Saimir Tahiri iku, qeveria në pikiatë!
Pikët në publik për PS-në dhe qeverinë janë ndër më të ulëtat. Shkaktar i gjithë kësaj rënië në pikiatë është dosja Tahiri dhe Habilaj. Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama nuk kanë suprizuar as dje. Ashtu siç kishin deklaruar prej një jave, ata e mbrojtën Saimir Tahirin me vota në Kuvend dhe me avokati falas kundër akuzave të Prokurorisë. Në Parlament, socialistët dhanë 75 vota për të mos lejuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm që akuzohet për “trafik droge” dhe “korrupsion”. Ishte hapur mbështetje politike dhe praktike ndaj ish-ministrit, ndërkohë që kryeministri ka deklaruar se mbështet drejtësinë ndaj kujto. Por dje e dëmtuan drejtësinë. Mënjëherë ka ardhur reagimi i parë nga një autoritet i lartë i diplomacisë së SHBA. Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” thotë në mënyrë të qartë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe nuk duhet të ketë imunitetet nga veprimet e drejtësisë. Në pyetjen për Shqipërinë, ai nuk ndalet në raste të veçanta, por mbështet punën e Prokurorisë dhe Gjykatave.
“I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës”,- është shprehur diplomati Hoyt Brian Yee.
Megjithë presionin e fortë të opinionit publik, të medias dhe opozitës sërish socialistët qëndruan stoik në mosdorëzimin e ish-ministrit. Me votimin e djeshëm çështja “Tahiri” tashmë quhet e përfunduar për PS. Ish-ministri do të hetohet, por nuk rrezikon të arrestohet. Faza e parë e stuhisë te mazhoranca duket se ka kaluar. Por tashmë një tjetër problem po shfaqet në sfond. Derisa socialistët dhe qeveria zgjodhën të mbrojne Tahirin, gjithë akuzat publike të ish-ministrit tani rëndojnë edhe mbi qeverine. Bile mbi kokën e kryeministrit do vijnë stuhi nga përtej Atlantikut edhe më të mëdha se sa kritika e djeshme e Hoyt Brian Yee . Akoma stuhia është duke ardhur. Sa është nisur dhe po sillet mbi Oqean në drejtim të Tiranës zyrtare. Po kështu edhe nga Brukseli priten kritika.
Retorika e këtyre ditëve, investimi i fortë publik i Kryeministrit në këtë mbrojtje ka dhënë efekt të kundërt në opinion. Tahiri mund të dalë i pastër nga e gjithë kjo rrëmujë, por Qeveria “Rama” u bë pis dhe mori një njollë që do e ndjekë gjatë. Kur Rama zgjodhi të mbrojë Tahirin, bashkë me ish-ministrin, mori dhe përgjegjësinë për ato mëkate që dyshon prokuroria. Kjo është një kosto që Edi Rama e mori përsipër me vetëdije. Me dëshirë, apo i shantazhuar, kjo është një çështje tjetër. Sot përballë gjithë presionit te publikut, të bazës socialiste, opozitës dhe ndërkombëtarëve ndodhet Edi Rama dhe qeveria e tij.
Nëse Tahiri shpëtoi, Qeveria sapo ka nisur të ndjejë efektet e para. Sondazhet e shpeshta që Edi Rama bën për testimin e opinionit këto ditë i tregojnë se shqiptarët nuk e kanë ngrënë kollaj gjithë këtë histori. Në rrjetet sociale, janë edhe vetë votuesit e PS ata që “ja plasin në fytyrë” disa të vërteta lidhur me çështjen “Tahiri”.
Por jo vetëm rrjetet sociale. Edhe nga BE. Partitë Popullore Europiane dje dhanë sinjalet e para të kundërshtimit të fortë të qeverisë Rama. Kreu i PPE i kujtoi Kryeministrit se me këto presione ndaj drejtësisë nuk mund të hapen negociatat për Shqipërinë. Të tjera reagime të forta pritet në ditët në vijim.
Pas Tahirit, Edi Ramës i duhet të shpëtojë Qeverinë. Edi Rama mbetet i vetdijshëm se hovi, entuziazmi dhe projektet pas 25 qershorit, siç i ka menduar, nuk ekzistojnë më. Kështjella e tij po bie nga pak e përditë; për fajin e Sajmir Tahirit që ishte njeriu dhe ministri më i besuar i tij. Më shumë se ajo që ka ndodhur, kryeministrin Rama e shqetëson ajo që pritet të ndodhë në ditët në vijim. Të tjerë ministra përfliten të përfshirë në afera korrupsioni dhe lidhje me krimin. Nëse dosjet e korrupsionit dalin, një tjetër betejë publike me Prokurorinë dhe drejtësinë mund të trondiste jo vetëm ministrat që përmenden, por mund të shpartallojë gjithë qeverinë “Rama”.
Tashmë Edi Rama nuk është më ai Edi që ishte në ditët e pas 25 qershorit, kur fluturonte nga zyrat dhe dritaret ish-aleatët dhe këdo që i dilte në mendje. Tani rreziku mbetet se mund të fluturojë vetë.
Opozita po përgatit një plan nga ku zor se qeveria ia del të kap pranverën. Tamam muajt e fillimpranverës, kur arrestimet do jenë si orteqet në filma dokumentarë!
S.P.