Shpërblimet, gjysma-gjeli i qeverisë për pensionistët
Qeveria miratoi dje shpërblimet e fundvitit për pensionistët. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha për gazetarët se skema e shpërblimit do të jetë e njëjtë me atë të aplikuar disa vite më parë. Kategoritë që përfitojnë janë pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Ndërkohë që për herë të parë qeveria ka vendosur të shpërblejë dhe kategori të veçanta e profesionistë të suksesshëm. Akti normativ i qeverisë, sipas zyrës së Shtypit të Kryeministri, për shkak të ngarkesës së mbledhjes së qeverisë do të publikohet me detaje ditën e sotme. Por në bazë të deklaratave të Ministrit të Financave dhe të vetë Kryeministrit pjesa më e madhe e përfituesve janë pensionistët.
Konkretisht janë rreth 560 mijë pensionistë në gjithë vendin të cilët do të marrin nga 20 deri në 30 mijë lekë të vjetra shpërblim. Për pensionistët kryefamiljarë, për familjet me ndihmë ekonomike dhe aftësi të kufizuar, 30 mijë lekë (të vjetra). Ndërsa për pensionistët e tjerë do të jetë 20 mijë lekë (të vjetra). Veteranët dhe për ish të përndjekurit mbi 60 vjeç, masa e shpërblimit do të jetë 50 mijë lekë (të vjetra). Sipas Ministrit të Financave do të shpërblehen të gjitha familjet e policëve të vrarë dhe të ushtarakëve në misionet jashtë Shqipërisë, shpërblimi 100 mijë lekë (të vjetra). Ndërsa trupa mësimore e 10 shkollave të vlerësuara si të parat në klasifikimin e maturave, do të marrin nga 400 mijë lekë (të vjetra). Gjithashtu, të gjithë nxënësit e shkëlqyer të Shqipërisë me 50 mijë lekë (të vjetra). Për studentët e shkëlqyer shpërblimi do të jetë me 50 mijë lekë (të vjetra). Një tjetër kategori që përfiton janë dhe mjekët. Sipas planit të Qeverisë, tre shërbimet më të mira shëndetësore në Shqipëri me 400 mijë lekë (të vjetra).
Shpërblimi për nxënësit e shkëlqyer dhe profesionist rezulton të jetë një risi pozitive e qeverisë, pasi në këtë mënyrë nxitën konkurenca pozitive dhe jepen modele suksesi në shoqëri. Është nga ato raste kur institucionet nxisin të rinjtë në shkolla dhe profesionistët në shërbimet publike që të punojnë më mirë pasi dhe shpërblehen në fund të vitit.
Por kur vjen puna te shpërblimi i pensionistëve, duket se shuma e vendosur është shumë larg realitetit shqiptar. Është bërë traditë që shpërblimet e fund vitit shihen si një ndihmë të cilën qeveria e jep për kategorinë më në nevojë. Sado të jetë shuma e shpërblimit, gjithmonë ajo mbetet simbolike, ndaj shpesh herë këto shpërblime janë quajtur si para për gjelin e fundvitit. Në Tiranë dje një gjel kushtonte nga 5 mijë lekë deri në 100 mijë lekë të vjera. Me shumën që u ka dhënë qeveria pensionistëve kryefamiljarë 30 mijë dhe pensionistëve të tjerë 20 mijë lekë edhe gjysmën e gjelit zor se e marrin dot. E njëjta gjë vlen dhe për familjet në nevojë.
Qeveria nuk mund të mbajë gjithë popullsinë me shpërblime dhe me dhurata fundviti, por deri dy vite më parë Kryeministri Rama deklaron se janë 1 milion të papunë. Në këto vite të qeverisjes së majtë nuk rezulton se janë punësuar shumë nga ata 1 milionët, ndaj dhe skema e shpërblimeve mund të ishte më e madhe sesa ajo që ka përfshirë Cani në draftin paraprak.
Por skema e shpërblimeve ka dhe një problem tjetër. Vendimi është marrë dje nga qeveria dhe do të zbardhet sot. Në dy ditë zyrtare është vështirë që të shpërndahen shpërblimet për gjithë kategoritë që përfitojnë. Ndaj qytetarët që përfitojnë do të marrën paratë e premtuara nga qeveria në fund të muajit janar. Qëllimi kryesor për të cilin jepen këto para ka të bëjë me festat e fundvitit dhe krijimi i mundësive që dhe qytetarët në nevojë të festojnë si gjithë të tjerët. Nga kjo pikëpamje, qeveria është kujtuar vonë për ti shpërndarë këto para, ndonëse përsëri meriton falenderim. Sigurisht, më shumë se mangësi e Qeverisë kjo është një mosrakordancë e Ministrisë së Financave, si institucioni që paraqet projektin dhe ja çon Këshillit të Ministrave për Miratim. Ose Edi Rama po fillon të kopjojë nga parardhësi i tij Sali Berisha. Të paktën ai e jepte gjelin e plotë në fundviti, pavarësisht keqqeverisjes së mandatit të dytë kryeministror.
Por, prapë nuk është keq; një gjysma-gjel do jepet. Ndërkohë ka me tepër rëndësi që vitin e ardhshëm qeveria të fillojë të hap fronte pune ku të punësohen mijëra vetë, ku të krijohen të ardhura që të ulen taksat, ku të ketë shpresë se mund të rregullohet ky vend, ku administrata të jetë efiçente e jo me shumë kalamanjë që mbushin listat e deputetëve të PS-së që të futen në punë.
Gjithsesi nuk është keq kjo që u dha, pasi edhe mund t’i linte pa gjë!
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=5ztcAADw2Tg” width=”560″ height=”315″]