Sherri 10 milionë euro

Kreu i opozitës Lulzim Basha dhe Kryeministri Edi Rama janë “përplasur” dje në rrjetet sociale për investimet dhe shpenzimet e buxhetit të vitit 2017 për institucionin e Kryeministrisë.

Me anë të një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, kreu i PD-së, Basha ka bërë një akuzë jo të zakontë. Basha deklaron se Kryeministri Edi Rama ka parashikuar të shpenzojë 10 milionë euro për luksin dhe argëtimin e tij në godinën e Kryeministrisë. Videoja e postuar nga kreu i PD-së përshkruan se Rama do të ndërtojë një restorant personal në Kryeministri, një bar personal, madje dhe një sallë vetëm për të pirë puro dhe konjak. Detajet e kreut të PD-së vazhdojnë edhe më tej, teksa sqaron në video, se këto para do të përdoren edhe për një sallë masazhi dhe fizioterapie, një sallë kinemaje, një sallë basketbolli. Mesazhi i Bashës mbyllet me fjalinë: “Buxheti 2017 është për qejfin e Kryeministrit, jo për hallet e njerëzve”.

Përballë kësaj akuze të egër, kreu i qeverisë nuk mund të rrinte në heshtje. Po në rrjetin sociale Facebook, Kryeministri Rama duke postuar edhe akuzat e Bashës njëkohësisht ka bërë një reagim të ashpër ndaj kreut të opozitës. Kryeministri e cilëson qëndrimin e Bashës si një tallje me njerëzit dhe lojë të pacipë gënjeshtrash nga opozita.

“Kur gënjeshtra i ka këmbët e gjata dhe fytyrën mbuluar me maskën tallëse të pafytyrësisë, shumëkush e ngatërron gabimisht me politikën; në fakt është vetëm pengmarrja e politikës për qëllimin më të ulët, synimin e pushtetit duke helmuar e çoroditur sa më shumë njerëz, në një përpjekje të harbuar për të asgjësuar shpresën përmes asgjësimit të të vërtetave, shkatërrimit të provave, zhdukjes së fakteve! Ja një shembull fantastik i politikës si tallje me njerëzit, si shprehje ekstreme e vulgaritetit, si lojë e pacipë gënjeshtrash në mungesë të një vizioni, programi, lidershipi e skuadre, që duhet t’u ofronte shqiptarëve alternativën e opozitës për ta bërë më të mirë atdheun e përbashkët…”,- shkruan Rama në reagimin e tij.

Shifra e përmendur publikuar nga kreu i opozitës është e pazakontë. 10 milionë euro është një shumë marramendëse që do të krijonte habi te kushdo që njeh situatën në të cilën jeton shumica e shqiptarëve. Argumentet që justifikojnë shifrën me “dhomë për puro” dhe “restorant personal” po ashtu janë të rrallë dhe jashtë çdo sensi mase apo përfytyrimi, por këto janë vetëm pretendime të opozitës.

Afrimi i fushatës zgjedhore po nxit  deklarata bombastike me miliona dollarë që fluturojnë nga dora e Qeverisë për shpenzime qejfi. Vetëm se qëndrime të tilla të bëra pa pikë përgjegjshmërie nga opozita mund të sjellin humbjen e seriozitetit të saj. Aq më tepër kur deklarata të tilla shpërndahen nga vetë kreu i Partisë Demokratike dhe opozitës, Lulëzim Basha. Një anëtar i forumeve të Partisë Demokratike mund të kuptohet kur bënë deklarata me imagjinatë të zhvilluar. Mund të kuptohet edhe kur ndonjë deputet i opozitës nis dhe flet për shifra haluçinante dhe skenarë fantastiko-shkencorë të zhvillimeve politike. Por është pak absurde kur qëndrime të tilla bëhen nga vetë kreu i Partisë Demokratike. Sepse është absurde të mendohet që Kryeministri po shpenzon 10 milionë dollarë për kolltukun e zyrës dhe tavolinën, ku do të pijë konjakun. Nëse do të ishte e vërtetë ajo çka thotë Basha atëherë duhet të ngrihemi të gjithë me shkopinjtë në krah dhe të rrahim publikisht Kryeministrin e vendit.

Në politikën shqiptare është bërë modë që të tolerohet ekzagjerimi që bëhet me akuzat ndaj kundërshtarit. Deklarata e djeshme e Bashës edhe pse u përgënjeshtrua nga Kryeministri Edi Rama, u përsërit në rrjetet sociale edhe nga deputetë dhe figura të tjera të Partisë Demokratike.

Lulzim Basha duhet t’i faktojë këto akuza dhe po qe se i del fjala e tij atëherë nuk ka më vend për Edi Ramën në atë Kryeministri. Por edhe fantazisti më i madh i kohëve moderne do ta kishte të vështirë të fantazonte një skenar të tillë siç shpërndau dje PD-ja.

Megjithatë mbetet të presim, sepse ka edhe një fjalë “Never say never” (Kurrë mos thuaj kurrë).

Qamil Xhani

SHKARKO APP