Shqipëria ka nevojë për një duel televiziv Ilir Meta-Edi Rama-Lulzim Basha
Nga Nikoll Lesi
Shqiptarët po dëgjojnë në këto ditë fushate gjithçka: premtime, fjalë, rrena, barcoleta, akuza, presione, sharje mes ish-miqve, qeveri treshe, ku nuk ka opozitë. Një vend pa opozitë, edhe në zgjedhje, është një fatalitet kombëtar.
Sejcili, për qejfin e tij, thotë atë çka do. Populli përtyp, por i bllokohet stomaku, pasi janë përzier sëbashku në një kazan PS-LSI-PD. Edi Rama ka filluar një fushatë të qetë në dukje, ndonëse zien nga inati ndaj LSI; Lulzim Basha ka zbutur tonet pas takimit me Ramën, Ilir Meta është hedhur në front sulmues ndaj të dyve, pra dyshes Basha-Rama.
Njërëzit herë kalojnë kanalin në iks televizion, dhe po të njëjtën kohë shfaqet tjetri në ypsilon televizion, e kështu me radhë. Ikin ditët dhe vetëm kalojnë stacionet sa te njeri te tjetri, duke mos i parë të tre bashkë në duel televiziv. Edi Rama nuk pranon të debatojë live me Lulzim Bashën, ky i fundit nuk pranon të ballafaqohet me Ilir Metën. Meta thotë i dua të dy përballë, pasi kam qenë ish-bashkëkryetar i koalicionit qeverisës.
Të tre zihen, por me shumë dyshja Rama-Basha, po shikohet se kanë një pakt kundër Ilir Metës dhe LSI. Ndaj më mirë të tre live në televizion dhe të debatojnë para shqiptarëve për gjithçka kanë bërë, për gjithçka kanë gënjyer apo realizuar. Aty të zihen, live, dhe më pas shqiptarët të vendosin me 25 qershor. Paneli televiziv do të ishte mirë të kishte disa gazetarë VIP. Dhe për të mos patur asnjë televizion merakun se ku do dalin të tre, atëhere e mira do ishte të hidhej me short. Te Blendi Fevziu, Sokol Balla, Ylli Rakipi apo Ilva Tare; këtë e vendos shorti. Pas këtij debati do qartësoheshin me shumë shqiptarët, sepse kështu duke mos u ballafaquar, fshihen para votuesve.
Ky do të ishte sondazhi më i mirë se sa çdo sondazh tjetër.