Si mund të nisej 180 milionë euro kokainë pa garancinë e një pushtetari?!
Sasia prej 180 milionë eurosh kokainë për tregun europian nuk mund të nisej nga Kolumbia për në portin e Durrësit pa një garanci të fortë e të sigurtë nga pala shqiptare. Natyrisht, porositësi, apo siç thuhet “bosi i mafias shqiptare” duhet të ketë marrë siguri nga autoritetet shqiptare, në mos në nivele shumë të larta. Nuk ka asnjë logjikë tjetër, aq më tepër në gjuhën e mafias kolumbiane dhe kësaj shqiptare, e cila po konkurron mafien siçiliane, pra që të nisej kuturu për në portin e Durrësit një ngarkesë e tillë e përmasave shumë të mëdha.
Dikush ka premtuar portin, doganat, policinë kufitare, kalimin te kontrolli i doganës dhe qarkullimin rrugor. Pra, bosi shqiptar i kësaj ngarkese nuk janë natyrisht një shofer, apo administratori që u arrestuan. As administratori i firmës që ishte në Maminas të Durrësit si porositës.
Është dikush tjetër bos, në kuptimin e fjalës mafioze, që mund të rrijë në hotelet më të shtrenjta të Tiranës, që takon deputetë, ministra, ish-ministra, mediatikë, etj. Nuk ka logjikë tjetër kjo çmenduri me 180 milionë euro pasuri droge të niset pa asnjë garanci të madhe, sikur të ishte një kamion me zhavorr!
Fakti që u kap nga segmente të policisë së re të Fatmir Xhafës dhe pas ardhjes në krye të Policisë së Shtetit të Ardi Veliut tregon se bandës mafioze iu ka dalë nga duart siguria e përhershme, pasi flitet edhe për 97 rrugë të tjera nga Kolumbia me banane dhe me plotë “banane”, siç dolën pardje, ku u kap sasia më e madhe në historinë e policisë shqiptare.
Fakti që grupi mafioz e ka garantuar palën kolumbiane për një ngarkesë të tillë tregon se një politikan i fortë, apo me lidhje të forta me strukturat e shtetit, është garantuesi i futjes, ndonëse rastësia, por edhe puna e sollën policinë të kapte ngarkesën.
Nëse duan seriozisht prokuroria e krimeve të rënda, policia dhe krejt piramida shtetërore, që të kapin “peshkun e madh”, këtë herë e kanë në rrjetë, gjithnjë nëse duan. Një rast i tillë është epokal për policinë dhe strukturat e shtetit për të kapur një gjë të madhe kriminale dhe vënë para ligjit.
Shqipëria ka hyrë nga epoka e kanabisit në epokën e kokainës. E njëjta mafie, por me përmasa e forcë më të madhe kriminale, e aftë të blejë jo vetëm zgjedhjet, por krejt shtetin. Kjo është e frikshme, sepse nëse nuk kapet kupola dhe nuk arrestohen, atëherë nuk ka më garanci në asgjë në këtë shtet.
Fatmir Xhafaj, Ardi Veliu dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë shansin dhe fatin për të hyrë në histori si njerëz që kapën dhe arrestuan kupolën kriminale.