Sikleti i Edi Ramës dhe dalldia e Lulzim Bashës
Edi Rama është vërtet në sikletin më të madh të jetës së tij politike. Askush nuk e kupton përveç vetë Ramës se në ç’lloj valle të rrezikshme është futur me Sajmir Tahirin. Nuk mund ta mohojë se ka patur mik, se e ka reklamuar si ministrin me të suksesshëm të qeverisë së tij dhe se Tahiri ishte superministri të cilin e donin, por më shumë e kishin frikë në PS. Dueli i heshtur mes Tahirit dhe Veliajt përfundoi në favor të kryebashkiakut të Tiranes, pasi edhe vetë Rama ishte para fundvitit 2016 mes të dyve duke mos ditur se cilin të zgjidhte si trashëgimtar në PS. Por fatin e tij Sajmir Tahiri e vetpërcaktoj siç e dimë tashmë të gjithë, pasi gjendet në një hetim penal me një akuzë të rëndë. Të ishte akuzë për korrupsion edhe mund ta anashkalonte në këtë lloj Shqipërie. Por akuza është shumë e rëndë, shkatërruese për karrierën e një politikani.
Gjermania dhe SHBA i kërkon me çdo kusht daljen para drejtësisë të ish-ministrit dhe ish-mikut të tij Tahiri, edhe si test për reformën në drejtësi. Në Berlin iu tha troç se nga dalja para drejtësisë e Tahirit, pa mbrojtje politike nga Kryeministri e PS, do të varet vota për Shqipërinë në fundqershor, pra edhe për Ramen si karrierë politike.
Edi Rama ndodhet realisht para sikletit dhe dilemës më të madhe të karrierës së tij qëkur filloi në shkurt 1998, direkt në politikë.
Rreziku mbetet permanent për Kryeministrin: Nëse Sajmir Tahiri arrestohet, siç po qarkullon nëpër kanale politike, nuk dihet se çdo thotë ai edhe për Ramën.
Kjo e lë pa gjumë Kryeministrin.
Ndërsa në kampin kundërshtar politik të Ramës, atje në PD, si për t’ja lehtësuar vuajtjet kryeministrit, ka plasur sherri për Kuvendin Kombëtar të PD që mblidhet të dielën, e ku analistët e kundërshtaret brenda selisë blu të Bashës, akuzojnë pikërisht Bashën se po ndryshon statutin e PD që të mos shkarkohet asnjëherë edhe nëse vazhdon humbjet.
Selia blu, në kohën më të artë të saj për të sulmuar en block Edi Ramën, është kthyer, siç thotë kryeministri, në një “kazan” ku vlojnë dëshirat për hakmarrje brenda llojit.
Momentalisht kemi një kryeministër në hallin më të madh të jetës së tij politike, e nga ana tjetër një kryetar PD-je që po e përçan partinë në mënyrën më të keqe të mundshme.
Këto zhvillime në PD, i zgjasin jetën politike Edi Ramës në krye të qeverisë si dhe përjetësojnë karrigen e Bashës në zyrat e PD.