SHBA:Arrestoni deputetët e inkriminuar

 

Raporti i publikuar dje nga Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikun e qenieve njerëzore e vlerëson Shqipërinë si vend destinacioni dhe burimi të trafiku të femrave dhe fëmijëve. Por veç kësaj, dokumenti i prezantuar dje nga Sekretari i Shtetit John Kerry, në pjesën për Shqipërinë jep edhe fakte më alarmante. Raporti thekson se në “Kuvendin e Shqipërisë është një deputet që më parë është dënuar për trafik qeniesh njerëzore”. Ndërsa thekson se shqetësim mbetet bashkëpunimi i zyrtarëve të policisë me strukturat e krimit. Kritikat vazhdojnë edhe me Policinë e Shtetit, për të cilën thuhet se “korrupsioni dhe lëvizjet e shpeshta brenda forcave të policisë pengojnë aksionet kundër trafiqeve”.  Ndërsa më tej, shtohet se “qeveria e Shqipërisë nuk plotëson minimumin e standardeve për eliminimin e trafiqeve, edhe pse po bën përpjekje”. Në renditje Shqipëria është futur në grupin e dytë, ku renditen qeveritë e të cilave nuk i përmbushin kriteret minimale për luftimin e kësaj dukurie, por po bëjnë përpjekje për t’i arritur

Këto elementë përbëjnë dhe kritikat më kryesore të dokumentit. Pavarësisht vlerësimeve pozitive që ka dhënë raporti për disa nisma të qeverisë, një deputet tutor prostitutash në Kuvend dhe zyrtarë të rendit që ndihmojnë trafikun, janë shuplaka më e rëndë që mund t’i jepet Shqipërisë lidhur me fenomenin e trafiqeve. Raporti, i cili është hartuar gjatë muajve të fundit nuk përmend emrin e deputetit. Zyrtarisht, akuzë për trafik ka pasur Mark Frroku, të cilit iu hoq mandati disa muaj më parë. Por nëse i referohemi dosjes së Frrokut, akuza ndaj tij në Belgjikë ka qenë për vrasje dhe jo për trafiqe. Ndaj duket se mesazhi i SHBA-ve ka qenë për një tjetër deputet, i cili ushtron normalisht funksionet e tij në Kuvend.  Ky është ndër rastet e para kur një dokument i SHBA-ve i referohet konkretisht një zyrtari me funksion të caktuar. Dhe nuk bëhet fjalë për një zyrtar të nivelit të ulët, por një ligjvënës.

Raporti thotë se gratë dhe fëmijët janë viktimat kryesore të trafikut në vendet fqinje dhe në vendet e Bashkimit Europian, por edhe brenda Shqipërisë ku shfrytëzohen seksualisht, për punë të detyruar apo për lypje. Të gjitha këto vërejtje të pasqyruara në një prej dokumenteve shohin me mosbesim dhe standardet aktuale të qeverisë. Sipas DASH, qeveria shqiptare nuk përmbush ende standardet minimale për të luftuar fenomenin. Madje dhe një Task Force e ngritur në vitin 2013 për të përmirësuar luftën kundër trafikut duke koordinuar punën mes policisë, prokurorisë dhe gjykatës nuk është mbledhur ende.

Raporti vjen në të njëjtën ditë kur kreu i qeverisë dhe ministri i Brendshëm prezantuan strategjinë e re për Policinë e Shtetit. Në dy vite janë bërë jo pak arritje në rend dhe në siguri. Janë fakte të padiskutueshme operacionet në Lazarat dhe në Dukagjin. Po ashtu, një element i efiçencës së Policisë është dhe ulja e numrit të vrasjeve në krahasim me vitet e mëparshme. Por duke renditur gjithë arritjet në fushën e sigurisë dhe duke i krahasuar me kritikat e SHBA-ve, rezulton se problem në vend nuk është krimi ordiner i rrugës, por trafiku ndërkombëtar i drogës dhe ai i qenieve njerëzore. E në këtë sektor të krimit, nuk operojnë njerëz të zakonshëm, por zyrtarë dhe njerëz të veshur me pushtet. Dokumenti i SHBA-ve është një sinjal për qeverinë se beteja me krimin nuk fitohet vetëm në rrugë, tek shpërndarësit e drogës, apo kapjes së disa tutorëve të vegjël në motelet e Tiranës. Këtu flitet për drejtues në strukturave shtetëore që dekonspirojnë aksionet dhe për njerëz të tjerë që kanë qenë të dënuar. Nga këtu, duhet të nisë lufta ndaj këtij fenomeni.

Më saktë duhet të nis nga salla e parlamentit me arrestime nga prokuroria për ato deputetë të cilët ditën hyjnë me kollare në parlament dhe natën veshin xhupin e zi për të vjedhur e trafikuar. Këtu fillon pastrimi,nga parlamenti.

Qamil  Xhani   

 

 

SHKARKO APP