Ruajeni fort “dëshmitarin” që të mos iu akuzojnë se “e zhduku qeveria”!
Partia Demokratike publikoi dje një video-dëshmi të Albert Veliut, personi që më parë ishte prezantuar nga selia blu si “Dëshmitari X” në audio-përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm, ku PS-ja deklaron se është mashtrim dhe i sajuar, bile edhe i paguar për të sajuar. Ky është materiali i dytë denoncues, ku sipas PD-së, jepen prova se vëllai i ministrit të brendshëm vijon të merret me trafik droge. Albert Veliu, 51-vjeç, pranoi se ka qenë më parë ka qenë i dënuar në Itali për trafik doge, por mediat botojnë se është dhe një hajdut makinash. Sipas pyetjeve që kishte hartuar PD-ja, Albert Veliut pranoi se e kishte futur ai në kurth Agron Xhafën, duke i kërkuar ta ndihmonte për t’u marrë me trafik droge. Arsyeja sipas tij është qejfmbetja nga vëllai i ministrit gjatë kohës që ka qenë në burg se nuk i “kishte dërguar asnjë paketë cigare”! Hakmarrje tipike shqiptare, por e sajdisur me mjeshtri nga kundërshtarët e ministrit Fatmir Xhafaj. Duket se dora provokuese e atyre që e kanë realizuar videon lidhet për të justifikuar audioinçizimin, i cili flitet se është i manipuluar.
Në të vertetë dora e këtij grupi që po nxjerr këto materiale të fabrikuara sipas Taulant Ballës, janë grupe kriminale dhe politikanë të PD të lidhur me krimin. Megjithatë informacionet janë se mund të jetë dhe një grupim politik nga radhët e PS-së që synon marrjen e karrikes së ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj. Ky grupim përdor PD-në. Megjithatë duhet që hetimet e prokurorisë ta sqarojnë të vertetën. Pas videos së re, Lulzim Basha tha se kjo është prova që fakton përfshirjen e ministrit dhe qeverisë në trafikun e drogës. Ndërkohë, në një deklaratë zyrtare Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla e cilësoi denoncimin e djeshëm të Lulzim Bashës, si provën se Partia Demokratike është kthyer në një organizatë mafioze kriminale që po cenon sigurinë kombëtare. Duke akuzuar Lulzim Bashën si ideatorin e këtij skenari që synon destabilizimin e vendit, Taulant Balla kërkoi që dëshmitari të merrej në mbrojtje nga policia, pasi sipas tij, me këtë PD që bashkëpunon me krimin “çdo gjë mund të pritet nga ana që e thirrën për të dhënë dëshmi të rreme”. Pra nënkuptimi mbetet se mundet që vetë PD-ja apo grupet kriminale që e inskenuan këtë lojë kundër ministrit, ta zhdukin apo vrasin “dëshmitarin” e PD-së, Albert Veliun. Dhe më pas të akuzojnë se e “vrau qeveria për të zhdukur provat”.
Ndaj ruajeni fort dëshmitarin! Gjithçka ndodh!
Video e publikuar dje nga PD, përveç se zbardh emrin e dëshmitarit synon të faktojë dhe vlefshmërinë e audios së mëparshme, ku vëllai i Fatmir Xhafaj, sipas PD-së, vijon të merret me trafik droge. Këtu është qëllimi politik për ta përlyer ministrin Xhafaj me akuzën se vëllai i tij vazhdonte trafikun e drogës edhe kur ministër është Xhafaj. Të gjitha këto janë nën këtë shërbim politik. Mos harroni se edhe në PS fërkojnë duart këto ditë, pasi kanë bërë gati, te një klub në ish-Bllok, edhe emrin e një ministrit tjetër. Bile ky emër që mbahet gati nga ky grupim thuhet se është “supërSajmir”.
Në të dyja materialet e PD ka jo pak pikëpyetje që lindin dyshime, ashtu siç ka dhe pikëpyetje për qëndrimin që po mban qeveria ndaj këtyre publikimeve. Opinionit publik po i serviren dokumente që ngrenë dyshime të forta për skandale, por përballë kemi vetëm një pjesë të së vërtetës. Dje në video doli një dëshmitar që ka qenë i dënuar për trafik kokaine dhe sado të vërteta që të thotë ai, akuza të tilla kanë nevojë për sqarime dhe verifikime. Për më tepër që profili i dëshmitarit të PD është shumë larg të qenit i besueshëm. Një njeri që njihet si alkoolist dhe ka probleme dhe borxhe financiare duket se është shumë i manipulueshëm në rrethana të ndryshme, shkruante TCH.
Ka akuza se edhe e kanë paguar që të flasë në këtë mënyrë, por kjo duhet verifikuar nga prokuroria. Përballë kemi PD-në dhe një ish-trafikant të alkolizuar, sipas TCH, që dëshmon kundër vëllait të ministrit. Seria e videove dhe akuzave për manipulime mund të vazhdojë pa fund nëse çështja i lihet në dorë Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Që situata të mos komplikohet më shumë se kaq, dikush duhet t’i thotë Prokurorisë së Përgjithshme që të mos shoh më “telenovela” në televizor, por të ndërhyjë urgjent. Asnjë dëshmi, përgënjeshtrim, apo denoncim nga PD, apo Qeveria nuk zbardh më asgjë, por vetëm sa e mjegullon situatën. Që qytetarët të kuptojnë se çfarë po ndodh duhet që Prokuroria dhe drejtësia të ndërhyjnë, sa nuk është vonë. Ka jo pak pikëpyetje për këto çështje dhe lista e atyre që duhen thirrur është e gjatë. Duke nisur nga dëshmitari që foli në selinë e PD, deputetët e PD që kanë bërë denoncimet, deri te vëllai i Fatmir Xhafajt nëse do të jetë nevoja. Edhe kryeministrit Rama dhe ministri Xhafaj. Deputetët e PD-së të cilët nuk pranuan të shkonin te prokuroria për të dëshmuar sipas ligjit duhen marrë me forcë. Dhe kushdo tjetër që nuk shkon në prokurori, kur ajo e kërkon.
Shqiptarët kërkojë përgjigje dhe të vërtetën e duan nga institucionet që e kanë për detyrë, jo nga selia e PD dhe as nga zyra e Edi Ramës. Ndaj më shumë se kurrë Prokuroria duhet urgjent, në mënyrë të ftohtë e profesionale të hetojë dhe të çojë para gjykatës ato ose atë që mashtron, kushdo qoftë.
Ai “dëshmitar” duhet ruajtur sepse paralajmërimi i Lulzim Bashës para dy ditësh se “mos zhdukni dëshmitarin” e ka një dreq oguri jo të mirë.