Sulejman Mato: Zoti Rama, mos u mbaj mend si “Neroni që dogji Romën”!

Nga Sulejman Mato.

Kur të merr koka erë…!

Kur kujton se je një gjeni, kur kujton se je një mbret, kur kujton se je një qenie superiore, e veçantë, e lindur si e tillë, atëherë nis rënia. Atëherë prit fundin. Nuk është e kotë shprehja popullore “I ka marrë koka erë”. Të të marrë koka erë do të thotë të humbasësh arsyen, të humbasësh kontrollin e vetvetes, duke bërë veprime të mbrapshta, të papërligjura.

Kjo gjë ndodh këto ditë dhe me kryeministrin tonë, Rama. Ngjitja e tij në pushtet ishte pasojë e disa rrethanave të kohës. Mbajtja e tij e pushtetit për një kohë të gjatë është rezultante e disa rrethanave të caktuara, plus intelektit të tij dhe interesit te individëve të korruptuar. Ngjitjen e Edi Ramës në pushtet, e më pas zbritjen e tij, të shpejtë ose të ngadaltë, unë e vërej me kujdes si një fenomen të zakonshëm që përsëritet në shtete dhe në kohë të ndryshme.

Edi Rama ka pasur edhe raste interesante të kompromisit dhe të tërheqjes, ndaj dhe nuk e kuptoj dot se përse, në një rast si ky, i prishjes me një urgjencë të paparë të Teatrit Kombëtar të tregohet kaq i nxituar, kaq i pamëshirshëm, kaq i vendosur, kaq këmbëngulës, kaq i sigurt dhe kaq i shqetësuar për ta miratuar në parlament vendimin e tij personal?

Ka një arsye, në mos përfitimi, ka një arsye e cila do vlerësuar me kujdes. Kur diskutohet për prishjen e Teatrit ekzistues dhe ndërtimin e tij pikërisht në atë vend ku ka qenë teatri tradicional, ka një arsye të fortë. Të jetë kjo një urrejtje instiktive për kolegët e tij artistë? Apo njëlloj inferioriteti ndaj artistëve të mëdhenj? Flitet, por është pak e besuar, që të jetë një problem përfitimi marramendës? Gjithsesi, argumenti që jepet se gjoja teatri qenka amortizuar, rrezik shembje, nuk qëndron. Nuk qëndron as fakti tjetër se na qenka një person me mbiemrin Fusha, i cili i ka premtuar Edit diçka dhe e kundërta, dhe ky tjetri i paska dhënë besën e Kostandinit, për të ngritur teatrin e ri në qendër të Tiranës, mbi rrënojat e teatrit të vjetër së bashku me gjashtë kulla, tre prej të cilave do të ngrihen pikërisht në truallin publik, ku ndodhet aktualisht Teatri Kombëtar. Nuk besoj që të jetë besa e dhënë pasi kryeministri ka dhënë shembuj që nuk e njeh institucionin e besës.

Unë asnjëherë nuk jam mundur ta njoh psikologjinë e milionerëve se çfarë i duhen një njeriu kaq shumë para për një jetë të shkurtër. Pra dhe milionat përjashtohen nga rasti në fjalë. Atëherë mbetet kapricioja e një njeriu të vetëm, i cili pasi i ka uzurpuar të gjitha pushtetet, i merr koka erë.

Po pse mor vëlla kërkon të prishësh një teatër tradicional në qendër të qytetit? Ç’të bëri teatri vjetër ty? Po pse mor burrë nuk prish shtëpinë me gjethe? Po pse mor burrë nuk prish ish-Lidhjen e shkrimtarëve? Po pse mor burrë nuk prish Piramidën? Po pse mor burrë nuk prish Teatrin e Kukullave, apo atë të Operës? Po pse mor burrë nuk prish hotel “Dajtin”? Po pse mor burrë nuk prish Muzeun Historik? Po pse mor burrë, po pse mor burrë, po pse mor burrë…ta ka dhënë truri të prishësh të vetmin Teatër që ka mbetur në këmbë, në vend që të ndërtosh anë e mbanë Tiranës nja tridhjetë teatro të rinj e të mbetesh në histori, jo si Neroni që dogji Romën, por së paku, si Enveri që ndërtoi rreth tridhjetë teatro në të gjithë Shqipërinë.

