Skenar i zi për mandatet e PD

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi dy ditë më parë, se çdo thyerje e bojkotit nga deputetët do të pasohet me zbatimin e rregullave që parashikon çdo parti politike. Me fjalë të tjera, çdo deputet nga radhët e opozitës që do të shkojë në Kuvend do të përjashtohet nga partia. Qëndrimi i prerë i kreut të Partisë Demokratike ka hequr dyshimet për një zbutje të kursit politik të opozitës së sotme. Gjithashtu, u ka dhënë dhe një mesazh deputetëve të linjës më të moderuar brenda partisë, të cilët prej kohësh e shohin aksionin politik vetëm brenda institucioneve. Deklarata e Bashës është një thirrje për mosdalje nga rreshti politik i të vetëve, si dhe një sinjal për mazhorancën, duke lënë të kuptohet se mund të drejtojë Partinë Demokratike jo me numrat në Kuvend, por me presionin dhe me mbështetjen e qytetarëve. Lulzim Basha pas miratimit të gjithë kupolës drejtuese do të jetë gjithnjë e më shumë radikal në raport me qeverinë. Është një strategji e mirëpërcaktuar; edhe mban nën presion mazhorancën me vajtjen drejt zgjedhjeve të parakohshme, por edhe u thotë prerë deputetëve në PD se “kush shkel vendimin, përjashtohet”. Dhe do ta bëjë me disa deputetë të selisë blu, të cilët nuk kanë asnjë shpresë më të jenë në listat e zgjedhjeve të radhës.

Bojkoti i PD-së nisi në muajin korrik dhe pati si motiv kryesor dhunën ndaj deputetit Gent Strazimiri. Prej disa javësh, ka nisur një procedim penal ndaj deputetëve, por pavarësisht kësaj, bojkoti vazhdon. Në fakt, nëse kthehen do të hanë “dajak” nga një grup deputetësh të PS-së, të cilat edhe ata e dinë se nuk do të jenë më në listën e Ramës e si për inat të Berishës, mezi presin sa t’u vijnë në sallë deputetët e selisë blu. Ndaj PD-ja e di mirë se çfarë i pret në sallën e Kuvendit sapo të kthehen! Kërkesa e opozitës ka qenë ulja në një tryezë me ndërkombëtarët dhe mazhorancën, ku të bien dakord për respektimin e ligjit. Ndërsa ditët e fundit, thyerjes së bojkotit i është shtuar dhe një tjetër kërkesë. Deputetë të Partisë Demokratike deklarojnë se në Kuvend do të hyjnë vetëm kur prej tij të kenë dalë të gjithë ligjvënësit e inkriminuar të mazhorancës. Por ata nuk ikin. Aty po presin Berishën. Duket se të gjitha kërkesat e Partisë Demokratike janë edhe pretekste për të justifikuar qëndrimin jashtë Kuvendit. Presioni i opozitës për të mos u kthyer në Kuvend, duket se është një strategji e mirëmenduar nga selia blu. Djegia e mandateve është një skenar që po diskutohet gjatë në Partinë Demokratike dhe që shihet si mundësi për të përfituar politikisht. Synimi është më larg sesa përfitimi politik i momentit. Me djegien e mandateve, Partia Demokratike kërkon t’i heqë legjitimitetin mazhorancës. Një Kuvend me deputetët e opozitës mund të jetë funksional, por nëse në Parlamenti ngelet pa rreth 50 deputetët e së djathtës, ky do të jetë një problem jo i vogël për mazhorancën. Ndërkombëtarët nuk mund të lejojnë një situatë të tillë, nëse kjo ndodh. Këtë lojë e njeh mjaft mirë Basha.

Pas rreth 7 muajsh, pritet që të zhvillohen zgjedhjet lokale. Partia Demokratike nuk ka pranuar reformën territoriale që është miratuar nga Kuvendi. Ka bërë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, si dhe ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rreth 80 kërkesa për referendume lokale. Edhe pse asnjëherë nuk është deklaruar zyrtarisht, PD-ja nuk e sheh veten në zgjedhjet e ardhshme lokale. Edhe KQZ-ja, e cila nuk ndryshohet kollaj, ndonëse PS-LSI duan t’i ndërrojnë emrat, do të vendosë në kulmin e lojës që të shkohet në eeferendume lokale. Edhe Presidenti do t’i dekretojë menjëherë e natyrisht dihet se në këto referendume lokale fiton ai që i kërkon, pra PD-ja. Dhe kjo krijon një destabilitet tjetër lokal, por që merr natyrë politike kombëtare. Bashkë me bojkotin dhe me afrimin e zgjedhjeve elektorale, 2015-ta pritet të jetë një vit i nxehtë politik. Zgjedhjet e ardhshme dhe mandatet, duken si dy gjëra që nuk kanë afërsi me njëra-tjetrën. E vetmja gjë që i bashkon, qëndrimi refuzues dhe rruga ekstreme e Partisë Demokratike. Sipas një prej skenarëve të selisë blu, në momentin që lihen mandatet e deputetëve, opozita do t’u drejtohet protestave në gjithë qytetet e vendit. Sa herë që janë pyetur për rrezikun e humbjes së mandateve, të gjithë përfaqësuesit e PD-së janë shprehur se mandatet nuk janë të tyret, por janë të qytetarëve. Në këtë mënyrë, hapi i radhës do të jetë zhvillimi i protestave masive dhe kërkimi i zgjedhjeve të parakohshme. Skema e mazhorancës parashikon që me krijimin e një situate të tillë jo normale politike, e vetmja rrugëzgjidhje të jetë kërkesa për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale. Një skenar i tillë, sa vjen dhe përvijohet më qartë në selinë blu. Rreziku i humbjes së mandateve ka vënë në lëvizje aleatët e Partisë Demokratike. Republikanët prej kohësh janë duke kërkuar vendimmarrje si koalicion opozitar për kthimin në Kuvend. Ndërkohë që PDIU-ja ka zgjedhur të jetë mes opozitës dhe mazhorancës, duke votuar sipas interesave të ditës me shpresën që radhën tjetër të zgjedhjeve, të futet në koalicion me PS-në e duke synuar dëmtimin e LSI-së. Edhe kjo, një manovër e fshehtë për të nxjerrë jashtë loje votën vendimtare të Metës. Por kjo është akoma herët për t’u marrë në konsideratë, pasi përballë është PD-ja me protestat që do të jenë nga më të mëdhatë e para ndonjëherë. Kjo mbetet e sigurtë, pasi Rama nuk po heq dorë aspak nga politika e dorës së fortë për të vendosur rregull në Shtet. Ka të drejtë, por edhe një mjek kur do që të presë shumë pjesë të “prishura” në një trup, e operon me kujdes e jo në një seancë operacioni. Edi Rama nuk pret. Ndonëse bën shumë mirë në disa gjëra, përsëri ka mundësi që të pakënaqurit e majtë të jenë në mitingjet e së djathtës, ndonëse kur të vijë puna për votën, edhe mund të mos shkojë në votime.

Deri tani, kemi parë një Lulzim Basha të qeshur, modern e të qeshur, por nga pak e përditë kemi për të parë një lider të fortë dhe që kërkon turmën. E turma kur del në shesh, shumë herë del jashtë kontrollit!

SHKARKO APP