Rrugë të tretë nuk ka!

 

Nga Dritan Hila/

Përplasja e fundit mes Fatmir Toçit dhe Koço Kokëdhimës në mbledhjen e zhvilluar të shtunën, është cipa e fermentimit që po ndodh në PS  në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

Fatmir Toçi është ndër botuesit e mëdhenj dhe seriozë të tregut shqiptar. Nuk njihet për egzibicionist dhe mban profil të ulët publik. Është promovues i traditës së majtë dhe i impenjuar për zonën ku është zgjedhur, e cila përveçse një bastion i Partisë Socialiste, është nga krahinat më të varfëra dhe izoluara të vendit. Nuk shquhet për ambicje të mëtejshme politike dhe as për protagonizëm, në kundërshtim nga debatuesi i tij Kokëdhima. Ky i fundit, në ndryshim nga Toçi, ka qenë gjithmonë sponsor i Edi Ramës dhe alteregoja e tij. Kokëdhima hyn në rradhën e atyre biznesmenëve të cilët politikën e shohin si mundësi për promovimin e interesave të tyre financiare. I rreshtuar në krah të Ramës qysh kur Rama kishte dilema se në cilën parti do të shkonte, Kokëdhima tani është shndërruar në një Rasputin të kryeministrit. Êshtë këshilltar dhe njëkohësisht thotë në publik ato të cilat Rama nuk mundet. Ndërkohë është laboranti i eksperimentit të ri për shndërrimin përfundimtar të PS në parti të Ramës. Ndër gjashtë prokonsujt që Rama ka emëruar në gjithë vendin, Kokëdhima është më i rëndësishmi jo vetëm për faktin se mbulon zonën nga e majta ka origjinën e saj luftarake, por edhe si hapësirë me perspektivë në investimet ekonomike. Nëse politikisht Kokëdhima ja del të shtrojë socialistët duke spastruar figurat e vjetra dhe emëruar dishepujt e tij, do të jetë një eksperiment funksional që do të aplikohet edhe në pesë njësitë që mbesin. Pas dhjetë vjetësh në drejtimin e PS-së, Edi Rama ende nuk ja ka dalë të bëhet pjesë organike e saj. Pavarësisht ndërrimit të kupolës apo memecëzimit të saj, nuk ja ka dalë të bëhet njësh me bazën. Nëse Kokëdhima ja del të fusë frymën e re, atëhere kjo parti bëhet përfundimisht ajo çka kryetari i saj ka kohë që do. Ndërkohë kërkesa e Kokëdhimës për shtyrjen e kongresit, tregon se operacioni nuk është aq i lehtë në terren. Toçi përfaqëson ndoshta pa vetëdije frymën tradicionale të PS-së, ku ndjesia e grupit, lidhja politike dhe njerëzore me elektoratin, përkatësia militante, janë motorri që e ka lëvizur këtë formacion politik. Fryma e debatit të lirë të trashëguar në këtë parti e ka çuar në përplasje me njeriun më të afërt të Ramës. Pas kësaj, Kutia e Pandorës është hapur. Njeriu i Ramës në Vlorë nuk ka ndërmend të tërhiqet jo vetëm për shkaqe politike, por edhe ekonomike. Së shpejti pritet të fillojë lëvrimi i kredisë së Bankës Botërote prej 1,2 miliardë dollarësh që do të shkojnë kryesisht për turizmin. Rama dhe Kokëdhima, jo më kot në bashkitë që mbulojnë rrypin bregdetar kanë pozicionuar njerëz të panjohur që thjesht do të firmosin letrat që ju çohen.  Këto fonde do të komandohen nga Kokëdhima i cili është mësuar të mbijetojë në bizneset e tij vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes në tenderat shtetërorë apo bashkiakë. Dhe ky është një argument i fortë për të nxjerrë nga skena frymën tradicionale të PS. Kokëdhimës nuk i duhen njerëz nëpër këmbë në prag të gostisë që pritet. Është nga ata që do ta hajë gjithë tepsinë i vetëm. Ndërkohë, mbetet të bëhet një llogari e fundit. Ajo me Vlorën. Qyteti të cilit ende nuk i është bërë Lungomarja, një copë rrugë prej dy kilometrash, por që është më e pakta në një krahinë ku punësimi nuk egziston dhe hapësira të tëra të kësaj zone janë njolla të errëta përsa i takon rrjetit rrugor. Dhe në një krahinë ku plagët e spastrimit të Arben Malajt dhe Shpëtim Gjikës ende nuk janë mbylluar, ti dhurosh vetes një përçarje të re, është një bast i madh i Edi Ramës. Por mesa duket ka ardhur koha të zgjedhë ndërmjet rrugës për shndërrimin përfundimtar të PS në distributor fondesh për bizneset e mëdha të afërta me të dhe sipërmarrje fitimprurëse apo përfaqësuese politike e fashës së popullsisë që tradicionalisht kanë votuar këtë parti dhe të cilët po kapin vitin e dhjetë të pritshmërisë. Tertium non datur (rrugë të tretë nuk ka) – thoshin latinët.

SHKARKO APP