SHBA mbështet paketën McAllester
Nga Spiten Prulli
Në Shqipëri ndodhet Hoyt Brian Yee, njeriu i dorës së fortë. Duket buzagaz, por në thelb është njeri i prerë dhe nuk toleron shumë kur flitet për demokracinë dhe interesat amerikane në Rajonin e Ballkanit. Ai dje shoi çdo lojë politike të liderëve të ndryshëm politikë, të cilët janë munduar ta përdorin vajtjen në Uashington si mbështetje për ta. Që në nisje të krizës politike në Shqipëri, opozita pas gjithë kritikave të ndërkombëtarëve që e kundërshtonin ka lënë të kuptohet se do të kishte mbështetje nga SHBA-të për kërkesat e saj. Dje SHBA foli. Zv/Ndihmëssekretarit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, përfaqësuesi më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për rajonin foli qartë në Tiranë dhe direkt, ashtu si pak diplomatë flasin. Në mënyrë kategorike SHBA nuk miraton bojkotin e zgjedhjeve nga PD. Gjithashtu, diplomati amerikan dha sinjalin se çdo tentativë për dhunë nga opozita nuk do të tolerohet. Ndërsa për zgjedhjet, nëse nuk arrihet një marrëveshje sipas paketës së zv/presidentit të PPE-së David Mekallister, diplomati tha se, nëse procesi do të jetë i rregullt, SHBA do t’i njohë edhe zgjedhjet pa opozitën. Në të gjitha qëndrimet që diplomati i SHBA-ve mbajti në Tiranë nuk kishte asnjë pikë, ku PD-ja mund të gjente mbështetje për bojkotimin e zgjedhjeve. Hoyt Brian Yee ndodhet në Tiranë si përfaqësues i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është zyrtari më i lartë i Uashingtonit për rajonin dhe kushdo nga opozita që thotë se diplomati nuk njeh realitetin në Shqipëri është vetëm duke e marrë më qafë Partinë Demokratike. Duhet të kenë durim të njohin mirë zotin, Hoyt Brian Yee! Mesa duket, ai do presë edhe sot PD dhe Kryeministrin Rama për gjetjen e një zgjidhjeje dhe më pas ka një deklaratë të fortë në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit për fajtorët politikë në Tiranë. Pas asaj deklarate zor se e marrin veten më Lulzim Basha dhe Edi Rama. DASH ka dërguar, Hoyt Brian Yee. Presidenti Trump dhe sekretari amerikan i shtetit Tillerson nuk do vinin vetë për të pajtuar Bashën me Ramën! Ata e kanë njeriun e tyre në Tiranë, që dje i takoi, por nesër mund të flasë dhe nëse ai bën deklaratë të fortë, ajo është deklarata e Trump dhe Tillerson. Ndaj mendohuni mirë zoti Basha dhe zoti Rama!
SHBA nuk erdhi me një paketë të re propozimesh, por kërkoi nga palët që të rinisin edhe një herë negociatat mbi paketën e prezantuar gati një muaj më parë nga zv/presidenti i PPE-së, David Mekallister. Paketa për të cilën PD-ja u pendua që e refuzoi 4 javë më parë është sërish në dorën e Bashës. David Mekallister sugjeroi që opozitës t’i jepen posti i zv/kryeministrit dhe 4 ministrave teknikë, të cilën do të propozohen nga Partia Demokratike. Gjithashtu, po sipas kësaj pakete, opozita merr kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një tjetër pikë e paketës është që Partia Demokratike ka të drejtë të bëjë propozime për lëvizjet në strukturën drejtuese të policisë, si dhe ajo që është më e rëndësishme, ndryshime në Kodin Zgjedhor për dënime të ashpra për manipulimin e zgjedhjeve. Pjesë e negociatave është shtyrja e zgjedhjeve, ku palët duhet të bien dakord për një datë të pranueshme brenda muajit korrik. Gjithashtu, PD-ja ka kërkuar dhe garanci për votimin elektronik, por kjo kërkesë duket se teknikisht është e parealizueshme në kushtet aktuale. Këto janë pikat kryesore, ku palët pritet të vendosin dhe ku kërkohet një përgjigje e prerë nga PD. Por duhet që edhe Edi Rama të jetë me fleksibël ndaj situatës së re politike. Ndryshimi nga negociatat e tjera është se këtë herë ka një afat kohor që s’mund të kalohet. Burime nga të dy kampet, PS dhe PD, thonë se zyrtari i lartë amerikan pasi ka kërkuar edhe një herë diskutimin e paketës Mekallister në takimin me Bashën dje në orën 16:00 i ka lënë 24 orë kohë kreut të PD-së. Ditën e sotme kryedemokrati duhet të japë një përgjigje dhe të vendosë se çfarë do të bëjë me opozitën dhe fatin e tij politik.
Pavarësisht qëndrimeve ekstremeve të palëve dhe disa kërkesave të PD-së që qëndrojnë, siç është çështja e kanabisit, ky është momenti kur Lulzim Basha duhet të tregojë se është politikan i përgjegjshëm. Paketa Mekallister ishte e favorshme për PD-në që kur u prezantua herën e parë. Basha e refuzoi dhe humbi shansin njëherë. Sot nuk duhet dhe nuk mund ta bëjë këtë gabim. Pa këtë marrëveshje PD-ja rrezikon jo thjesht të mos marrë pjesë në zgjedhje, por edhe të zhbëhet si forcë kryesore vendimmarrëse në vend. SHBA tha qartë dje se nuk e toleronte bojkotin dhe zgjedhjet do t’i njihte edhe nëse PD nuk merrte pjesë në to. Qëndrimi është i prerë dhe PD-ja nuk ka asnjë avantazh nga vazhdimi i bojkotit, përveçse dëmton veten. Nëse Basha refuzon edhe ofertën e fundit të SHBA-ve, ai personalisht, por edhe opozita rrezikojnë të penalizohen nga ndërkombëtarët. Kjo pasi me një parti që refuzon garën elektorale dhe rregullat e një shteti normal, edhe SHBA dhe BE, nuk kanë çfarë diskutojnë më. Por para së të vijnë pasojat, Basha ka ende në orë të ndryshojë rrjedhën e historisë së tij në PD, duke hyrë në zgjedhje dhe duke bërë garën me Ramën në fushatë elektorale dhe jo në çadër. Çadra e bëri punën e saj. Tani duhet që Lulzim Basha të marrë vendimin historik për PD-në: të futet në zgjedhje dhe t’i fitojë ato. Shanset i ka që t’i fitojë, nëse futet sipas propozimit amerikan.
Ka plot që duan ta marrin në qafë Lulzim Bashën. Madje, në PD janë më shumë, të cilët e nxisin që të mos futet dhe të kundërshtojë prapë zotin Hoyt Brian Yee. Ata duan kokën e Bashës. Ndaj lideri i opozitës duhet të mos prishë marrëdhëniet me SHBA-të. Nëse mendon për PD-në dhe veten, ai duhet të pranojë paketën europiane me insistimin amerikan, të cilën ia bënë prezent dje.
Lulzim Basha mos dëgjo servilët dhe ata që duan “kokën në tepsi” në selinë blu! Tregohu europian dhe amerikan në sjellje dhe në vizion!