Skandali i fondeve greke për mediat. Pse heshtin institucionet dhe politika?

Publikimi dokumenteve në Greqi që faktojnë se media, një pjesë e shoqërisë civile dhe politikanë shqiptarë janë paguar për interesa të shtetit grek mund të jetë skandali më i madh për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Në 28 vjet pluralizëm, për herë të parë faktohet nga vetë pala greke se media e Tiranës është blerë për interesa të diplomacisë së shtetit helen. Të dhënat që vijnë nga Athinë flasin për 1 milionë euro në një muaj. Por sa milionë euro janë hedhur gjithë këto vite në Shqipëri, që mediat dhe zëri i opinionit publik të flas në mënyrën që i intereson Greqisë? Veç medias nuk dihet se deri ku kanë arritur fondet e fshehta greke; në politikë, institucione shtetërore, apo më e keqja në institucione të sigurisë kombëtare.

Në Greqi po mundohen ta mbyllin këtë skandal duke nisur hetimet për nxjerrje të sekretit shtetëror nga ana e mediave. Pra shteti grek, indirekt nuk e mohon që ka fonde sekrete financim në mënyrë jo të ligjshme të interesave të tyre në Shqipëri dhe gjetkë. Ndërsa në Tiranë ka 48 orë që lajmi ka marrë dhenë dhe asnjë zë zyrtar i shtetit nuk është dëgjuar. Nuk ka as reagim të Prokurorisë, as të partive kryesore politike dhe çuditërisht as të shoqatave të gazetarëve.

Politikani i vetëm që ka reaguar sot është kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi. Në një deklaratë për mediat, kreu i PDIU kërkojë nisjen e hetimeve urgjente nga prokuroria për të zbardhur të vërtetën e fondeve greke. Ish-deputeti Idrizi deklaroi se veç mediave fondet sekrete të Ministrisë së Jashtme greke kanë hyrë dhe në politikën shqiptare, gjë që e bënë situatën edhe më serioze, pasi flitet për ligjvënës që kanë leje për tu njohur me sekrete kombëtare dhe miratojnë politika të rëndësishme për vendin.

Idrizi deklaroi se dhe fushata anti komunitetit çam në disa media në Tiranë, si dhe largimi i deputetëve të PDIU nga Kuvendi ka pasur si mbështetje financiare fondet e Ministrisë së Jashtme Greke. “Sot Athina i ka duart fort brenda në politikën shqiptare. Kur kemi folur për idiotët e dobishëm të Athinës, e kishim  fjalën për ata të shitur që me pagesë apo pa pagesë janë bërë vasalë të Athinës dhe kanë frikë për pushtetin e tyre. Sa e sa herë Athina zyrtare ka ndërhyrë në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe na ka kërcënuar në rrugën tonë drejt BE-së, asnjë nga Qeveritarët tanë nuk flet e një pjesë e mediave hesht. Sa e sa gazetarë e media kanë stigmatizuar me racizëm komunitetin Çam jo në Kohën e Komunizmit por sot”,- deklaroi Shpëtim Idrizi.

Kreu i PDIU kërkoi nga Presidenti Ilir Meta që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar i situatën dhe për të kërkuar informacione nga institucionet shqiptare të sigurisë. Të njëjtën kërkesë, Idrizi bëri dhe për Prokurorinë e Përgjithshme, e cila sipas tij, duhet të kishte nisur hetimet menjëherë.

“I kërkojmë urgjentisht Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë, cilat janë portalet, gazetat, televizionet, gazetarët, biznesmenët, OJQ-të, që janë financuar nga Fondet e Zeza sekrete të ministrisë së Jashtme Greke, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Inteligjent Grek. Ku u investuan? Me çfarë qëllimesh? Cilat ishin qëndrimet e mbajtura prej këtyre mediave? Cilët persona u implikuan personalisht në këtë operacion? Ç’po bën Prokuroria e Përgjithshme, kur dje Prokuroria e Athinës ka nisur Hetimet për nxjerrje të Sekretit Shtetëror?”,- deklaroi Shpëtim Idrizi.

Në të njëjtën linjë kanë qenë dhe ish-ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj dhe kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.

Ndërkohë këta janë zërat publikë të vetëm që kanë folur për një nga çështjet më serioze për sigurinë kombëtare. Shqipëria ka disa institucione të sigurisë kombëtare dhe asnjë prej tyre, deri më sot, nuk ka marrë asnjë iniciativë, qoftë edhe për verifikimin e atyre fakteve që shkroi shtypi grek.

Po ashtu, në Tiranë janë me dhjetëra shoqata gazetarësh që reagojnë dhe për gjëra shumë më të rëndësishme, por sot çuditërisht kanë heshtur.

Jemi përballë një skandali dhe fakteve që tregojnë për cenim të interesave kombëtare. Ajo që është dhe më e rëndë lidhet me faktin se ende nuk dihet se kush është paguar dhe për çfarë shërbimesh antikombëtare. Opinioni duhet të dijë se kush janë ata që me dëshirë janë vënë në shërbim të interesave të fshehta të shtetit grek.

Nëse mendojnë se janë vetëm “shpifje” të shtypit grek, atëherë le të nisin hetimet për të verifikuar në Tiranë, siç po bën qeveria “Rama” për çdo shpifje ndaj saj. Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të shtonte kontrollin e mediave online për të kontrolluar, shpifjet dhe lajmet e rreme. Ajo që shkruan shtypi grek, për mediat e blera shqiptare, ka të bëjë jo vetëm me lajmet e rreme, por edhe me interesat kombëtare. Ndajë para se të kërkojë më urgjencë NIPTI dhe adresat e portaleve, po me kaq urgjencë qeveria duhet të verifikojë dhe fondet e huaja që kanë marrë mediat këto vite.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP