Sot,shpresë për mospërplasje!

 

Të dhënat se e sotmja do të jetë një protestë e dhunshme nuk mungojnë. Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, në një informim për masat e marra mbi garantimin e qetësisë gjatë protestës, mes rreshtave pranoi se në protestë mund të ketë njerëz të armatosur. Që prej ditës së martë, forcat e policisë në Tiranë, por jo vetëm në kryeqytet, kanë kaluar në gjendje gatishmërie. Nën monitorim janë vendosur një numër i konsiderueshëm qytetarësh me precedentë penalë dhe që mund të aktivizohen gjatë protestës për përplasje të dhunshme me forcat e rendit. Një informacion i dalë nga zyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), konfirmon se protesta mund të jetë e dhunshme. Shërbimi inteligjent nuk e ka zakon të nxjerrë informacion në media, por fakti që dje, ka qarkulluar gjithë ditën lajmi i dalë nga zyrat e SHISH-it, se një kontingjent me persona me precedentë të rrezikshëm penal, mund të destabilizojë zhvillimin e protestës, tregon se nuk ka vetëm hamendje, por lëvizje konkrete në terren. SHISH-i mësohet se ka dërguar një njoftim në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ku jep informacion lidhur me këtë situatë. Por nëse lajme të tilla ende ngrejnë pikëpyetje se sa mund të jenë personat e dhunshëm, një njoftim i Ambasadës Amerikane mbrëmjen e djeshme, heq çdo dyshim. Ambasada e SHBA-ve njoftonte dje qytetarët amerikanë të cilët ndodhen në Shqipëri, që gjatë ditës së sotme të shmangin qarkullimin në zonat ku do të zhvillohet protesta. Sipas njoftimit, edhe pse Partia Demokratike thotë se protesta është paqësore, ajo mund të jetë konfliktuale. Veç kësaj, ambasada vlerëson që pavarësisht faktit se protesta zhvillohet në Tiranë, probleme mund të ketë dhe në qytete të tjera të vendit. SHBA kujdeset për qytetarët e saj edhe në detaje të tilla, gjë që duket se politika shqiptare nuk e ka pjesë të axhendës së saj. Mjafton të lexosh më vëmendje qëndrimet e mbajtura nga partitë kryesore PD, PS dhe LSI për të kuptuar se në situatën e nxehtë si kjo e këtyre ditëve, dje i kanë hedhur  benzinë zjarrit. Sot janë në shesh dhe para kryeministrisë edhe “benzina”, edhe “shkrepsja”.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha në një takim me të rinjtë e PD-së se protesta është për të shporrur kriminelët në qeveri. PS-ja kërkoi nisjen e ekspertizës mjekësore për Sali Berishën, duke kërkuar “mbylljen e tij në çmendinë”, pasi sipas saj, është organizator i një skenari për destabilizim. LSI-ja mbodhi Kryesinë duke manifestuar një shenjë force me qindra militantë që ishin tubuar para zyrave të saj të LSI, me argumentin “se do mbrojmë institucionet, nëse sulmohen nga demokratët”. Dhe nuk ishin pak porse mbi 1 mijë veta nga LSI, të gjithë djem të fortë fizikisht. Me një fjalë janë gati për t’iu përgjigjur skenarit të dhunës me një përplasje militantësh. Në fund, Sali Berisha lëshoi kushtrimin për pjesëmarrjen në protesta, me parullën: “të shporrim qelbësirat” dhe të bëjmë sot një “20 shkurt të dytë”. Të gjitha këto janë qëndrime politike që kanë agravuar edhe më shumë situatën dhe nxehur gjakrat për ditën e sotme.

Është e drejta e opozitës të protestojë sot dhe nesër, apo edhe gjithë vitin nëse mundet. Tek e fundit, kjo është puna e një opozite në vend, që të tregojë me gisht aty ku qeveria gabon e të kundërshtojë edhe me protesta. Mund të protestojë për Metën, Ramën dhe gjithë deputetët e PS-së dhe LSI-së bashkë. Por në morinë e çështjeve për të cilat mund të nxjerrë në shesh, nuk duhet të përdorë një histori me akuza për vrasje, që siç duket deri tani, nuk bind askënd tjetër përveç Tom Doshit dhe Dritan Priftit. As vetë Berisha nuk e beson. Përpara se të kanalizonte gjithë zemërimi i demokratëve në këtë histori të dyshimtë PD-ja duhet të kishte pritur vendimin e drejtësisë para se ta bënte motiv kryesor të protestës. Më pas le ta “digjte” Ilir Metën të gjallë nëse vertetohej nga drejtësia se ka gisht në këtë histori të bërë si film këto ditë. Nëse do priste drejtësinë kjo do të ishte një mënyrë për të ruajtur imazhin e saj, por edhe të tregonte se njeh institucionet e vendit. Gjithsesi, edhe pse argumenti i PD-së kundër Metës nuk bind, sërish opozita është në të drejtën e saj që të protestojë. Ajo që nuk i falet opozitës është nëse protesta e sotme nga paqësore, të kthehet në një demonstratë të dhunshme kundër institucioneve dhe shtetit. PD-së mund të mos i pëlqejë qeverisja e majtë, por nëse sot sulmohen institucionet, nuk është sulmuar as Rama dhe as Meta si individë, por shteti dhe dëmi në këtë rast, është i të gjithëve. Ashtu siç do të jetë dëm i të gjithëve, nëse Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme nuk do të jenë në gjendje të menaxhojnë situatën, apo dhe më keq, të provokojnë apo të bien pre e provokimeve. Sot janë në provë të dyja kampet. PD-ja është në provë nëse do të arrijë të ngrihet nga modeli i një partie konfliktuale që ka sulmuar edhe më parë institucionet. Qeveria është në provë nëse do të arrijë të kontrollojë emocionet dhe do të jetë në lartësinë e duhur për të treguar se shteti funksionon.

Sot bëhet thirrje të gjithëve që të ruhen nga provokimet dhe deshirat për përplasje, pasi nga sherrnaja që dijmë të bëjmë tash 25 vite kemi patur djegie e vrasje. Urojmë që Lulzim Basha të jetë lideri që kërkon një opozitë moderne dhe të zotërojë me autoritetin e tij çdo tendencë për përplasje apo pushtim institucionesh.

Sot në provë është edhe Edi Rama, pasi kjo është protesta e parë e paralajmëruar e dhunshme.

 

SHKARKO APP