Sot, se nesër është vonë

E hëna ishte dita e protestave dhe bllokimit të rrugëve nga PD. E marta është cilësuar nga të dyja kampet politika si dita e negociatave finale. Sot në Tiranë mbërrijnë dy përfaqësues të Bashkimit Europian me misionin e vështirë për të gjetur një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

David McAllister, zëvendëspresident i Partive Popullore Europiane dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein do të mbërrijnë në Tiranë për të ulur palët në bisedime. Mësohet se dy negociatorët do të mbërrijnë në drekë në kryeqytet për t’u takuar veçmas me Kryeministrin Edi Rama, Kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Deri më sot ka pasur takime mes PS dhe PD në nivele jo të larta politike për zgjidhjen e krizës. Taulant Balla dhe Oerd Bylykbashi janë takuar disa herë pa arritur asnjë rezultat konkret. Disa tentativa për takim mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës dështuan që në fillim. Thirrja në ndihmën e një kryenegociatori nga Partitë Popullore Europiane u bë nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama. Pas dy muaj proteste në çadër nga PD-ja dhe mungesës së një marrëveshje politike, drejtuesit e mazhorancës kërkuan ndërhyrjen e PPE-së, ku PD-ja është anëtare me të drejta të plota, për të negociuar krizën në Shqipëri. Një lëvizje e tillë u cilësua si pozitive, pasi demokratët do e kenë më të lehtë të hyjnë në negociata me një përfaqësues të grupimit europian, ku edhe ata janë pjesë.

Gjatë ditëve të fundit mësohet se negociatorët ndërkombëtarë kanë punuar për hartimin e një platforme dhe projektmarrëveshje mes palëve. Detajet e kësaj platforme nuk janë bërë publike dhe pritet që palët, PS dhe PD, të njihen vetëm sot me propozimet e kryenegociatorit David McAllister. Dokumenti në fjalë vlerësohet si shansi i fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes qeverisë dhe opozitës. Ndërkohë, qëndrimet e djeshme të PS-së dhe PD-së nuk kanë lënë vend për shumë hapësira kompromisi. Kreu i PD-së, në përfundim të protestës deklaroi se opozita nuk heq dorë nga qeveria teknike. Për opozitën tubimet djeshme ishin vetëm paralajmërim i tubimit të madh që do të mbahet në zgjedhjet lokale në Kavajë, më 7 maj. Po ashtu edhe kreu i Qeverisë, Edi Rama, në takimin me të rinjtë në Vlorë i qëndroi idesë së shprehur që në fillim të krizës politike. Rama tha se, qeveria nuk negociohet dhe se zgjedhjet do të zhvillohen në datën kushtetuese, më 18 qershor.

Palët nuk kanë lëvizur asnjë milimetër nga qëndrimet e tyre dhe duket se negociatat e sotme do të jenë mjaft të tensionuara. Palët, të paktën nga ato që thonë, duket se janë gati ta djegin edhe këtë shans. Por një përfundim i tillë i negociatave do të ishte “firmosja” e destabilitetit dhe krizës politike zgjedhore. Nëse Rama dhe Basha nuk arrijnë sot një marrëveshje politike për krizën, mbeten vetëm pak ditë nga futja e vendit në kolaps kushtetues dhe destabilitet, ku nuk ka asnjë imagjinatë që e parashikon kaosin. KQZ-ja, edhe pse tashmë partitë janë në shkelje ligjore të afateve, ka lënë si mundësi të fundit për regjistrimin e partive dhe koalicioneve datën 29 prill. Pas kësaj date nuk ka më asnjë afat tjetër as për kandidatë dhe as për parti të reja që duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Nëse sot palët nuk arrijnë një pakt politik, nuk ka më asnjë shpresë për zgjedhje normale dhe për stabilitet politik të vendit.

Ndaj, sot Rama dhe Basha më shumë se zërin e militantëve dhe të mbështetësve që u kërkojnë të mos heqin dorë, duhet të dëgjojnë zërin e arsyes. Parimi universal i negociatave është që në bisedime, secila palë heq dorë nga diçka. Sot është koha që të dy drejtuesit e partive të rishikojnë pozicionet. Secili prej tyre mund të bëjë diçka për zgjidhjen e krizës. Sepse situata nuk matet më me ditë, por me orë. Nuk diskutohet më fati personal i liderëve politike, por fati i gjithë vendit. Sot Basha dhe Rama kanë në dorë të tregojnë se janë liderë dhe jo thjeshtë politikanë të zakonshëm. Nëse nuk arrijnë marrëveshje sot, nesër është shumë vonë.

Nëse nuk arrijnë marrëveshje sot, mbi të dy, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, do bjerë hakmarrja e popullit, hakmarrje, e cila do jetë në forma të ndryshme; edhe politike, edhe personale.

Duhet normalitet, zgjedhje të gjithëpranuara. Sot e kanë shansin!

Qamil Xhani

SHKARKO APP