Sot, protesta e shoqërisë civile. 3 mijë forca policore në gadishmeri të plotë
Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP), e cila përbëhet nga shoqata dhe organizata jo qeveritare do të zhvillojë sot protestën e parë masive kundër importit të mbetjeve. Tubimi do të nisë në orën 11:00 dhe pritet të zgjasë disa orë. Drejtuesit e aleancës kanë dhënë dje detajet kryesore se si do të organizohet protesta.
Është planifikuar që protestuesit të mblidhen në orën 11:00, pranë Monumentit të Pavarësisë, në Parkun Rinia. Më pas, qytetarët do të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë. Këtu pritet që protesta të arrijë numrin maksimal të protestuesve. Mendohet se do të hidhen thasë me pleh mbi Kryeministri dhe kazanë plehrash tek hyrja e zyrës së Kryeministrit.
Protestuesit do të vendosen përballë zyrës së Kryeministrit Edi Rama, ku do të hedhin parulla dhe do të mbajnë fjalime kundër importit të mbetjeve. Drejtuesit e Aleancës thonë se protestuesit do t’i kërkojnë llogari Ramës se përse i tradhtoi duke miratuar ligjin që kishte hequr vetë në vitin 2013. Burime nga drejtuesit e Aleancës thonë se nga thirrjet që janë bërë on-line janë rreth 5 mijë persona që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tubim.
Në komunikimin që zhvilluan dje me mediat, drejtuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) nuk dhanë shumë detaje të hollësishme sesi do të zhvillohet protesta. Mësohet se përveç pjesës demonstrative me parulla, marshim dhe fjalime do të ketë dhe “aksion qytetar”. Burimet flasin për një skenar të mundshëm që është ai i rrethimit të godinës së kryeministrisë me kazanë plehrash. Në kazanë do të jenë shkruar emrat e deputetëve që votuan ligjin dhe me thasë me plehra. Disa kazanë do të tentohen të vendosen në hyrje të Kryeministrisë.
Ndërkohë Kryeministri Edi Rama pritet të mos jenë në zyrë gjatë protestës. Kjo pasi, Partia Socialiste ka njoftuar se në orën 11:00 do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, i cili është forumi më i lartë vendimmarrës i partisë, pas Kongresit. Mbledhja e PS-së ku do të jetë i pranishëm Kryeministri, ministrat dhe deputetët socialistë do të zhvillohet në lokalin e njohur me emrin “Xibraku”, në periferi të kryeqytetit. Njoftimi për mbledhjen e PS-së u dha disa ditë më parë, pasi AKIP njoftoi mbajtjen e protestës. Kjo mbledhje u komentua si një shmangie e Ramës nga përballja me qytetarët në Kryeministri. Por një pjesë e protestuesve kanë ideuar që demonstrata të zhvendoset nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt vendit, ku do të mbahet takimi i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Pritet që ashtu si para ndërtesës së Kryeministrisë, edhe në vendin, ku zhvillohet Asambleja e PS-së protestuesit të shkojnë me kazanë, plehra dhe parulla.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa për të shmangur incidentet e mundshme që mund të regjistrohen gjatë protestës. Gjatë mbrëmjes së djeshme janë vendosur roje shtesë në Kryeministri, si dhe janë marrë masat për siguri më të lartë në lokalin ku do të mblidhet asambleja. Por pritet që jo vetëm Tirana të ketë protesta. Drejtuesit e AKIP thonë se paralelisht me protestën e organizuar nga aktivistët në Tiranë, qytetarë të ndryshëm do organizojnë protesta në qytetet e tjera të vendit si në Vlorë, Fier, Elbasan, Korçë. Gjithashtu, edhe emigrantët shqiptarë nëpër botë janë njoftuar organizime protestash para ambasadave të Shqipërisë në Londër e Berlin.
Gjithsesi, sot vëmendja është në Tiranë, ku do të jetë dhe qendra e protestës. Nga suksesi ose dështimi i saj do të varet edhe çështja e importit të mbetjeve. Prania e madhe qytetare mund të detyrojë Qeverinë të ndryshojë qëndrim, ose të lejojë referendumin, ku qytetarët të shprehen. Si protesta e parë e shoqërisë civile gjatë viteve të fundit, pritet që të ketë dhe tensione.
Nëse nuk ka shumë protestues Edi Rama ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me Shqipërinë!
Spiten Prulli
3 mijë forca policie në gadishmeri
Policia e Tiranës njofton planin e masave për protestën e sotme të shoqërisë civile kundër importit tē plehrave. Por ndryshe nga Ambasada Amerikane nē Tiranë që në njoftimi e djeshëm thoshte se protestën e organizonte opozita, Policia e Tiranës sqaron se protesta organizohet nga Aleanca Kundër Importit tē Plehrave.
Më poshtë njoftimi i plotë i policisë.
Sot më datë 01 Tetor 2016, ora 11.00 – 14.00 Aleanca Kundër Importit të Plehrave, do të zhvillojë një protestë në formë marshimi duke filluar nga Parku Rinia, krahu i Monomentit të Pavarsisë, për të mbritur përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë garanton ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimin të marshim – protestë.
Për mbarëvajtjen sa me mirë e pa incidente të marshimit – protest është hartuar; Plani i Masave me detyra, duke marrë të gjitha masat për të garantuar zhvillimin normal.