Sa vlen kafja me Dr Halimin?

 

Nga Andi Bushati.

Ndërkohë që kryeministri Rama shkon qytet më qytet dhe fshat më fshat për të treguar atë barcaletën e atij kryebashkiakut demokrat që kërkonte ta takonte në ilegalitet, kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës nuk po lë ditë pa e sfiduar. Njëherë thotë se e vlerëson Ramën si kryeministrin e tij, një herë tjetër se nuk i dëgjon akuzat që ai i bën, pasi i ka thjeshtë për fushatë dhe një herë tjetër se është i gatshëm ta takojë ditën për diell, për të ndarë mendime se si bëhet më mirë kryeqyteti.  Duke dashur ta zhvlerësojë deri në fund propagandën e kryeministrit, Halim Kosova,  jo vetëm që e ka ftuar kryeministrin për kafe, jo vetëm që ka deklaruar se do të bashkëpunojë me të nëse zgjidhet, por këtë po e bën me forcë dhe publikisht. Kushti i tij i vetëm për takim (pagesa e kafesë) duket se e bën edhe më të besueshëm insistimin e tij.

Kështu papritmas duke dëgjuar këta dy protagonistë të fushatës na krijohet një antitezë e pakapërcyeshme. Nga njëra anë Rama me këtë histori (që nuk dihet nëse është e vërtetë apo e sajuar) kërkon të vizatojë portretin e një opozite të mbyllur brenda katër mureve të saj, në kullën e berishizmit të palëkundur, që nuk njeh bashkëpunim por vetëm vasalitet, që nuk njeh duarshtrëngim por vetëm futje pas krahëve,  që nuk njeh partneritet në të mirë të publikut, por vetëm interesin e saj të ngushtë.  Në fakt ky perceptim për PD nuk është krejtësisht i gabuar. Gjithnjë ajo ka qenë një parti më e mbyllur ndaj shoqërisë, më e egër ndaj kundërshtarëve politikë dhe më e pritur për të dënuar njerëzit e saj që mund të flirtonin me armikun.

Por nga ana tjetër Halim Kosova duket sikur po e thyen këtë imazh. Dhe në këtë sfidë të tij, jo vetëm që nuk po kritikohet, por po pëlqehet nga PD-ja. Edhe më ekstremistët, ata që shajnë e mallkojnë dyshen Rama- Meta, ata që janë gati t'i vënë zjarrin jorganit për të djegur pleshtat e pushtetit, po e mbështesin pa kursim Kosovën. Po atëherë çfarë ka ndodhur? Eshtë bërë PD-ja më e hapur? Mos vallë modeli i Dr Halimit po krijon atë profil të ri, që Basha nuk pati këllqe ta ravijëzojë nga frika e Berishës?

Ky padyshim që do të qe një ogur i mirë. Por në fakt nuk është kështu. Po të shikosh deklaratat e liderëve kryesorë të opozitës, fjalori ndaj armikut është i njëjtë. Këto zgjedhje lokale ata po i trajtojnë si një referendum kundër klikës që i ka vënë popullit lakun në fyt. Si një mundësi për të shpejtuar rrëzimin e dyshes Rama- Meta. Si një plebishit që do të sanksionojë hakmarrjen ndaj keqqeverisjes.  

Po atëhere pyetja që shtrohet është: si ka mundësi që demokratët duan edhe gjuhën e Berishës dhe Bashës edhe atë të Dr Halimit? Si ka mundësi që ata të përqafojnë edhe mendësinë e udhëheqësve edhe atë të kandidatit jo politikan?

Për këtë kundërthënie ka vetëm një përgjigje: ata e pranojnë gjuhën e doktorit thjeshtë sa për fushatë. Si një mjet për t'i hedhur hi syve elektoratit gri. Si një truk për të mashtruar ata që qëndrojnë jashtë qerthullit të militantëve.

Përdorimi i kësaj gjuhe të dyfishtë po shndërrohet në tipar dallues të fushatave tona. Kështu bëri Lulzim Basha katër vite më parë kur la të kuptohej se për disa gjëra mendonte ndryshe nga Berisha. Kështu po bën Erion Veliaj, që megjithëse ka shtuar tonet kundër betonizimit të Tiranës, nuk guxon të thotë asnjë fjalë për masakrën që ka lënë pas në këtë qyteti shefi i tij. Kështu po bën edhe Halim Kosova i cili të vetmen vërejte për qytetin që po i lë paraardhësi ka fshirjen e bojës së vijave të bardha. Prandaj kjo gjuhë e dyfishtë nuk po zë vend. Njerëzit e kanë kuptuar se nuk mund të jesh tolerant dhe të bashkëjetosh me një parti që nuk e ndan këtë vlerë, se nuk mund të jesh kundër betonit dhe të himnizosh madje ta përmendësh edhe në spotet e fushatës, krijuesin e tij, se nuk mund të jesh edhe me qytetarët edhe njëkohësisht me ata që i kanë marrë frymën mjedisit tonë të përbashkët.

Pikërisht për këtë, ata po e refuzojnë këtë garë me gjasme. Pikërisht për këtë togljajëshi “janë thjeshtë rrena fushate” po dëgjohet gjithnjë e më tepër. Sepse publiku e ka kuptuar këtë lojë “me të hedhur” ndaj shkrimet në portale për fushatën janë më pak të ndjekurit, ndërsa emisionet televizive për të, më pak të shikuarit. Përpara këtij teatri pa probleme të vërteta, lexuesit dhe shikuesit kanë treguar se më shumë interesohen për të pasmet fallco të Gridës, për batutat e Majkos me fiq, apo për anekdotat e dr Halimit me lindje.  Ndoshta kjo është fushata që është marrë më pak seriozisht në çerek shekulli demokraci. Prandaj dhe ftesa për kafe drejtuar kryeministrit nuk është ndonjë çudi: ajo duhet parë në këtë prizëm. 

SHKARKO APP