SHBA: Kriminelët, jashtë nga politika!

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u hoqi dje mandatin tre zyrtarëve të lartë. Dy deputetët, Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, si dhe kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi rezultuan se kanë fshehur nga formulari i dekriminalizimit dënimet të ndryshme që kanë marrë në disa shtete. Pas verifikimeve që bëri prokuroria për të kaluarën e tre zyrtarëve, rezultoi se ata nuk mund të mbanin më funksione publike, për shkak të veprave penale dhe dënimeve që kishin marrë.

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ju deshën dy ditë për të marrë një vendim të prerë për këtë raste. Kjo nisur edhe nga fakti se është hera e parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të zbatonte ligjin e dekriminalizimit, i cili u miratua një ditë më parë. Por nuk ishte vetëm precedenti që duhej të krijonte i cili vuri në vështirësi KQZ-në, pasi priten edhe 12 deputetë të tjerë që Prokuroria i ka gati në dosje për ti nisur në KQZ. Të tre zyrtarët kishin mbështetje politike nga të gjithë kampet dhe heqja e mandateve të tyre është dhe një gjest i pavarësisë së KQZ-së nga politika. Është dhe një tregues force ndaj partive se nuk duhet të vendosin kriminelë në lista deputetësh. Një pavarësi që ka ardhur pas garancisë që ka dhënë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit me çdo kusht.

Kjo mbështetje u duk edhe dje. Vetëm pak minuta pasi anëtarët e KQZ-së morën vendimin për mandatet e tre zyrtarëve, ishte Ambasada e SHBA ajo që e përshëndeti e para vendimin. Ndryshe nga partitë politike që në qëndrimet e tyre janë të kujdesshme të flasin për kriminelët e palës tjetër, në qëndrimin e SHBA, vendimi i KQZ-së cilësohet si fitore e qytetarëve. Teksa vlerësohet vendimi i KQZ-së, SHBA thekson se vendimi i djeshëm është “një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen më gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve”.

Me mesazhin e djeshëm SHBA kanë lënë të kuptohet se procesi i nxjerrjes së kriminelëve jashtë politikës do të vazhdojë me ashpërsi. Një qëndrim i tillë lë të kuptohet se procesi i dekriminalizimit nuk do të përfundojë vetëm me tre zyrtarët e fundit. Nga hetimet e Strukturës së Posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme për dekriminalizimin, rezulton se janë edhe të paktën 12 deputetë të tjetë që kanë probleme serioze me ligjin. Verifikimi i dosjeve të tyre ka nisur pas dorëzimit të formularëve të dekriminalizimit. Pas mbledhjes së të dhënave në rrugë zyrtare nga institucionet e shteteve ku dyshohet se kanë kryer krime, Prokuroria do të kërkojë heqjen e mandatit të ligjvënësve. Përveç deputetëve dyshohet se janë edhe 6 kryetarë bashkish që preken nga ligji i dekriminalizimit. Edhe për këto raste Prokuroria e Përgjithshme po ndjek të njëjtën procedurë si për deputetët. E njëjta strukturë e Prokurorisë do të angazhohet edhe në kontrollin gjithë kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhme.

Pas vendimit të djeshëm ka rënë miti i politikanëve të pathyeshëm. Është një proces që tashmë nuk do të ketë hapë pas. Nëse sot po shohim të ikin nga politika persona të pushtetëshëm, nesër do ketë edhe pranga për disa prej tyre. Një shembull i gjallë është deputeti Mark Frroku, i cili ndodhet në burg.

 Garanci për këtë nuk janë partitë dhe as institucionet tona që në çdo rast nuk harrojnë të bëjnë qoka politike. Garancia është Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadori Donal Lu. SHBA e tha qartë prapë: Larg nga politika kriminelët politikë dhe biznesmenët e kriminalizuar!

 

SHKARKO APP