Sot, provohet forca e PD-së
Prej më shumë se një muaji, të gjitha degët e Partisë Demokratike janë udhëzuar që strukturat të sjellin një numër sa më të madh mbështetësish. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, dy javët e fundit ka zhvilluar një tur të ngjeshur me takime në Vlorë, Elbasan, Librazhd, Durrës, Fier, etj. Qëllimi kryesor ka qenë përgatitja e strukturave për të qenë të pranishme në protestën e ditës së sotme, që do të nisë në sheshin “Skënderbej” në orën 12:00 dhe do të vijojë më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë, ku do të mblidhen e do të qëndrojnë. Sipas informacioneve brenda selisë së PD-së, në momentin që do jenë para zyrës së qeverisë, turma do të qëllojë me domate e vezë zyrat e Kryeministrisë.
Në funksion të kësaj proteste, kryetari Basha është detyruar të mbledhë gati pas tre muajsh edhe grupin e deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e tyre janë për thyerjen e bojkotit, bile në opinion dhe forume kanë shprehur idenë se ka ardhur koha për të hyrë në Parlament. Veç këtij shqetësimi, deputetët kanë pasur dhe mjaft rezerva për mënyrën sesi po procedohet me zgjedhjet e strukturave dhe organizimin e partisë. Në fakt, asgjë e tillë nuk është diskutuar në takimin me Bashën. Kryetari u ka kërkuar deputeteve që të shfrytëzojnë strukturat dhe njohjet në elektorat për të sjellë sa më shumë qytetarë në protestë. Demokratëve dje u janë bashkuar dhe përfaqësuesit e sindikatave të pavarura. Shoqata që gjatë tetë viteve të qeverisjes së PD-së kanë qenë inekzistente dhe nuk janë parë në asnjë protestë ndaj mazhorancës së kaluar. Por rolet kanë ndërruar tashmë.
Gjatë ditëve të fundit, Partia Demokratike është përpjekur ta karikojë opinionin publik me mesazhe dhe takime ku flitet, sipas saj, për zhvillimet negative në vend. Videot e takimeve të Bashës tregojnë njerëz që shfaqin pakënaqësinë ndaj vendimeve të qeverisë. Nuk mungojnë thirrje mallkuese, lotët dhe përdorimi i fëmijëve për të dramatizuar situatën. Për të bërë nxemjen e militantëve të PD-së, kreu i Partisë Demokratike zhvilloi dje një takim me disa të rinj në selinë e partisë. Nga foltorja e selisë blu, Basha bëri thirrje për bashkim mbarëqytetar për të protestuar “kundër keqqeverisjes, për shkak të papunësisë, varfërisë, mjerimit, rritjes së taksave, rritjes së çmimit të energjisë, të çmimit të naftës”. Në fjalimin e Bashës ngriheshin mjaft probleme, një pjesë e të cilave mund të jenë shqetësim për qytetarët. Ajo që mungonte në fjalën e Bashës, por edhe në mesazhet që kanë shpërndarë deputetët e tjerë të djathtë, lidhet me projektin politik. Më saktë, me zgjidhjen, apo variantin që ka PD-ja për të ndryshuar situatën, nëse ajo është ashtu siç thonë përfaqësuesit e opozitës. Në retorikën e drejtuesve të së djathtës mungon alternativa dhe mënyra sesi do të bëheshin gjërat, nëse në qeveri do të ishte PD-ja. Mungon një alternativë e re, ndryshe nga ajo e tetë viteve të kaluara, të cilën shqiptarët e hodhën poshtë me vota. Qëllimi i PD-së janë numrat, por numrat nuk shtohen pa pasur një projekt. Partisë Demokratike nuk i kanë munguar asnjëherë militantët e flaktë. Është një strukturë që ish-kryetari Sali Berisha e ka përdorur