Sa votues do të marrin pjesë në zgjedhjet e 21 qershorit?

 

Eduard Zaloshnja.

Në zgjedhjet e 2013-ës në Shqipëri, u regjistruan 1.72 milionë vota të vlefshme, ose 200 mijë vota më shumë se katër vjet më parë. Votat për partitë që u bënë pjesë e koalicionit “Berisha” në 2013-ën, në fakt, nuk u rritën – ato u pakësuan nga 740 mijë në 680 mijë (me një firo neto 60 mijë vota, prej të cilave 40 mijë, me gjasa, shkuan tek FRD dhe AK). Ndërsa votat e partive që u bënë pjesë e koalicionit “Rama-Meta” u rritën me 220 mijë, krahasuar me katër vjet më parë (nga 780 mijë në 1 milion, ku PS u rrit me 90 mijë vota dhe LSI me 110 mijë vota).

Me pak fjalë, rritja e numrit të pjesëmarrjes me 200 mijë në zgjedhjet e 2013-ës shpiegohet tërësisht me rritjen e votave për koalicionin Rama-Meta me 220 mijë. Dhe nga një projeksion që kam bërë para disa ditësh, rezulton se rënia e pjesëmarrjes në 21 qershor duket se do të vijë nga i njëjti koalicion (http://www.respublica.al/opinion/2015/03/27/projeksion-paraprak-i-votave-ne-61-bashkite-e-reja ). Konkretisht, votat për koalicionin e majtë, me gjasa, do të zbresin në 800 mijë dhe votat e koalicionit të djathtë do të mbesin 680 mijë. Në total, pjesëmarrja e votuesve të dy koalicioneve duket se do të jetë rreth 1.5 milion, pothuaj aq sa ishte në 2011-ën.

Por a do të ketë pjesëmarrës në votime jashtë koalicioneve?

Nga projeksioni i sipërpërmendur, rezulton se rreth 700 mijë votues janë gati të votojnë për një kandidat të pavarur, ose janë të pavendosur, ose janë të vendosur të mos votojnë fare. Në vartësi të kandidatëve jashtë koalicioneve që pritet të dalin, mund të kemi një rritje të pjesëmarrjes përtej 1.5 milion votuesve të dy kampeve kryesore. Në Tiranë pritet të kandidojë Gjergj Bojaxhi, në Shkodër pritet të kandidojë Vullnet Elbasani, në Fier pritet të kandidojë Albert Çaçi etj. Në qoftë se kandidatët jashtë koalicioneve arrijnë të motivojnë një pjesë të 700 mijë votuesve që nuk janë gati të votojnë për kandidatët e dy koalicioneve kryesore, pjesmarrja në 21 qershor mund ta shkojë mbi 1.6 milion.

Shënim: Në listat e zgjedhësve janë aktualisht 3.3 milionë votues, por 1.1 milionë prej tyre janë në emigracion.

SHKARKO APP