Sherr në PD, furtunë në PS
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike zhvilluan dje mbledhjet e para të grupeve parlamentare pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Takimi formal i përjavshëm i kryetarëve të partisë me të zgjedhurit në Kuvend, këtë herë nuk ka pasur mesazhe rutinë. Kreu i Partisë Demokratike paraqiti një listë me tetë emra bandash, që sipas tij kanë vjedhur zgjedhjet duke manipuluar rezultatin në favor të Partisë Socialiste. Por lajmi brenda grupit të PD-së nuk ishin argumentet e Bashës për parregullsitë, por përplasja mes mbështetësve të kryetarit dhe deputetëve që kërkojnë nga PD-ja të pranojë humbjen. Në selinë blu filluan lëvizjet e grupit “antiBasha”. Ndërsa në mbledhjen e deputetëve të PS-së, Rama ka dhënë sinjale të qarta për drejtorët e administratës në bashkitë ku rezultati nuk ishte i kënaqshëm. Veç drejtorëve, sinjale “të koduara”, Rama ka dhënë edhe për ministrat duke u paraprirë lëvizjeve të mundshme në kabinetin qeveritar. Dhe është i mirëpritur nga publiku nëse bën ndryshime të forta në Qeveri. Në një sondazh në ëëë.kohajone.com lidhur a duhet të bëjë ndryshime në Qeveri Edi Rama 86.7 përqind u shprehen se duhet të bëjë ndryshime urgjente.
Sherri në Partinë Demokratike
Në një fjalim të gjatë të kreut të PD-së, Lulzim Basha, u rreshtuan parregullsitë e zgjedhjeve. Sipas tij, rezultati i PD-së është i dobët për shkak të bandave, kriminelëve, blerjes së votës, presionit të administratës dhe një sërë parregullsish të tjera gjatë procesit zgjedhor. Me listën e gjatë të ankesave, Basha justifikoi rezultatin e votave që munguan në favor të opozitës. Por ndryshe nga Basha mendon ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli. Deklaratat që ka bërë publikisht për humbjen e PD-së, Topalli i ka plasur edhe në mbledhjen e deputetëve të opozitës. Sipas saj, zgjedhjet sollën humbjen e PD-së jo vetëm për shkak të parregullsive dhe presionit të mazhorancës. Pra ajo ka lëshuar shigjeta drejt kreut të selisë blu. Topalli ka kërkuar nga kreu i PD-së që të distancohet nga disa kryetarë të PD-së në degët lokale të cilët e kanë sulmuar gjatë ditëve të fundit për qëndrimet publike që ajo ka mbajtur për humbjen. Konkretisht, kreu i PD-së në Shkodër dhe në Durrës, kanë replikuar ashpër me ish-kryetaren e Kuvendit për tezën e saj se PD-ja humbi për shkak të keqorganizimit. Ankesave të Topallit u është përgjigjur deputeti i Kurbinit Mëhill Fufi, i cili i ka kujtuar ish-kryetares së Kuvendit se faj për humbjen ka ajo dhe drejtues të tjerë të PD-së, që kur ishin në pushtet zgjodhën në KQZ njerëz të cilët sot kanë dalë kundër PD-së. Përplasja e djeshme është vetëm një pjesë e debatit që doli nga mbledhja e mbyllur e Partisë Demokratike. Ndërsa sherri duket se është vetëm në nisje, duke krijuar dy grupe brenda opozitës; ata që shohin si shkak për humbjen mënyrën sesi Basha drejtoi partinë në dy vite dhe ata që janë pro Bashës e humbjen e shohin vetëm tek parregullsitë zgjedhore dhe blerja e votës nga bandat e dyshes Rama-Meta. Por kreu demokrat duket se ka vendosur të hap PD-në me shoqerinë civile dhe kjo është një shpresë e madhe për të fituar në vitin 2017.Duket se grupi “antiBasha” ndjehet keq se nuk do të jetë më në listat për deputet ndaj po hidhet në veprim të hapur pas 21 qershorit për ti bërë presion Bashës. Shenjat duken se lideri i PD-së do të ecë drejt një hapje të fortë me emra që kanë kredenciale publike, pra që të futen si kandidatë për deputet në garën e partisë kryesore të opozitës për ta rikthyer në pushtet.
Furtuna në PS
Për një pjesë të ministrave dhe drejtorëve të mazhorancës, pushimet e verës nuk do të jenë të qeta. Kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama paralajmëroi analizë të thellë për rezultatin e zgjedhjeve vendore. PS-ja ka fituar, por në disa bashki si Lezhë, Devoll, Përmet, Mallakastër, ku fitorja dukej e sigurt, e majta humbi. Nga ana tjetër në bashki si Vlora dhe Saranda, edhe pse PS-ja fitoi me kandidatë, rezultoi se socialistët janë pakësuar, ose nuk kanë marrë pjesë fare në votime. Faji për këtë rezultat u është faturuar drejtorëve të administratës, që kishin detyrë maksimalizimin e votave për Partinë Socialiste. Në Vlorë janë bërë “kurbanët” e parë në administratë. Sipas paralajmërimeve të Kryeministrit do të kalojnë në analizë të thellë dhe drejtorë të tjerë në të gjitha njësitë ku rezultati nuk doli siç pritej. “Për të gjitha zonat ku ka pasur rezultate të dobëta do të ketë përgjegjësi”, – mësohet të ketë thënë kreu i PS-së.
Teksa ka folur për drejtorët, Rama u kujtuar deputetëve dhe ministrave se pushimet nuk kanë filluar ende dhe se duhet të angazhohen për reformat në Parlament.
Edi Rama po përgatitet për ndryshime të forta në Qeveri, pasi ka përpara jo vetëm reformat më të mëdha se sa të këtyre dy viteve që ikën, porse po vijnë zgjedhjet politike parlamentare e nuk mund të shkohet me këtë kabinet e staf, sepse nuk dihet rezultati. Rama synon të marrë dhe një tjetër mandat si kryeministër për të vendosur shtetin e së drejtës kudo, siç thotë ai.