Sapo filloi…!
Opozita ka shpallur dje vendimin politik më radikal të marrë vitet e fundit kundër qeverisë. Duke nisur nga kjo javë, partitë opozitare kanë ftuar qytetarët që të mos paguajnë taksat e rritura nga qeveria “Rama” dhe të bllokojnë rrugët për të rrëzuar qeverinë. Thirrja është bërë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi pas mbledhjes së partive opozitare. Aksioni i ri vjen si përgjigje e opozitës ndaj qeverisë, pas protestës së dhunshme kundër taksës për kalimin në Rrugën e Kombit dhe arrestimit të protestuesve që e kundërshtuan këtë vendim.
Vendimi për mospagimin e taksave është pjesë demokratike e protestave, që njihen ndryshe si mosbindje civile. Me shpalljen e këtij aksioni opozitar, lufta politike në vend ka hyrë në një fazë të re, por nuk mund të bëhet asnjë parashikim sesi do të përfundojë përplasja. Në takimin e djeshëm të opozitës, veç mospagesës së taksave janë disktuar dhe forma të tjera proteste që do të vihen në zbatim gjatë ditëve në vijim. Nga ajo që Lulzim Basha deklaroi në mbledhjen me dyer të mbyllura me aleatët, periudha e paqes politike dhe sociale në vend duket se ka marrë fund. Bashkë me refuzimin e pagesave të taksave qytetarët do të ftohen nga opozita që të bllokojnë akset rrugore kombëtare. Duke marrë shembull nga ajo që ndodhi në Kukës ditën e shtunë, protesta të ngjashme do të zhvillohen edhe në qytete të tjera të vendit si Shkodër, Vlorë, Elbasan, Durrës, Korçë, Lezhë, Gjirokastër etj. Opozita deklaron se këto protesta nuk kanë synimin të jetë të dhunshme, por nuk do të merret leje nga policia për zhvillimin e tyre. Një zhvillim i tillë edhe pse nënkupton nisjen pa përplasje nuk e përjashton që tubimet të kthehen në një arenë “lufte” mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve. Ashtu nisi edhe në Rrugën e Kombit, e qetë në fillim dhe më pas djegie, përplasja, arrestime dhe konflikt civil.
Dje Lulzim Basha, në cilësinë e drejtuesit e partisë më të madhe të opozitës, refuzoi çdo formë kompromisi apo bisedimi me kryeministrin. Basha u shpreh se çdo komunikim institucional me qeverinë nuk ka më vlerë, për sa kohë që Edi Rama nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqje. Bashkë me taksat, Basha renditi dhe problemin e krimit, korrupsionit dhe vjedhjeve të buxhetit nga oligarkët. Sipas tij, “situata ka arritur në pikën ku njerëzit nuk mbajnë më dhe nuk po protestojnë për flamujt e partive”. Në të njëjtën linjë ishte dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Duke u bërë thirrje qytetarëve për mosbindje civile, kryetarja e LSI deklaroi se mospagesa e taksave është refuzimi i vjedhjes së xhepave të qytetarëve nga Edi Rama.
Ajo çfarë u prezantua dje nga krerët e opozitës është nisja e një “revolucioni opozitar”. Zakonisht mosbindja civile është forma e parafundit e përplasjeve. Më pas vjen kaosi nëse njëra prej palëve nuk tërhiqet. Historia nisi në Kukës dhe Edi Rama këto tre ditët ka zgjedhur të kërcënojë dhe arrestojë protestuesit. Ndërsa për kalimtarët e shpeshtë të rrugës Durrës-Kukës la të hapur mundësinë e rishikimit të taksës. Kaq duket se nuk mjafton. Nga Kukësi tymi i protestës është ulur këmbëkryq në Tiranë dhe ky është vetëm fillimi. Protestës së familjarëve të personave të arrestuar në Kukës dje iu bashkuan dhe artistët që janë kundër shkatërrimit të teatrit.
Sapo filloi “Revolucioni opozitar”! Priten zhvillime interesante në javët në vijim, ku skenarët janë për asfiksim të qeverisjes së Edi Ramës, deri në përplasje fizike me pushtetin e tij kriminal, siç thotë Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI ka folur mbrëmë para deputetëve të PD dhe LSI se “ne si LSI jemi gati ta rrëzojmë që tani, njëherë e përgjithmonë, Ramën nga pushteti me të gjitha format”.
Pranvera ka filluar me përplasje dhe nuk duken shenja të mira, sepse kryeministri as don t’ia dijë për PD-LSI. Burime nga selia rozë tregojnë nën zë se ai u ka thënë njerëzve të tij se “do ti shtypim këta miza opozitarë, të futur në çizme”.
Q.Xhani