Rroftë Udhëheqësi ynë i dashur, i partisë (PS) dhe shtetit, shoku Edi Rama!

Edi Rama erdhi Franca, si dikur Enver Hoxha. Ashtu mbërriti nga Marseja, dikur Enveri, pa shumë zhurmë. Dhe për pak mori Partinë Komuniste në dorë. Me pas dihet si shkuan punët. Edhe Edi u nis nga Parisi me ftesën e Fatos Nanos dhe natyrisht me ndërhyrjen e Ben Blushit. U bë ministër kulture, më pas me insistimin e kryeministrit të kohës Ilir Meta u kandidua për kryetar bashkie në Tiranë. Realisht në dy mandatet e para si kryebashkiak Edi Rama punoi, duke ndryshuar edhe politikën si fasadë. Edhe Enveri në dekadën e parë të pushtetit bëri disa punë, ndonëse me dorë diktatori qeverisi. Më pas dihet se si e vendosi “pushtetin e popullit”! Grupe armiqësore pa fund, koka të prera ku populli ishte i ftuar të shkruante letra për kuadrot e partisë. Gjithçka në emër të popullit!

Dhe shkonte mes popullit Udhëheqësi i Partisë, takonte, kuvendonte, qante hallet e Partisë dhe të shtetit me ta. Bënte plane pesëvjeçare dhe sa herë nuk kishte bukë për popullin shpikte “letra nga populli” dhe paloste grupin armiqsor të radhës. Populli ishte i kënaqur!

Tani nuk ka më letra me zarfe, si qëmoti. Ka facebook, email, sms! Pasi mori Partinë me rrënjë nga të Enverit, Edi Rama e transformoi krejt. E bëri të rilindur. Palosi “grupin armiqsor” të Ben Blushit, më pas “grupin armiqsor” të Koço Kokëdhimës. Nuk dihet cili do jetë “grupi armiqsor” i radhës, por me siguri Udhëheqësi ynë i Madh e ka në kokë se cilin do fundosë. Populli po shkruan dhe për popullin ai do sakrifkojë “grupin” e radhës. Mori pushtetin ekzekutiv me të gjitha mënyrat e mundshme. Po merr edhe drejtësinë brenda vitit. Opozitën kryesore tradicionale po e shkrin ndër veti, dhe me pas do i turret Presidentit.

Nuk mbetet gjë tjetër, por të fillojmë të brohorasim si ai plaku kur mori çertifikatën e legazimit: Rroftë Udhëheqësi Ynë i dashur, shoku Edi Rama!

Nuk keni parë gjë akoma!-E thotë vetë Udhëheqësi.

SHKARKO APP