Sot, ndeshja e jetës!
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:43
Sot në “Elbasan Arena” do të jenë sytë dhe zemra e gjithë kombit shqiptar. Shqipëria dhe Serbia do të luajnë ndeshjen kualifikuese për në “Euro 2016”. Ndeshja ka shumë arsye të quhet historike. Së pari, në aspektin futbollistik. Që nga themelimi i Federatës Kombëtare të Futbollit, kombëtarja jonë është më afër se kurrë pjesëmarrjes në një kompeticion siç është ai i “Euro 2016”. Asnjëherë kombëtarja jonë e futbollit nuk ka qenë kaq afër. Gjatë gjithë ndeshjeve të kësaj gare, nën drejtimin e kapitenit Gianni de Biasi, kuqezinjtë kanë treguar se dinë të bëjnë futboll njëlloj si skuadrat më të mëdha europaine, Portugalia apo Danimarka. Në historinë tonë të futbollit, kjo është kombëtarja më dinjitoze nga ana profesionale dhe ndodhet vetëm një hap larg kualifikimit, deri tani të merituar. Ekipit i duhet të tregojë nëse është një skuadër profesioniste ndërkombëtare, apo një ekip të cilit deri tani i ka buzëqeshur edhe fati.
Arsyeja e dytë se përse kjo ndeshje është historike lidhet me kundërshtarin, ekipin serb. Një vit më parë ishim dëshmitarë të një trajtimi çnjerëzor të ekipit tonë në Beograd. Pamë dhe dëgjuam thirrje raciste ndaj Shqipërisë dhe të denigrimin që autoritetet serbe u bënë lojtarëve tanë, duke lejuar dhunimin e tyre nga tifozët, madje dhe nga vetë punonjësit e sigurisë së stadiumit në Beograd. Ndeshja është historike sepse, me apo pa dashje, kur përmendet fjala Serbi dhe Shqipëri, mendja nuk të shkon vetëm tek futbolli. Në historinë e marrëdhënieve të dy vendeve ka më shumë gjëra që na ndajnë sesa na bashkojnë. Futbolli, si sport ndërkombëtar, thonë se i bashkon popujt. E provuam një vit më parë në Beograd, se jo gjithmonë futbollit është i tillë. Madje mund të shërbejë edhe për të rritur tensionet dhe për të shtuar urrejtjen dhe racizmin. Mjafton një grup tifozësh për të ndryshuar jo vetëm fatin e një ndeshje, por edhe raportet mes vendeve dhe sjelljen e dy kombeve ndaj njëri-tjetrit. Kombëtarja jonë e provoi vetë këtë gjë në Beograd. Një turp për Serbinë ishte ajo ndeshje dhe gjykata ndërkombëtare e futbollit e penalizoi Serbinë me tre pikë, të cilat ia dha me të drejtë Shqipërisë.
Por sot nuk është koha për t’u kthyer reston serbëve. Nëse ka tifozë që u vlonë gjaku dhe e urrejnë Serbinë, bëjini një nder ekipit kombëtar dhe Shqipërisë, mos u sillni si serbët ndaj nesh në Beograd. Mbase serbët këtë presin, që në Elbasan të ndodhin incidente dhe më pas të na ankuzojnë se dhe në Beograd ishte faji i shqiptarëve. Ekipi ynë do bëjë detyrën në fushë. Ne tifozët, në stadium apo jashtë tij, kemi për detyrë të tregohemi qytetarë dhe patriotë të mirë. Dhe patriot e tifoz i flaktë nuk është ai që fyen apo bën gjeste antisportive. Tifozë i mirë nuk është ai që shan kundërshtarin, apo ai që djeg flamurin serb apo gjuan me sende në fushë. Kjo është gjëja më e pakët që na tregon patriotë dhe është ajo që realisht nuk na duhet sot. Nesër duhet të bëjmë të kundërtën e asaj që na bënë në Beograd. Jo se jemi më të dobët. Por se jemi më qytetarë. Ky është rasti për ta treguar e kjo është edhe një sfidë historike për qytetarinë e tifozerisë sonë. Ekipi tjetër nuk është armiku ynë, është kundërshtari dhe kundërshtari respektohet megjithë simbolet e tij.
Ka dhe një arsye tjetër se përse ndeshja duhet të jetë normale dhe pa incidente. Kjo ka të bëjë me të qenit shqiptar. Për shqiptarët, miku është i shenjtë, e duam apo nuk duam, nesër serbët janë miq në shtëpinë tonë. Ndaj çdo akt dhune, çdo fyerje, çdo skenë e papërshtatshme, është fyerje ndaj vetes tonë. Por dhe minus i madh ndaj ekipit të futbollit.
Në stadium do të përballen dy ekipe, jo dy ushtri. Futbolli ka misionin e paqes dhe jo të dhunës. Në fund të fundit është vetëm një lojë, ku dikush gjithmonë do humbasë. Nesër është një ditë për të mbështetur kombëtaren në futboll, jo për hakmarrje.
Sot luajmë për fitore dhe fitorja vjen në fushë e jo në shkallët e stadiumit duke sharë apo shkelur rregullat e UEFA-s.
Qamil Xhani