Sali Berisha, pro Lulzim Bashës

Kanë mbetur vetëm pak orë nga nisja e procesit për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Demokratike. Nesër demokratët do të shkojnë në kutitë e votimit për të përcaktuar politikanin që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme. Lulzim Basha dhe Eduard Selami janë dy kandidatët që zhvilluan një garë jo të zakonshme në traditën e politikës shqiptare. Pavarësisht kritikave, mangësive dhe problemeve të procedurave të statutit të PD në këtë përballje, gara nuk mund të cilësohet farsë. Nëse shikon kritikat dhe fjalimet e Eduard Selamit, ka akuza ndaj Bashës dhe deklarata të forta që nuk mund të cilësohen si farsë. Në këtë garë nuk ka thjesht dy kandidatë, por dy modele dhe dy projekte të ndryshme. Ndaj dhe sado akuza të jenë bërë këto ditë ndaj Selamit, vetë ai arriti ti sjellë PD-së një model të ri në zgjedhjet brenda partisë. E mira e të mirave do ishte sikur të kishte edhe një tretë në garë nga grupi antiBasha. Atëhere po, do të ishte spektakolare përballja.

Në partitë shqiptare zgjedhjet brenda lloji bëhen jo pak herë sa për “sy e faqe”. Më emblematikja është përballja mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit, ku jo vetëm nuk pati debate, por nuk mbahet mend asnjë ndonjë kritikë ndaj njeri-tjetrit. Si përfundim, Rama fitoi me 93 përqind përballë “rivalit” me të cilin edhe në takime shkonte në të njëjtën makinë. Gara në PD nuk është e përkryer, por as që mund të krahasohet me modele të tjera ku rivali pas çdo fjalimi të ish-kryetarit thotë “amin”. Ndaj dhe përballja Basha-Selami nuk është false. Por si në çdo përballje do të ketë një fitues. Shanset për fitoren duket se janë më të mëdha për Lulzim Bashën. Sondazhet e brendshme të Partisë Demokratike dhe sondazhet e tjera të pavarura që janë bërë në bazën e demokratëve i japin një fitore bindëse Lulzim Bashës. Pavarësisht gabimit që bëri me 18 maj kur i besoi Edi Ramës, përsëri demokratët e duan lider të tyre. Aq më tepër se është edhe deputet e do kryesojë PD-në përballë PS-së. Ndonëse mendohet se LSI do jetë më radikale me kryeministrin e qeverisjen.

Ja përse të shtunën Lulzim Basha do jetë kryetari i PD-së:

Së pari, Basha është politikani, që pavarësisht humbjeve, ka krijuar modelin e tij në Partinë Demokratike. Ka ngritur një ekip dhe i ka dhënë PD-së formatin që ka menduar se i përshtet më mirë opozitës së re. Për demokratët Basha është në gjysmën e rrugës për të marrë pushtetin, pas 4 viteve të vështira në politikë. Nga ana tjetër, Selami është një njohës i mirë i politikës dhe me lidhje të rëndësishme në vendet perëndimore, por PD-ja nuk është më ajo e viteve ’90 kur Selami ishte drejtues. Ndryshimi i modelit drejtues në këto momente në PD mund të ketë pasoja në përballjet e radhës mes PD dhe PS. Zgjedhjet lokale nuk janë larg dhe nëse PD ende vazhdon me riformatime dhe ndryshime ekipesh drejtuese, sërish humbja do të jetë në derën e partisë. Ndaj duhet Basha.

Arsyeja e dytë që mund të çojë në fitoren e Bashës është mbështetje indirekte e Sali Berishës për Lulzim Bashën. Për një parti si PD dhe vetë historinë politike të së djathtës, qëndrimi i ish-kryeministrit Berisha është vendimtar për zhvillimet brenda selisë blu. Që nga nisja e garës në PD, Berisha nuk ka folur për kandidatët. Nuk ka komentuar qëndrimet e Astrit Patozit, Jozefina Topalli apo Ritvan Bodes, por as nuk ka dalë hapur në mbështetje të Lulzim Bashës. Nuk ka folur hapur as kur sherret dhe sulmet mes demokratëve kanë arritur kulmin. Është një qëndrim që e ka bërë më vetëdije të plotë, i bindur se pozicionimi i tij publik do të sillte automatikisht ndarjen e Partisë Demokratike. Ndaj i ka lënë ish të zgjedhurit të tij që të luftoj në një betejë politike, duke “folur” në heshtje. Dhe kjo heshtje e Berishës ka vetëm një kuptim, mbështetjen e plotë ndaj Lulzim Bashës.

Nëse Berisha do të ishte kundër një mandati tjetër të Lulzim Bashës, nuk do kishte pritur që të fliste Patozi, Topalli, Ruli, Bode dhe të tjerë. Ai do të ishte i pari që vetëm me një koment në Facebook do kishte tronditur jo vetëm Lulzim Bashën, por këdo tjetër në PD. Berisha formalisht është tërhequr nga drejtimi i PD, por të gjithë e dinë që demokratëve do t’u mjaftonte vetëm një sinjal nga ish-kryetari për të bojkotuar Bashën dhe për të rinisur garën ne PD. Berisha nuk e dha këtë sinjal dhe heshtja ndaj Bashës nuk mund të interpretohet ndryshe vetëm si mbështetje. Berisha do Lulzim Bashën kryetar në PD. Kjo është e padiskutueshme.

Sigurisht që ai është njohur me të gjitha ankesat, publike dhe jo publike të grupit anti-Basha. Madje vetë drejtuesit e këtij grupimi  kanë kërkuar reagimin e tij publik. Berisha ka zgjedhur që të mos futet në një spirale deklaratash, duke ruajtur dhe vetë grupin anti-Basha. Duke qëndruar në heshtje u ka dhënë mundësinë të gjithave palëve që të mos ndjehen të përjashtuara. Sepse nëse Berisha pozicionohej publikisht, grupi anti-Basha mund të mos kishte më vend në PD.

Në gjithë këto zhvillime në PD, kundërshtarët e Lulzim Bashës pyesin: përse Berisha po e mbështet Bashën? Berisha duket se nuk mendon vetëm për atë që ndodhi më 25 qershor, por atë që mund të ndodh me PD nëse nuk merr veten kjo parti politike. Basha është një investim politik i Berishës, madje investimi i tij më i madh. Bile direkt i tij. Nëse Bashën e rrëzonte pas humbjes së 25 qershorit, Berisha nuk shkatërronte vetëm karrierën e kryetarit, por gjithë të ardhmen e PD. Edhe investimin e tij.  Ndaj ish-lideri Berisha nuk po mendon vetëm për fatet dhe karrierat personale në PD, por për të ardhmen e së djathtës.

Lulzim Basha pas fitores duhet të ndërtojë patjetër marrëdhënie besimi dhe të lejojë fraksionet në PD. Grupi antiBasha duhet të jetë në kryesi, në këshillin kombëtar, kudo. Kështu PD-ja ringrihet dhe duket se Basha e ka këtë plan ripërtëritje të PD-së, duke patur afër ikonat e PD-së.

Nuk ka zgjidhje tjetër për PD-në. Ata janë me Sali Berishën. Dhe Berisha është me Bashën.

Zgjedhjet kanë mbaruar, realisht që pa filluar.

Qamil Xhani

SHKARKO APP