Sulm i ashpër ndaj Edi Ramës
Kreu i Lëvizjes Zgjidhja, ish-deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima ka bërë dje sulmin më të ashpër politik ndaj Edi Ramës që nga koha që është angazhuar në politikë. Një sulm që nuk njihte kufinjtë e miqësisë së dikurshme. Nga qyteti i Korçës, ku ishte i pranishëm në një takim me anëtarë të lëvizjes “Zgjidhja”, Kokëdhima ka akuzuar Edi Ramën si politikanë që po shndërrohet në “Sulltan” të Shqipërisë dhe si njeriun që po eliminon çdo qelizë të demokracisë në vend. E sulmoi më keq dhe me fort se sa ka sulmuar ndonjëherë Sali Berishën.
Me tone të ashpra, Kokëdhima akuzoi kreun e qeverisë se po shkatërron procesin zgjedhor. Por ajo që është më e keqja sipas Kokëdhimës lidhet me faktin se Rama po krijon një opozitë false, duke dëmtuar gjithë proceset ligjore dhe demokratike në vend.“Ky (Edi Rama) do shkojë në parlamentin e ardhshëm si “sulltani i vogël” përballë kësaj opozite të sajuar. Ai është betuar se në katër vitet e ardhshëm do të përfaqësojë edhe elektoratin e opozitës reale, e cila nuk do marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Ndjej vërtet keqardhje për këta aleatët e vegjël të cilët, të rraskapitur nga dështimi i tyre shumëvjeçar, të lodhur nga zhgënjimet dhe të ndjerë të përdorur nga kalorësit e pushtetit, mendojnë se iu ka ardhur rasti në dorë dhe mundësia që të përfitojnë tani që “Komanda Supreme e Rilindjes” po i bën copë zgjedhjet, opozitën dhe Shqipërinë”,- tha Kokëdhima.
Kreu i Lëvizjes Zgjidhja bëri parashikime të errëta për zhvillimet politike në vend. Sipas tij, vendi ka hyrë në një fazë kritike ku destabiliteti dhe përplasjet janë shumë afër. Sërish për këtë situatë prag-lufte, Kokëdhima sheh si problem Kryeministrin Edi Rama. Dikur miku më i afërt të Kryeministrit Edi Rama, sot Kokëdhima e krahason atë me keq se sa Sali Berishën. Ai shprehet se ashtu si Berisha në vitin 1997 edhe sot Edi Rama është gati ti vërë zjarrin vendin vetëm për interes të karriges së tij. “Sot ai, (Edi Rama me kokëfortësi është duke e çuar vendin drejt konfliktit dhe destabilizimit vetëm, sepse nuk pranon ta zgjidhë këtë krizë me mjete politike. Si Saliu, ai është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë për karrigen e tij”,- tha kreu i Zgjidhja, Koço Kokëdhima. Në fjalimin e gjatë të kreut të Zgjidhja hidhen akuza për gjithë mënyrën sesi Rama ka drejtuar PS-në këto vite dhe sesi po drejton shtetin. Parashikimet e Kokëdhimës flasin për një përplasje dhe destabilitet që është i pashmangshëm me Ramën në krye të qeverisë. Kokëdhima akuzoi hapur Ramën dhe PS edhe për pabesi me heqjen e mandatit të tij si deputet.
Që pas largimit nga PS, Kokëdhima ka kritikuar shpesh Partinë Socialiste dhe indirekt Edi Ramën. Megjithatë, në këtë masë dhe kaq ashpër si në fjalim e djeshëm në Korçë nuk ka folur asnjë herë kundër Edi Ramës.
Gjithë ky mllef i kreut të lëvizjet Zgjidhja duket se ka dhe lidhje me zhvillimet e djeshme në selinë rozë. Për shkak të miqësisë së hershme mes Kokëdhimës dhe Edi Ramës, pritej që një ditë gjerat të qetësoheshin. Rasti më i mirë i shenjës së reflektimit të Edi Ramës, sipas Kokëdhimës, mund të ishte shpallja e listave të kandidatëve për deputetë. Edi Rama kishte mundësinë që të rregullonte marrëdhënien me ish mikun e tij duke e vendosur në listat e kandidatëve për zgjedhje e ardhshme. Një variant tjetër ishte dhe përfshirja e Zgjidhjes si parti aleate në koalicionin qeverisës. Por dje Kryesia e PS-së miratoi listat e deputetëve dhe Koço Kokëdhima nuk u përfshi në asnjë prej qarqeve të vendit. Jo vetëm kaq, por asnjë prej deputetëve të mbështetur prej tij gjatë fushatës së vitit 2013 nuk u kandidua nga ana e Kryeministrit Edi Rama. Me listën e djeshme të kandidatëve, Edi Rama fshiu çdo “gjurmë” të Koço Kokëdhimës në Partinë Socialiste dhe strukturat e saj. Ndaj dhe dje Kokëdhima “shpërtheu” nga Korça duke akuzuar ashpër Edi Ramën. Dhe veç akuzave, Kokëdhima shpalli dhe krijimin e Lëvizjes “Zgjidhja” si parti politike. Në këtë mënyrë, Kokëdhima do të jetë në luftë të hapur me Partinë Socialiste duke shpresuar që ta dëmtojnë sa më shumë që të mundet.
Të pyetur për këto deklarata të tij selia rozë tha se Kokëdhima e bën këtë sulm nisur nga inati se nuk e futëm kandidat për deputet në listën e PS. Gjithë ky mllef-qelb i del nga marazi se nuk është më në politikë.
Q.Xh.