SHBA:Bizneset e huaja po ikin !

Reforma në drejtësi nuk është një çështje që ka të bëjnë vetëm më gjykatat dhe largimin e të korruptuarve nga sistemi. Mbi të gjitha reforma është garanci dhe për zhvillimin ekonomik në vend. Në një takim të investitorëve të huaj në Tiranë, diplomatët perendimor kanë dhënë fakte skandaloze të abuzimeve që ndodhin në gjykatat shqiptare me bizneset e huaja në Shqipëri.

Zv/Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Muniz në fjalën e tij ka sjellë shembuj konkret sesi një sistem i kalbur i drejtësisë penalizon ekonominë e vendit, por edhe investitorët e huaj. Zv/ambasadori ka pyetur vetë bizneset e huaja për problemet që kanë në Shqipëri dhe përgjigja që ka marrë është se ata nuk e marrin më mundimin të shkojnë në gjykatë. Ai tha se kompanitë amerikane nuk shkojnë tek gjykatat shqiptare sepse nuk besojnë se çështja e tyre do të trajtohet me drejtësi.

“Kompanitë amerikane rrallë vijnë tek ne me çështje që kanë të bëjnë me gjykatat sepse politika jonë prej një kohe të gjatë ka qënë të mos përfshiheshim në çështje gjyqësore. Investitorët amerikanë e shmangin sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri sepse kanë humbur besimin tek ai. Kjo nuk është një shenjë aq shpresëdhënëse”,- tha zëvendësambasadori.

Presioni dhe klima e keqe e biznesit nuk ka qenë vetëm tre vite më parë, por rezulton edhe sot. Zëvendësambasadori ka sjellë shembuj konkret sesi një biznes amerikan që kërkonte të investonte një vit më parë 250 milionë euro në Shqipëri u largua nga vendi nga frika e gjykatave të korruptuara.

“Kostot e kësaj situate janë shumë të larta. Shqipëria humbet miliona dollarë në investime potenciale të huaja çdo vit për shkak të sistemit gjyqësor të dështuar. Vetëm vitin e kaluar ne kemi folur me shumë kompani, një prej të cilave kërkonte të investonte 250 milionë dollarë. Këto kompani kanë zgjedhur të investojnë gjetkë për shkak të frikës se nuk do të mund të kishin gjykim të paanshëm në gjykatat shqiptare”,- tha zëvendësambasadori amerikan.

Ky është një rast flagrant që denoncohet nga numri dy i ambasadës amerikane. Me një ekonomi në krizë, me investime që mungojnë prej shumë vitesh, Shqipëria për shkak të drejtësisë flak nga duart miliona euro investime. Ky sistem drejtësie nuk është bërë vetëm gangrenë për qytetarët shqiptarë, por edhe për të huajt. Diplomati amerikanë thotë se shprehja që dëgjonte nga investitorët e huaj është “gjykatat në këtë vend (Shqipëri) ekzistojnë që t’u shërbejnë të korruptuarve në kurriz të bizneseve të ligjshme”.

Denoncimet e bëra në fjalimin e diplomatit amerikan janë skandaloze dhe duhet të bëjnë të skuqet çdo gjyqtarë dhe politikanë që këto vite deklarojnë se mbështesin investitorët e huaj, por nga ana tjetër heshin përballë një situatate gati kriminale. Janë me dhjetra raste të bizneseve të huaja që vijnë në Shqipëri për të investuar dhe detyrohen të largohen për shkak të gjykatave, që nuk funksionojnë si pjesë e shtetit, por si gjobëvënës ndaj investitorëve serioz që kërkojnë rregulla të qarta loje. Është e kotë që qeveria të hartojë platforma për investime, të uli taksat, apo të krijojë situatë miqësore për biznesin e huaj. Sado që të këtë reforma ekonomike, kur gjykatat sillen si banditë me maska askush nuk do t’i hedhë sytë nga Shqipëria.

Në këtë situatë e vetmja zgjidhje është reforma në drejtësi. Jo një reformë vetëm për partitë, por për qytetarët dhe biznesin. Në këtë mënyrë Shqipëria do të jetë garanci për qytetarët, por edhe një vend që trajton në mënyrë serioze ata që duan të investojnë. Sa më shumë të zgjatet debati për reformën, me variante dhe drafte të sajuara në moment, aq më larg është integrimi në BE, por edhe agonia ekonomike do të vazhdojë. Bizneset e huaja jo vetëm nuk po vijnë më, por edhe ata që janë po shikojnë të ikin.

Thënia e zv/ambasadorit amerikan David Muniz kaq hapur dhe prerë është një alarm për krejt vendin, sidomos për politikën shqiptare e cila është në një pjesë të saj kryesore e kriminalizuar. Ndaj nuk e duan reformën në drejtësi. E mira e Shqipërisë e do që kjo listë politikanësh nesër, kur të miratohet reforma, të përfundojë në burg që të shpëtojë populli i thjeshtë.

 

SHKARKO APP