e meriton gjithë famën dhe suksesin që ka. Në 5 gola të shënuar nga Portugalia në këtë botëror, 4 mbajnë firmën e tij. Por për suksesin e një ekipi nuk mjafton vetëm një person, qoftë ky edhe Ronaldo. Në të gjitha ndeshjet klasit dhe magjisë së tij i mungoi ekipi dhe mbështetja e lojtarëve të tjerë që pothuaj nuk ekzistonin në fushë ose ishin individualist. Ylli i Realit të Madridit e nisi turneun në mënyrën më të frikshme të mundshme duke shënuar një tripletë ndaj Spanjës, në një ndeshje të çmendur, e cil u mbyll në shifrat 3-3. Por tani ai ikën në shtëpi, për fajin e skuadrës.

Kurse Lionel Messi konfirmoi dje edhe njëherë “mallkimin” në Kupën e Botës, duke mos arritur që të udhëheq kombin e tij, që e mbyll në fazën e 1/8-ve në Rusi. Ishte gjithçka e vështirë, e parashikuar që nga faza e grupeve, teksa dje në “Kazan Arena” u detyrua të dilte me kokën ulur në shifrat 3-4 ndaj një Francë shumë të fortë. Ishte një skuadër që mezi kaloi fazën e grupëve.

Rozalb Lika

SHKARKO APP