Zgjedhjet 18 qershor/ Si do zgjidhen nga partitë kandidatët për deputetë?

Ky parlament që do mbyll dyert e tij, pas pak muajve, do të mbahet mend si parlamenti më i keq në këto 26 vite, në mos edhe më shumë. Parlament siç tha edhe Ben Blushi, me deputetë plot muskuj, por pa mend në kokë. Një parlament mediokër, me pjesë kriminale brenda radhëve të tij, dhe ku emrat VIP nga të gjitha partitë ndjeheshin keq afër këtyre deputetëve që sapo cituam. Por ky iku si parlament. Edhe kater muaj do durojnë shqiptarët. Problemi mbetet se çfarë do të na vijë pas 18 qershorit. Si do zgjidhen kandidatët për deputetë? Prapë kryetari i partisë? Prapë servilë dhe “rrumpallhane” apo partitë me të vertetë do ti hapin dyert e përzgjedhjes me elementë me  integritet në bashki e qarqe? Pas rrëzimit prej PS-PD të propozimit të Ilir Metës për lista të hapura për kandidatët për deputetë, propozim që sillte forcën e votës së votuesve, tashmë nuk dihet mënyra se si do ti përzgjedhin kandidatët partitë kryesore PS-PD-LSI, të cilat kanë realisht fatin e qeverisë së pas 18 qershorit.

PS-ja duket se do të vazhdojë në formën e vjetër të vendosjes në listë nga kryesia e PS, më saktë nga kryetari. Ish-deputeti Koço Kokëdhima, i cili në vitin 2013 u vendos në listë falë miqësisë me Edi Ramën, tashmë pas heqjes së mandatit nga Kushtetuesja ka filluar një lëvizje në bazën e PS-së për ta reformuar, sipas tij, nga skemat e vjetra. Ai kërkon që kandidatët ti vendosë anëtarsia e PS-së në bazë qarqesh me votim të fshehtë. Një ide e mirë, porse as që do të zbatohet nga PS. Në LSI flitet se do të ketë një përzgjedhje nga antarsia e tyre në bazë rrethi, por pritet të shikohet sa do zbatohet kjo formulë. Ndërsa në PD, Lulzim Basha që kërkon të rikthehet në pushtet theksoi dje se do ta zgjerojë mënyrën e përzgjedhjes. Jo vetëm anëtarsia e PD-së, por edhe shoqëria civile do të marrë pjesë.

Duke folur në mbledhja e kryesisë së PD, kreu i demokratëve theksoi se pas përzgjedhjes së kandidatëve për deputet, ata do t’i nënshtrohen një procesi skanimi për verifikimin e pastërtisë së figurës së tyre.

“Një çështje tjetër e rëndësishme është propozimi për kandidatët për deputetë të PD për zgjedhjet e ardhshme.

Propozimi im është për konsultim të hapur me komunitetin, me qytetarët, me shoqërinë civile, me botën akademike dhe studentore, me të përndjekurit me organizatat jofitimprurëse. Ky proces duhet të përfundojë brenda datës 15 shkurt. Lista e kandidatëve do t’i nënshtrohet një procesi vetingu sipas procedurave më të avancuara amerikane. Fushata e Partisë Demokratike për evidentimin e kandidaturave është ndër detyrat kryesore që strukturat do angazhohen fuqimisht në javët në vijim. Ky dimër i ashpër politik, padyshim do apo s’do Edi Rama do t’i lërë vendin pranverës politike”, deklaroi kreu i PD Lulzim Basha. Por mbetet se deri ku do shkojë “shoqëria civile” e tij. Nëse do e përdor si slogan dhe si lojë për të thënë se mori pjesë anëtarësia e shoqëria civile e më pas i cakton siç bëri Berisha në vitin 2013, kur çerek ore pas mesnate kur ishte orari final për në KQZ,kandidatët i ndërronte sipas sms-ve të ofertuesve pronarë mediatikë, të cilët hiqnin emra të spikatur intetelektualësh dhe vinin në listë kushërinjtë e tyre; atëhere humbja mbetet e sigurtë. PD-ja duke ofruar emra VIP dhe me integritet si nga radhët e saj, ashtu dhe nga shoqeria civile e bota akademike, përsëri e ka të vështirë të marrë pushtetin. Kjo për shkak të kaluarës së saj 2009-2013 ku korrupsioni gëlojë në çdo skutë.

Nëse PS-PD-LSI turren drejt biznesmenëve që kanë katër diploma në xhep e në të vertetë asnjë nuk kanë mbaruar, por që kanë thasë me euro; nëse vrapojnë pas të fortëve që do sjellin njërëzit e tyre me “biografi” të pastër nga dekriminalizimi; nëse miklohen nga çantat me para për t’u vendosur emrat si kandidatë të sigurtë; nëse presohen nga militantët për të vendosur dogmatikë e turfullakë partiakë pa integritet, mund të themi se më mirë të na lenë këtë parlament që kemi se të paktën u mësuam dhe nuk zhgënjëhemi më.

Shqiptarët kanë nevojë me shumë për një parlament me integritet. Me shumë se sa kush mund ti fitojë zgjedhjet.

Spiten Prulli

SHKARKO APP