SHBA: Korrupsioni po shkatërron ekonominë në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë publikoi dje studimin për klimën e biznesit në Shqipëri gjatë vitit 2019. Të dhënat e studimit tregojnë rezultate shokuese për ekonominë e vendit. Nga 100 pikë, vlerësimi i ekspertëve dhe anketave për Shqipërinë është vetëm 38 pikë. Kjo është rënia me e madhe që vendi ynë ka pësuar në tetë vite. Një rënie e tillë në vlerësim do të thotë se mundësitë për të bërë biznes jo vetëm nuk janë përmirësuar, por janë përkeqësuar si kurrë më parë.

Studimi i publikuar dje u mbështet dhe nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e cila e ka shpallur rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri si një prioritet të mandatit të saj në Tiranë. Duke shprehur zhgënjimin personal për problemet që vë në dukje raporti, diplomatja Kim bëri një apel për klasën politike duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri. “Fakti që situata politike doli në krye të listës së shqetësimeve tregon se shqiptarët janë të lodhur nga politika si zakonisht. Ata janë të dëshpëruar nga politika e të fajësuarit të tjetrit. Ajo që dëgjoj nga populli shqiptar është se ata duan të shohin udhëheqës që punojnë së bashku për hir të popullit. Duan që qeveria t’u ofrojë një mundësi pa frikë dhe pa korrupsion, një mundësi për të fituar më shumë para, për të arritur një standard të mirë jetese dhe për t’iu dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të mirë”,- tha ndër të tjera ambasadorja e SHBA.

Raporti i Dhomës Amerikane të Tregtisë  jep një panoramë të plotë të problemeve që ka ekonomia dhe shteti shqiptar. Arsyeja kryesore që dëmton bizneset e huaja që vijnë në Shqipëri është korrupsioni. Më pas renditen konkurenca e pandershme, ligjet e gabuara fiskale dhe situata e paqëndrueshme politike. Të gjitha këto arsye kanë si përgjegjës kryesore qeverinë. Këto probleme serioze të thëna në një raport të biznesit amerikan ku ishte e pranishme dhe Ambasadorja e SHBA, vlejnë më shumë se deklaratat apo qëndrimet e tjera për zhvillimet në vend. Korrupsioni, ligjet e gabuara, krimi i monopoleve dhe deri klima politika janë çështje që bazohen te modeli që ndjek qeveria. Në këto vite është fakt se asnjë biznes i madh i huaj nuk ka mundur të hyjë në tregun shqiptar. Edhe kur kompani serioze nga SHBA dhe BE kanë kërkuar të investojnë, ato janë përballur me korrupsion që në hapat e parë ose janë nxjerrë nga tregu në mënyrë të pandershme.

Raporti i publikuar dje nuk është thjesht një dokument që harrohet pas një dite. Çdo biznes amerikan dhe nga vendet e tjera të zhvilluara para se të vijë në Shqipëri do të marrë në shqyrtim këto të dhëna. Mesazhi që do të marrë prej tyre është i qartë. Në Shqipëri duhet të korruptojnë zyrtarët, të përgatiten për luftë me konkurentët që janë njerëz të qeverisë dhe në çdo moment qeveria ndryshon politikën e taksave duke u rrezikuar investimin. Në këto kushte, asnjë biznesmen i huaj serioz nuk do të marrë mundimin të hedhë sytë nga Shqipëria. Për këto arsye, sot Shqipëria renditet në vendin e fundit në rajon për zhvillimin ekonomik, me papunësinë me të madhe dhe me emigrimin më të madh të krahut të punës. Parashikimi i ekspertëve është se të gjitha këto probleme do të përkeqësojnë edhe më tej krizën ekonomike.

Ka vetëm një kategori biznesmenësh që po ja shohin hajrin modelit ekonomik të rilindjes. Këta janë oligarkët që falë lidhjeve me qeverinë garantojnë investimet e tyre dhe nuk lejojnë që bizneset e ndershme të hyjnë në treg.

 

SHKARKO APP