Serbia mes Lindjes dhe Perëndimit

 Rezidenca e qeverise ne Beograd

Shumë politikanë ndërkombëtarë shkojnë këto ditë në kryeqytetin serb, Beograd. Në fillim të tetorit atje ishte presidenti rus Vladimir Putin, pasuan kryeministri francez Manuel Valls, kryeministrat e Malit të Zi dhe Rumanisë, si dhe princi trashëgimtar i Norvegjisë. Pastaj shkoi kryeministri shqiptar, Edi Rama, në kryeqytetin serb – një takim historik, sepse ishte vizita e parë e një kryeministri të Shqipërisë prej gati shtatëdhjetë vjetësh. Tani të dielën (16.11) shkon dhe ministri gjerman i Ekonomisë dhe Zëvendëskancelari, Sigmar Gabriel, i shoqëruar nga një delegacion i madh biznesi.

Gama e vizitorëve reflekton politikën ambivalente të jashtme serbe. Nga njëra anë Beogradi dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën dhe t’u tregojë zgjedhësve të vet se sa e rëndësishme është Serbia në skenën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë vendi dëshiron të prezantohet edhe si nxënës model i BE dhe si fqinj i mirë në Ballkan -në atë rajon, që konsiderohet si “fuçi baruti e Europës”.

Në këtë kontekst udhëtimi i Gabrielit në Beograd është më shumë se një vizitë pune e një ministri perëndimor të ekonomisë. Në Serbi sundon bindja se negociatat e pranimit të vendit në BE mund të fillojnë vetëm, kur Berlini të japë dritën e gjelbër. Po të ishte për dëshirën e Beogradit bisedimet mund të fillonin që në dhjetor.

Një rrugë e mesme e vështirë

Përpjekja për të mbetur neutrale në konfliktin midis Lindjes dhe Perëndimit është opsioni i vetëm i arsyeshëm për politikanët serbë, mendon gazetari dhe eksperti i Ballkanit Andrej Ivanji. Në të kaluarën miliardat rusë kanë shpëtuar Serbinë shpesh nga falimentimi. Kështu monopolisti shtetëror serb i naftës NIS iu shit për pak para kompanisë Gazprom, 800 milion dollarë mori Serbia për të rehabilituar hekurudhat e shkatërruara dhe vazhdimisht Moska ka dhënë kredi të lira për Serbinë, vetëm për të mbushur vrimat në buxhetin e shtetit. “Në këtë moment askush nuk është në gjendje të zëvendësojë prezencën ekonomike të Rusisë”, thotë Ivanji.

Në të njëjtën kohë Serbia ka nevojë për bashkëpunimin ekonomik me Brukselin, si dhe për investime nga BE. “Pa mbështetjen si nga Brukseli ashtu edhe nga Moska vendi do të përmbysej ekonomikisht”, thotë me siguri Ivanji. Vlerësohet se papunësia aktualisht është rreth 26 për qind, më shumë se gjysma e të rinjve nuk kanë punë. Në vend ka më shumë pensionistë se të punësuar, paga mesatare është rreth 400 euro neto në muaj. Puna në të zezë dhe korrupsioni lulëzojnë.

Edhe politikisht qeveria në Beograd përpiqet të krijojë një balancë në mes të lindjes dhe perëndimit. Në rastin e aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia kryeministri serb Aleksandar Vuçiç zgjodhi një rrugë të mesme: Serbia njeh sovranitetin e plotë të Ukrainës, por nuk do të bashkohet me sanksionet evropiane kundër Moskës. Ky pozicion është kritikuar nga disa politikanë evropianë. A lejohet një kandidat për anëtarësim në BE të bëjë një gjë të tillë? “Lejohet”, thotë i vendosur deputeti socialdemokrat gjerman, Dietmar Nietan. “Ne të gjithë e dimë situatën ekonomike në Serbi, si dhe marrëdhëniet e veçanta me Rusinë dhe kjo do të ishte hipokrizi, po ta masnim Serbinë nga mënyra se si vepron me Rusinë”, thotë Nietan për DW.

Nga perspektiva evropiane normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është shumë më i rëndësishëm. Ish-krahina jugore serbe shpalli pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme në vitin 2008, tani Kosova njihet si shtet nga më shumë se njëqind vende – por jo nga Serbia. Nën presionin e BE-së ka pasur disa bisedimeve mes udhëheqësve kryesorë të dy vendeve, ecjet përpara në pajtimin e dy vendeve janë bërë pikërisht nga armiqtë e dikurshëm. Së fundmi mes dy qeverive janë nënshkruar disa marrëveshjeve bilaterale.

Me pragmatizmin në çështjen e Kosovës Vuçiçi paraqitet në skenën ndërkombëtare si një politikan paqësor. Por vendin e tij ai e qeveris me autokraci. Ato pak media të pavarura e cilësojnë atë si pushtetar evropian të “putinizuar”, krahas Viktor Orbánit në Hungari, Rexhep Taip Erdoganit në Turqi, apo Viktor Pontës në Rumani. Ndër të tjera edhe ndaj gazetarëve kritikë në Serbi ushtrohet presion. “Shteti na tregon në këtë mënyrë, se nuk dëshiron hapësirë për kritikë shoqërore”, thotë Vukasin Obradovic, president i sindikatës më të madhe të gazetarëve të vendit NUNS. Synimi është që të trembin gazetarët”, thotë Obradovic në bisedë me DW.

Socialdemokrati gjerman Nietan pranon, se Vuçiç në Perëndim për momentin gëzon një lloj “bonusi për Kosovën”. “Kishte shqetësime të mëdha, nëse mund të kishte ngecje në marrëdhëniet me Kosovën me Vuçiçin. Tani ne kemi parë se Vuçiç bën pjesë te forcat konstruktive.” Megjithatë ky bonus nuk ekziston përgjithmonë dhe për të duhet të punohet, thotë Nietan – edhe në fushën e lirisë së shtypit, apo të sundimit të ligjit.

Gazetari serb Ivanji nuk është i bindur për këtë. Në Berlin apo Bruksel, thotë ai, Serbinë nuk e konsiderojnë të izoluar në vetvete, por si pjesë e rajonit. Aty Serbia luan një rol të rëndësishëm: Beogradi mund të qetësojë problemet në Kosovë, si dhe marrëdhëniet mes Bosnjës dhe Kroacisë. “Për sa kohë që Serbia luan rolin e faktorit të stabilitetit, çdo gjë tjetër do të jetë për evropianët më pak e rëndësishme – për shembull, nëse ekziston një opozitë, apo liria e medias në Serbi”, thotë Ivanji.

SHKARKO APP