Sherr dhe përmbytje
Stuhia që ka mbërthyer gjithë territorin nga Veriu në Jug ka krijuar një situatë të paprecedentë emergjence në vend. Gjithë Shqipëria është gjendur dje nën reshje të dendura të ujit dhe përmbytje të cilat kanë shkaktuar dhe viktimat e para. Një punonjës i OSHEE, Sabri Vriga, humbi jetën teksa ishte duke riparuar një defekt elektrik në Fier. Ndërkohë në Shkodër tre elektricistë u plagosën rëndë duke tentuar të rilidhnin energjinë elektrike.
Deri në orët vona raportimet zyrtare për situatën mungonin. Por të dhënat në terren flasin për dëme të pallogaritshme. Dalja e lumenjve nga shtrati ka bllokuar mjaft akse rrugore në gjithë vendin. Zonat më problematike janë në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë, Gjirokastër, Durrës, Vlorë dhe Fier. Për herë të parë efektet e përmbytjeve u ndien edhe në kryeqytet. Autostrada Tiranë-Durrës u bë e pakalueshme deri në orët e vonë të natën, një ngjarje kjo e pandodhur më parë. Ndërkohë që thuajse gjysme e kryeqytetit ishte pa energji elektrike. Ndërkohë në Shkodër raportohet për disa hektarë të përmbytur. Meteoalb lajmëroi se gjatë natës se ditës së enjte do të jetë më dramatike situate.
Edhe pse ende nuk ka një llogaritje të dëmeve, situata më e keqe nuk ka kaluar. Lumenjtë Vjosë dhe Seman që zakonisht shkaktojnë dëmet më të mëdha në përmbytje, mbrëmjen e djeshme ishin në pikën kritike. Institutit i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, parashikon se reshjet mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj. Ekspertë të këtij instituti deklaruan mbrëmë se ditën e sotme pritet që Vjosa të dalë nga shtrati duke sjellë dëme të mëdha. Gjatë ditës së sotme dhe të shtunën, parashikimet meteorologjike parashikojnë shtim të reshjeve, gjë që nënkupton se situata do të përkeqësohet në disa qarqe të vendit, kryesisht në Fier, Vlorë, Gjirokastër, por edhe në Elbasan, Lezhë dhe Shkodër. Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje banorëve në zonat e rrezikuara që të largohen nga banesat. Në Gjirokastër kanë nisur evakuimet e para të familjeje që ndodhen afër lumit. Ndërkohë që në zona të tjera si në Fushë-Krujë banorët deklaronin mbrëmë se janë lënë në mëshirë të fatit, në pritje të përmbytjeve.
Ajo që bën më të rëndë situatën është fakti se e gjithë emergjenca dhe situata e kaosit ishte paralajmëruar. Prej disa ditësh shërbimet meteorologjike në vend kanë folur për përmbytje. Mediat kanë katër ditë që lëshuan alarmin. Ndërkohë edhe media greke paralajmëroi se në Shqipëri do të kishte reshje të jashtëzakonshme që do të sillnin përmbytje masive. Por si për çdo gjë tjetër, institucionet shqiptare kujtohen vetëm pasi uji ka hyrë në qytete.
I vetmi institucion shtetëror që reagoi i pari për atë që po ndodhte, si dhe kërkoi angazhim maksimal duke bërë thirrje që strukturat e emergjencave civile të punojnë në mënyrë maksimale ishte kreu i shtetit, Ilir Meta. Qeveria, deri në orën 20:00 të mbrëmjes kishte mbledhur vetëm sekretarët e përgjithshëm të ministrive për të diskutuar për situatën. Ministria e Arsimit pezulloi mësimin për ditën e sotme dhe me kaq quhej e mbaruar detyra e qeverisë. Ministrat, kryeministri dhe deputetët që duhet të ishin në ndjekje të situatës ishin të zënë me sherret në parlament. Deri në orën 20:30 të mbrëmjes çështja e përmbytjeve aq që ishte shqetësim për politikën. Edi Rama bënte batuta dhe ngacmonte Lulzim Bashën, ndërsa kreu i PD-së sulmonte dhe akuzonte mazhorancën për koncesionet dhe pastrimin e parave. Ndërkohë Tirana kish nisur të përmbytej dhe ishte pa drita. Mbetej vetëm që uji të hynte në sallën e Parlamentit që politikanët të kujtoheshin se Shqipëria ishte nën pushtetin e ujit. Më të rëndësishme se atë që po ndodhte në Fushë-Krujë, Shkodër, Gjirokastër e Vlorë politikanët kanë sherret dhe batutat para ekraneve.
Vetëm kur erdhën raportimet e para për një situatë me viktima dhe dëme të pallogaritshme kryeministri reflektoi duke kërkuar shtyrjen e punimeve të Kuvendit. Edhe këtë e bëri pas kërkesës së opozitës. Më vonë kryeministri urdhëroi deputetët të shkojnë në zonat elektorale pranë qytetarëve. Një vendim i duhur, por i marrë vonë në kohë.
Parlamenti u përmbyt nga sherri dhe llafet, kurse populli nga reshjet e shiut.
Q.Xh.