rregullisht, sa herë i është dashur dhe nga kjo pikëpamje, demokratët s’kanë vuajtur asnjëherë për të mbushur sheshet. Kreut të ri i duhet një frymë e re që të nxjerrë në shesh dhe ata që nuk kanë besuar dikur tek Partia Demokratike. Të besosh se radhët e protestave do të shtohen vetëm nga keqqeverisja e së majtës që në vitin e parë të qeverisjes, është mungesë edhe e njohjes së realitetit politik. Më shumë se kaq, PD-së i duhet të japë variantet e saj për zgjidhjen e problemeve. Nuk mjafton të thuash se është gabim prishja e ndërtimeve pa leje, por Basha dhe deputetët e PD-së duhet të japin edhe një projekt të tyre se çfarë do të bëhet me këto ndërtime të paligjshme. Teksa flasin për rritjen e papunësisë, pikë së pari, duhet të japin dhe modelin e tyre sesi mund të rritet papunësia. Apo, kur dalin kundër reformës në arsim, gjithashtu duhet t’u thonë se cili është modeli i tyre që duhet të ndiqet. Nëse servirin sërish si model ato çka bëri Sali Berisha në qeverisje, opozita e PD-së do të jetë shumë më e gjatë. Ndaj Lulzim Basha ka nevojë të ngrihet mbi ata që ka rrotull, përderisa është lider i opozitës dhe kandidat për kryeministër, nesër. Basha mbetet një lider tjetër, me vizion perëndimor, porse i rrethuar me ca të kohës së Saliut të parë, të cilët urojnë brenda vetes që të dështojë si lider. Kryetari i PD-së duhet të vërë gishtin tek e keqja e qeverisë, sipas tij, por edhe të reformojë pa meshirë partinë që njerëzit të kenë besim tek ai dhe fjala e tij. Ai ka nevojë, siç ka filluar të sjellë elemente të rinj e të paakuzuar, edhe të flasë sot para protestuesve si një lider që kritikon, por edhe që bashkëpunon me mazhorancën për probleme madhore e mbarëkombëtare. Lulzim Basha duhet të thotë hapur sot se do të shkojmë në Parlament e mu në sallën e deputetëve të shkallmojë fytyrën e qeverisë, që sipas tij dhe përkrahësve opozitarë, po shkatërron vendin. PD-ja duhet të manifestojë forcën e saj, të cilën për mitingje e ka të llojit të veçantë, por edhe të tregojë se mbetet bashkëpunuese, të japë fakte se po përgatit ekip të ri qeverisës për t’u rikthyer në pushtet. Dihet se një qeverisje, sado perfekte që të jetë, gjithmonë ka diçka për të protestuar. Në këtë pikë, PD-ja është në të drejtën e saj legjitime për të mbushur sheshet dhe për t’i treguar mazhorancës se nuk ka vetëm qytetarë që e votojnë dhe i thonë “bravo”, por se ka edhe njerëz që nuk e shohin çdo aksion pozitiv.
Gjithsesi, sot do provohet forca reale e PD-së pas një viti në opozitë, jo vetëm tek numrat në sheshin “Skenderbej”. Ajo duhet të kthehet në parlament, pa harruar edhe sheshet e protestës dhe më pas, nga pak e përditë, të bëhet një alternativë e besueshme për të qeverisur. Në të vërtetë, ka edhe argumenta se Edi Rama ka frikë vetëm forcën e protestës, sidomos nga ato protesta që përfundojnë në duele mes turmës dhe policisë. Por kohët duken se kanë ndryshuar edhe në PD, e nuk ka më nga ata “shabanmemitë” që hanin hekurin me dhëmbë e nuk iknin nga sheshi pa realizuar misionin demokrat. Tashmë janë shëndoshur, rehatuar dhe relaksuar edhe vetë në PD! Të shohim nëse ka forcë Lulzim Basha t’i shkundë jo vetëm pushtetarët, por edhe vetë disa opozitarë të majmur në tetë vite qeverisje.