Pse hesht Prokuroria për vajzën e dhunuar?
-Ky krim dhunimi e përdhunimi që ka ndodhur me një vajzë jetime dhe të pambrojtur, në mënyrën me të ulët po trajtohet si çështje politike. Partia Socialiste është hedhur në sulm të mbrojë deputetët e saj, duke u përpjekur ti nxjerrë të larë nga kjo histori. Kjo është e turpshme dhe jo njerëzore kur kemi të bëjmë me një denoncim dhune dhe përdhunim të një vajze.
Historia e Xhinsila Malokut, vajzës së dhunuar nga Rexhep Rrahja, djali i deputetit të PS-së në Krujë, Rrahman Rrahja është një skandal detajet e të cilit po zbulohen nga pak e përditë. Gjithë debati i së enjtes u përqendrua me dinakëri nga mazhoranca, jo te krimi i dhunës dhe përdhunimit të një vajze nga djali i një politikani me pushtet, por vetëm te detaji për Taulant Ballën. Gjithë çështja u fokusua te numri dy i PS, nëse ka qenë në 21 korrik në komisariatin e Fushë-Krujës, ku oficeri Emiljano Nuhu thotë se i është vënë pistoleta në kokë për të mbyllur hetimin. Talulant Balla thotë se ato ditë ka qenë duke peshkuar në Pogradec, ndonëse kjo duhet verifikuar nga prokuroria. Dalja e vajzës në media ku kujdesja ishte të deklaronte se Tulant Balla nuk ka qenë në prokurori, dukej se ishte një intervistë për të pastruar figurën e numrit dy të PS.
Fakti është se vajza në dëshminë që ka dhënë në 30 korrik 2018 tregon me detaje sesi është marrë peng, dhunuar, djegur me cigare dhe goditur me tytën e pistoletës. Pavarësisht se vajza e ka tërhequr dëshminë dhe e tha se është marrë vesh me dhunuesin, kjo është prova se krimi ka ndodhur. Kjo është prova se dëshmia e saj para datës 30 korrik është refuzuar nga komisariatet në Fushë Krujë dhe në Tiranë, siç pretendon dhe nënkomisari Emiljano Nuhu. Gjithashtu, kjo është dëshmia që zbardh dhe pjesën tjetër të asaj që ka ndodhur. Pavarësisht se vajza e ka tërhequr dëshminë për arsye të ndryshme kemi të bëjmë me shkelje ligjore. Policia e Fushë Krujës nuk ka marrë dëshminë e vajzës dhe as ka thirrur për dëshmi djalin e deputetit. Se çfarë ka ndodhur në këto muaj që vajza shkonte komisariat më komisariat dhe nuk i merrej dëshmia nuk është e vështirë të kuptohet. Përballë denoncimit ndaj djalit të një deputeti, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, policia ka shmangur arrestimin dhe i ka lënë kohë personave të akuzuar të ndërhynin për ndryshimin e dëshmisë. Për të kuptuar sesa ndikim ka një deputet në vendimmarrjen e policëve lokalë, mjaftojmë të kujtojmë se edhe sot Rexhep Rraja nuk është ndalur nga policia. Jo vetëm nuk është ndaluar asnjë herë për të sqaruar pozicionin e tij për dhunën e denoncuar, por as për armëmbajtje pa leje siç provohet nga dëshmia dhe fotot e tij në rrjetet sociale.
Ky skandal që ka ndodhur me një vajzë jetime dhe të pambrojtur, në mënyrën me të ulët po trajtohet si çështje politike. Partia Socialiste është hedhur në sulm të mbrojë deputetët e saj, duke u përpjekur ti nxjerrë të larë nga kjo histori. Kjo është e turpshme dhe jo njerëzore kur kemi të bëjmë me një denoncim dhune dhe përdhunim të një vajze. Këtu nuk flitet për imazhin e PS-së dhe ruajtjen e moralit të deputetëve. Këtu flitet për një përdhunim dhe pozicionimi i PS në mbrojtje të deputetit dhe djalit të tij është një krim politik pasi fsheh një krim penal. Është e rëndë sesi një parti politike, që ka brenda saj politikanë dhe politikane me dinjitet, për herë të parë merret me sulmet e PD dhe nuk distancohet moralisht nga ajo që ka bërë një deputet i saj i zgjedhur në Fushë Krujë.
Por nëse PS dhe PD kanë zgjedhur të bëjnë politikë me këtë histori, Prokurorisë nuk i lejohet të rrijë në heshtje dhe të shohë atë që po ndodhë. Me apo pa deputetë të PS në këtë ngjarje, kemi të bëjmë me një skandal dhe një krim të pa hetuar dhe të pa ndëshkuar. Denoncimi i vajzë që është përdhunuar dhe dhunuar duhet të hetohet dhe autorët duhet të ndëshkohen.
Duhet hetuar se kush e dëtyroi vajzën këto të ditë të tërheqë denoncimin dhe cilët janë ata që i kanë bërë presion apo ofruar kompromis në kurriz të ligjit penal.
Ky është një rast skandaloz, që kërkon prokurorinë të hetojë shpejt dhe pa anëshmëri politike.
Q.Xhani