Studentët mblidhen para kryeministrisë, paqësisht e të vendosur presin zgjidhje
Studentët heroikë, deri në orën 16.00 të kësaj të marte, bënë atë që nuk e bëri asnjeri që nga 8 dhjetori 1990. Pra kishim 28 vite pa një protestë të tillë. Paqësisht, heroikisht, shpirtërisht dhe në mënyrë solidare ata treguan se janë e ardhmja e Shqipërisë. Shumë të kulturuar, oratorë të vertetë, vizionar dhe të vendosur studentët i dhanë mësim popullit, politikës dhe Europës se janë brez i shkëlqyer. Ashtu, bashkë, frikësuan një pushtet që nuk donte t’i respektonte në hallet e tyre jetike dhe ia dolën të bënin popullin për vehte.
Urime studentë!
Natyrisht si një brez i ri, akoma të pa rrahur nga jeta, por krejtësisht paqësor, ata pas orës 16.00 u ndanë në dy grupe; një para ministrisë së arsimit dhe tjetri te Zogu i Zi. Prapë të dy grupet si engjëj, si mbretër të së ardhmes së vendit, të duruar e paqësorë, po protestojnë tashmë para ministrisë së arsimit dhe pjesa dërmuese te kryeministria.
Te kryeministria janë ulur paqësisht, duke pritur nga dritarja përballë ku ndodhet kryeministri Rama, që ai të bindet dhe të firmosë 8 kërkesat e tyre. Numri i protestuesve para kryeministrisë po rritet dhe mësohet nga burime në PS se vetëm këtë Edi Rama nuk e priste, që ti vinin mu para dritares se zyrës së tij, pasi presioni ndërkombëtar tashmë rritet. Ambasadat kryesore kur shikojnë se studentët po rrijnë te kryeministria kanë rritur presionin ndaj kryeministrit që t’ju plotësojë atyre 8 kërkesat studentore.
Për 7 ditë studentët protestuan para ministrisë së arsimit, por realisht nuk është krejt fajtore ministrja e arsimit, e cila nga burime të besueshme ka paraqitur dorëheqjen te kryeministri. Ministria e arsimit mbulon universitetet, por mbi ministren, mbi parlamentin, mbi qeverinë ka një njeri, ai është kryeministri Rama. Pa lejen e firmën e tij nuk lëviz as miza në mazhorancë, ndaj realisht qëndrimi tashmë para ministrisë së arsimit mbetet i kotë.
Te kryeministria, ashtu paqësisht, duhet të vijnë të gjithë studentët e këtyre 7 ditëve në mënyrë që Rama te mos justifikohet se “ja, u ndanë në grupe!”. Ndaj te kryeministria mbetet zgjidhja finale, sepse ashtu duke u parë me kryeministrin, përballë, paqësisht, ai do të detyrohet të firmosë 8 kërkesat dhe më pas studentët fitojnë. Te kryeministria efekti mediatik vendas dhe ndërkombëtar është shumë më i madh se kudo.
Nuk është problemi për të ulur hundën grupi i studentëve që rri akoma te ministria e arsimit, pasi edhe ata janë studentë e luftojnë për të njëjtën kauzë, por duhet të ecin ngadalë te kryeministria, ashtu siç ishin bashkërisht si engjëj të vertetë.
Studentët-engjëj, fitojnë kundrejt së keqes që ua ka zënë udhën, bashkë e jo të ndarë!
Çdo gjë paqësore po ndodh para kryeministrisë, ashtu ulur, stoikë, të vendosur e ku populli i shikon sa del në Bulevard. Edhe ambasadat e huaja të rëndësishme aty alarmojnë qeveritë e tyre për ti bërë presion kryeministrit që të firmosë 8 kërkesat.
Bashkimi bën fuqinë! Dhe ashtu, paqësisht, siç jeni deri tani po vijnë edhe studentët që ndodhen akoma te ministria e arsimit.
E rëndësishme është se asnjë nuk tërhiqet pa plotësuar kërkesat e tyre prej kryeministrit. Ndaj ose fitojnë këtë herë ose nuk fitojnë më, nëse dorëzohen.
Në foto: Studentë para kryeministrisë