Sherri për Numrin 71
Shkarkimi i ministrit Ylli Manjani nga Kryeministri Edi Rama ka shmangur, momentalisht, valën e akuzave të forta brenda maxhorancës, por jo skemat dhe lëvizjet taktike. As luftën e bërrylave. Nga qëndrimet parimore palët tashmë kanë kaluar në llogaritë e thjeshta politike. Llogari që nisin dhe përfundojnë tek numri magjik që garanton shumicën qeverisës 71 deputetë.
Gjithë çfarë ka ndodhur këto tre ditë ka shumë pikëpyetje në publik. I vetmi që pranoi të flasë hapur, për më shumë se dy orë me gazetarët ishte Ilir Meta. Ndryshe nga Kryeministri që nuk ka dhënë asnjë përgjigje publike për shkarkimin e Manjanit, sherri me LSI-në, akuzat ndaj Tahirit etj., Ilir Meta dje nuk hezitoi të flasë hapur për asnjë prej çështjeve që ndajnë qëndrimet në koalicion. Shpresohet që Edi Rama të flasë sonte te emisioni i Ilva Tares në “Oranevvs”.
Në komunikimin e kreut të LSI-së me gazetarët ka një moment që sqaron gjithë qëndrimin e kësaj force politike në raport me PS-në dhe qeverisjen e vendit.
“LSI nuk është një parti klienteliste dhe nuk është shtojca e askujt, as ka qenë, as ka për t’u bërë. Nëse sot Kryeministri Edi Rama konfirmon 71 mandate në mënyrë legjitime apo jo, pra se i ka për të qeverisur Shqipërinë, LSI-ja del në opozitë që tani. Nëse më 19 qershor, Edi Rama apo Lulzim Basha konfirmojnë 71 mandate, LSI-ja do të jetë në opozitë, sepse vendi nuk ka nevojë për një LSI shtojcë të asnjë lloj maxhorance”,- u shpreh kreu i Kuvendit dhe kreu i LSI-së.
Deklarata e Metës ka brenda saj qëndrimin parimor të marrëveshjes, por edhe sfidën ndaj PS-së që në zgjedhjet e fundit nuk arriti të merrte dot numrin e duhur për të pasur shumicën parlamentare.
Mesazhi i Metës për numrin 71 ka vënë në lëvizje Kryeministrin Edi Rama dhe gjithë kupolën drejtuese të Partisë Socialiste. Pasdite e djeshme, Kryeministri thirri një mbledhje urgjente të Kryesisë së PS-së, ku temë kryesore ka qenë marrëdhënia me LSI, shkarkimi i ministrit Manjani dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme. Nuk ka vonuar dhe Kryeministri i ka kthyer përgjigje Metës për numrin 71.
Televizioni “Top Channel” u referohej dje burimeve nga mbledhja urgjente e kryesisë së PS-së, ku Rama citohet të ketë thënë se PS-ja i ka 71 vota deputetësh në zgjedhjet e ardhshme, edhe pa LSI-në. “Deklarimi më i rëndësishëm, në mbledhjen e Kryesisë socialiste, i kryeministrit duket të ketë qenë pikërisht mbi shifrën 71, në të cilën mbështeti argumentin e tij më herët Ilir Meta. Sipas Edi Ramës, me votat e vitit 2013 dhe ndarjen aktuale të mandateve, “Partia Socialiste merr 69 deputetë po të jemi në koalicion me LSI, PDIU, FRD”. Por sipas Edi Ramës, koalicioni merr 71 deputetë nëse LSI del veç, sepse e tillë është formula”, – raportoi dje “Top Channel” duke cituar fjalët e Ramës në mbledhjen e Kryesisë.
Pas kësaj sfide që Rama ka hedhur drejt aleatit të tij çështjen e 71 mandateve, Kryeministri ka dhënë edhe disa argumente që synojnë të zbusin efektin e “bombës”. “Top Channel” raporton se, “sipas Kryeministrit, aleanca me LSI-në krijon një maxhorancë solide reformash, jo thjesht një maxhorancë numrash dhe reformat e jo numrat janë arsyet e koalicionit me Metën”.
Pavarësisht se në fund e cilëson aleancën me LSI-në strategjike, deklarata e Ramës në mbledhjen e Kryesisë, edhe pse jo zyrtare, por e dalë me “burime” në media, është sfidë ndaj LSI-së. Në një farë mënyre, Rama ka thënë se nuk ka më nevojë për LSI-në, pasi i bën 71 vota me Shpëtim Idrizin dhe Bamir Topin. Por nga ana tjetër shton se LSI-ja i duhet për reforma të mëdha.
Tani mbetet që Rama ta sqarojë vetë publikisht, pa burime në media, nëse i duhet apo jo LSI-ja. Sepse Meta vetë e dha përgjigjen, në momentin që Rama i siguron 71 vota, është gati të dalë dhe në opozitë.
Ndonëse disa sondazhe ekstremisht të majta e nxjerrin Ramën me 71 mandate vetëm me PDIU-në e Shpëtim Idrizit dhe FRD-në e Bamir Topit, e vërteta te votuesit e thjeshtë është krejt ndryshe. PS-ja me zor mund të arrijë e vetme 61 mandate, ndonëse eksperti socialist, matematikani Koço Kokëdhima deklaron se PS-ja as 60 mandate deputetësh nuk merr vetë si parti. Edhe nëse i fryjnë me pompa partitë e tjera, prapë më shumë se katër mandate nuk marrin.
Kokëdhima thotë se socialistët janë zhgënjyer. Ai lëshoi një akuzë të fortë kur tha se: “Në vitin 2013, populli ynë pati shumë shpresë te Edi Rama. Sot, shumë socialistë dhe qytetarë të thjeshtë, mendojnë se Edi Rama është si Saliu, u soll me pushtetin njësoj si Berisha. Shumë nga ata që votuan Ramën dhe koalicionin tonë në zgjedhjet e shkuara, ndihen thellësisht të zhgënjyer, siç janë ndier të zhgënjyer prej liderëve të tjerë politikë më përpara. Përse përfundojnë në këtë lloj zhgënjimi votuesit tanë? Përse të gjithë këta liderë sillen njësoj me pushtetin dhe me popullin tonë? Arsyen duhet ta kërkojmë te deformimet e sistemit, te partitokracia që vetë Rama dhe Berisha kanë ndërtuar e konsoliduar në Shqipëri”.
Por ka një zgjidhje PS-ja: t’i blejë me hashash dhe t’i vjedhë! Por kjo është zgjidhje si zgjedhjet e 26 majit 1996 të Berishës së I-rë, ku më pas erdhi viti 1997.
Kjo mbetet zgjidhje pa zgjidhje, pasi rrëmuja kaplon vendin.
Gjithsesi, duket se PS dhe LSI po luajnë lojë nervash, pasi pa njëra- tjetrën nuk bëjnë dot numrin magjik 71.
Qamil Xhani