Shkruan Edi Rama:Fort i dashur Manuel Valls,

Shqiptarët po e përjetojnë me dhimbje dhe me revoltë të patregueshme ndodhinë e sotme në zemrën e qytetërimit europian të lirive e të drejtave të njeriut. Jam i bindur se megjithatë, askush nuk mund ta përjetojë dhimbjen për plagën e hapur sot siç e përjetojnë vetë francezët, prandaj lejomëni, i nderuar Kryeministër, t’Ju shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin më të ndjerë të Shqipërisë ndaj Francës.

Kjo është një plagë e hapur barbarisht për të tmerruar Francën, Europën, popujt e lirë të botës sonë demokratike dhe për të na imponuar braktisjen e pamundur të vlerave të kësaj bote që Franca aq solemnisht i mishëron.

Por jam i sigurt se goditja barbare e një monumenti të gjallë të moralit të lirisë si Charlie Hebdo dhe marrja e jetëve të pafajshme të gazetarëve të talentuar të një gazete të mirënjohur franceze, do rrisë vetëdijen e të gjithë popujve tanë për pasurinë e jashtëzakonshme njerëzore që qytetërimi ynë përfaqëson. Do të rrisë frymën e lirisë e të vëllazërimit mes të gjithë popujve të botës demokratike. Do të rrisë përpjekjen e përbashkët dhe pa asnjë iluzion të të gjithëve ne kundër errësirës terroriste, në këtë përballje të egër ku edhe Shqipëria e vëllazërisë fetare dhe e përkatësisë pa asnjë ekuivok në krahun e duhur të historisë, do të vazhdojë të luaj vendosmërisht rolin e saj.

Duke Ju uruar që të gjeni forcën e jashtëzakonshme për ta përballuar sfidën kolosale ku e sotmja e ka venë Francën dhe Ju personalisht, si kreu i qeverisë së saj, lejomëni Zoti Kryeministër, që bashkë me ngushëllimet e mia, t'Ju përcjell edhe ndjenjën e miqësisë më të sinqertë.

I juaji gjithmonë

Edi Rama

SHKARKO APP