Çudia e madhe ndodh kur dëshira e një individi bëhet dëshirë, zë dhe arsye e një grupi parlamentarësh, të cilëve siç thotë populli “U hedh trutë e gomarit”. Ky fenomen është shumë më i rrezikshëm dhe me pasoja të mëdha. Në rastin konkret nuk do të ishte çudi që kokëfortësia e një kryeministri arrin gjer në atë shkallë sa t’u hedhë trutë e gomarit gjithë deputetëve për të prishur Teatrin e vetëm që ka në këmbë, në qendër të kryeqytetit. Më e çuditshme dhe me pasoja është vendimi unanim i deputetëve të Partisë Socialiste. Vërtet kaq larg të ketë shkuar e keqja e një individi, sa të bëhet e keqja e një maxhorance parlamentare për të shkelur mbi ligjet dhe Kushtetutën ?

Për çudinë e të gjithëve, pati vetëm një burrë që guxoi të dalë nga rreshti. Ky ishte ish-kryeministri Pandeli Majko, i njohur për racionalizëm në raste të tilla. Duhet të ketë dhe deputetë të tjerë që mendojnë ndryshe, por nuk e patën guximin të dalin nga rreshti. Që toka rrotullohej, përveç Giordano Brunos, e dinin dhe shkencëtarë të tjerë,- thotë poeti Evtushenko, në një poezi të tij, por nuk flisnin dot se kishin fëmijë. Kjo gjë duhet të ketë ndodhur dhe me deputetët e maxhorancës të enjten e datës 5 korrik. E ndjenë veten më të privilegjuar në rresht se sa në rolin e Giordano Brunos. Në thellësi të karaktereve të tyre triumfoi pajtimi me të keqen për hir të interesave dhe përfitimit që të jep posti i deputetit. Ka një moment në jetë, thotë Dostojevski, ka një moment, ku njeriu pranon të poshtërohet ose të lartësohet. Ka një çast ku shfaqen karakteret njerëzore. Ka një gardh ose një pengesë që shërben si një provë. Majko e kapërceu këtë gardh. Majko e kapërceu këtë pengesë, kurse 75 të tjerët, JO. Nuk e kam kuptuar kurrë psikologjinë e mizantropit, të kompromisaxhiut dhe të mediokrit dhe të zërit unanim që votoi për prishjen e një Teatri në qendër të qytetit. Mundet që t’i kenë mbushur mendjen vetes se po bëjnë një veprim të drejtë, edhe pse të gjithë thonë që prishja bëhet për interesa të mëdha fitimi dhe për kokëfortësinë e një njeriu që, pasi i ka marrë të gjitha pushtetet, i ka ndodhur fenomeni kokëmarrjes erë.

Vendimet në një parti janë unanime, por unanimiteti në këtë rast u shkon vetëm ushtarëve prej plumbi. Një intelektual arsyeton para se të flasë dhe para se të ngrejë kartonin e turpit.

Pushteti është një e drejtë për respektimin e ligjeve, por ligjet shkelet vetëm atëherë kur kujtojnë se janë mbi ligjin. Ligjet i shkelin vetëm diktatorët. Kujtoni Hitlerin, Duçen, Stalinin, Maon, Enverin; të gjithë këta diktatorë patën kohën e tyre të ngjitjes, kohën e lulëzimit dhe kohën e shkatërrimit, që i damkosi me vulë e turpit. Në rastin konkret mendoj që kryeministri ynë nuk është i racës së diktatorëve, por, duke shfrytëzuar shumë mangësi të sistemit ai ka kapur karrigen e diktatorit. Kryeministri ynë edhe pse vuan nga grandomania, është hera e parë që i frikur nga protesta e opozitës dhe e artistëve kërkon t’i shmanget vendimit personal duke ia faturuar vendimin maxhorancës  parlamentare. Ajo që më çudit dhe që më nxiti për të reflektuar me këtë shkrim është fakti se si prej asaj maxhorance pati guximin të dali nga rreshti vetëm një deputet? Një fakt i tillë është i frikshëm, pasi, mund të ndodhë që me vendime të tilla, të përshpejtuara, kryeministrit t’i lindi ideja për të rrafshuar dhe ministritë, edhe ish-hotel “Dajtin”, dhe ish-Lidhjen e Shkrimtarëve, dhe Muzeun Historik, dhe Teatrin e Operës…!

Kush do ta pengonte në rrugën e revanshit të shkatërrimit, në emër të krijimit të modeleve të reja futuriste? Populli? Ai popull që ka kohë që dremit dhe pritet të zgjohet, siç u zgjua , në nëntëdhjetën? Ky popull ka kohë që ankohet se nuk ka një lider që ta udhëheqë. Ky popull nuk e ka kuptuar akoma forcën e tij të madhe, kur ndjen që një njeriu dhe një parlamenti i merr koka erë. (marrë nga profili i tij në facebook)

 

 

 

SHKARKO APP