Si iu dhurua Hrushovit, kostumi i Preng Bibë Dodës, Prijësit mirditor, kandidat për Mbret i Shqipërisë në 1914

Nga Ndrek Gjini, Irlandë

Napoleoni i III (1808 – 1873) ka qenë kumbari i Preng Bib Dodës. Këtë fakt e mësova veç disa muaj më parë. Një kolegu im, lektor i lëndës së Gjenealogjisë në Univeristetin Kombëtar të Irlandës në Galway, në pushimin mes seancave të një konference kushtuar Napoleonit të III, më tha:

– A ka në Shqipëri një muze kushtuar Bib Dodës?

-Nuk jam i sigurt, – i thashë – por nuk besoj të ketë.

Atë mbrëmje, pas konferencës u takuam serish. Ai më foli gjatë dhe gjithë pasion rreth historisë së Bib Dodës dhe faktit se si Napoleoni i III u bë kumbari i djalit të vetëm të tij, Prengës. Napoleoni i dhuroj atij edhe një prej shpatave të tij; shpatë me te cilën i biri, Prenga ka pozuar me krenari në disa foto të tij, i veshur me kostumin kombëtar shqiptar.

Në ditët në vijim nisa të gërmoj në biblotekën e Universitetit dhe në internet për të gjetur diçka më shumë rreth këtyre fakteve. Fatmirësisht krejt papritur një tjetër koleg që jep lëndën e Historisë së Rusisë, më flet disa javë me vonë rreth vizitës së Hrushovit në Shqipëri. Madje ai më tregon edhe për një pemë që Hrushovi ka mbjellë në kryeqytetin shqiptar, dhe një dhuratë që Hrushovi ka marrë nga Enver Hoxha.

Kjo dhuratë ishte një kostum tradicional shqiptar i veshur nga Preng Bib Doda. Pikërisht kjo foto e mëposhtëme.

Preng Bib Doda, ka qenë Princi i Mirditës. Ai lindi në Orosh të Mirditës në vitin 1858 në familjen e Gjomarkajve. Gjomarkajt ishte autoriteti më i lartë i pleqërimit të kodit zakonor shqiptar (kanunit) në Gegëri dhe prijësit tradicional të Mirditës. Ai ishte një ndër drejtuesit kryesor të Lidhjes Shqiptare te Prizrenit. Komandant i Lidhjes së Shkodrës dhe komandant i forcave Mirditore e Shkodrane që luftuan në mbrojtjen e Hotit e Grudës nga malazezet ne vitin 1880. Kandidat për fronin mbretëror të Shqipërisë në vitin 1914, dy here zëvendëskryeministër dhe dy herë ministër. Nder figurat më të shquara të kombit shqiptar, me një kontribut te jashtëzakonshëm në drejtimin e kryengritjeve për liri e pavarësi!

U vra me 22 mars në vitin 1919 në Zejmen të Lezhës. Pas vrasjes së Preng Bib Dodës, për një periudhë të shkurtër Mirdita u drejtua nga e shoqja, Luçia. Më pas, parinë e Mirditës e mori kapedan Marka Gjoni, po nga familja e Gjomarkajve.

Në foto: Preng Bibë Doda

Pse e shkruajta këtë histori

Këto shënime të shkruara nxitimthi në laptopin tim muaj më parë do kishin fjetur aty gjatë po te mos ma nxsite kureshtjen rreth kësaj teme një shkrim i mikut tim nga Kosova, Profesor Nexhmedin Spahiu.
Ja çfarë shkruan ai ndër të tjera në shkrimin e tij të botuar para pak diteve:

Katoliket e Mirdites me Sulltan Muratin I kundër princit Llazar
Kur me 28.06.1389 u zhvillua Beteja e Kosoves, shqiptaret u rreshtuan në të dy palet kundërshtare. Derisa Balshajt moren pjesë në anën e princit Lazar Hrebljanoviq, mirditorët – me kapedanin e tyre – u rreshtuan në krahun e Sulltan Muratit I. Meqë osmanet e fituan luften, për këtë mirditorëve iu garantua autonomia, të cilën e gëzuan deri ne shekullin XIX. Mirditorët nuk paguan fare taksa dhe qeveriseshin me kanunin e maleve, ndërsa i vetmi detyrim i tyre ndaj sulltanit ishte që të shkonin në luftë kurdo që të kishte nevojë sulltani.

Bib Doda dhe Lufta e Krimesë
Rasti më i njohur i pjesëmarrjes së mirditorëve në luftërat osmane ishte Lufta e Krimese (1853-1856) kur roli i këtyre 5.000 luftëtarëve në krye me kapedanin Bib Doda (1820-1866) ishte vendimtar për fatet e betejës kryesore. Ashtu si e shpjegon romancieri i pare shqiptar, Dom Ndoc Nikaj (1865-1951), që ishte i biri Gjoke Jake Nikajt, njerit prej këtyre luftetarëve të Bib Dodes, kur ushtritë osmane, angleze e franceze ishin duke u mundur nga ushtria ruse në betejen kryesore, mirditorët – duke mos përfillur qoftë më të voglin rregull ushtarak, duke rrezikuar jetët e tyre në maksimum – i shkaktuan habi ushtrisë ruse dhe e thyen atë. Për rrjedhoje, Sulltan Abdylmexhiti I (sundoi në përiudhën 1839-1861) i dha Bib Dodes titullin Pashë, ndërsa Perandori i Frances, Napoleoni III (sundoi në periudhën 1852-1870) u bë kumbar i djalit të vetëm të Bib Dodes, Prengës,(1860-1919).

Shënim: Ja pse Presidenti Republikës, Ilir Meta duhet ta nderojë Prijësin mirditor me medaljen më të lartë të Kombit

 

SHKARKO APP