“Supermeni” durrsak Vangjush Dako dhe qetësia para furtunës

Mbrëmë te Blendi Fevziu pamë një “supermen” elektoral që quhet Vangjush Dako, kryebashkiaku aktual i Durrësit. Ai vetë deklaroi se “jam supermen”. I qetë në dukje, por edhe vetë habitej me veten se si e ruante gjithë këtë qetësi, kur hekurat e prangave kërcasin në Shijak dhe po afrohen bregdetit të Durrësit. Njëriu më i afërt i kryeministrit tha se edhe nëse nuk kandidon, përsëri të gjitha bashkitë e qarkut të Durrësit i merr Edi Rama. Por qetesia nuk shkoi me Dakon në Durrës, por mbeti te studio e Fevziut.

Edhe në qeveri nuk ka qetësi, ndonëse janë aktorë dhe luajnë me elektoratin e PS-së, sikur të gjitha punët i kanë në rregull. Në të vertetë arrestimet e dy ish-deputetëve të PS, kapja (nga të huajt) e grupëve të rrezikshme kriminale me suport pushtetar si dhe prag-arrestimet e tjera nga prokuroria e krimëve të rënda, po sjellin një rrënim të mazhorancës. Aq me tepër që arrestimet VIP akoma nuk janë ekzekutuar, sepse pritet SPAK dhe BKH, organe që do të merren kryesisht me elitën politike të Shqipërisë. Edi Rama zhvillon përherë sondazhe publike të cilat asnjëherë nuk i publikon, por që mundohet të kuptojë trendin e votave. Burime shumë konfidenciale tregojnë se kuotat e qeverisë janë në fundin e kazanit, ndaj Edi Rama bëri dy lëvizje të shpejta dhe populiste. Me mbylljen e basteve dhe kazinove, ndonëse qeverisja e tij i shumëfishoi, ai rriti disi autoritetin duke përpunuar opinionin me mediat që ka nën kontroll (afro 80 % e mediave janë me interesa pushtetare).

Sapo nisi paksa rritjen e kuotave publike, ndërmori një akt që do të sjellë përplasje mes tij dhe opozitës; miratoi ligjin për shembjen e Godinës historike të Teatrit Kombëtar, që do të kthehet në një “Vaterlo” për kryeministrin.

Opozita ka shtuar dozën e denoncimeve ndaj qeverisë, ka arritur unifikimin (jo total), e ka ndarë mendjen se nuk do të futet në zgjedhjet vendore me kryeministër Ramën dhe tani po diskuton që të krijojë krizën politike për zgjedhje vendore dhe parlamentare të parakohshme në një ditë, pra në qershor 2019. Kryeministri nuk tërhiqet nga prishja e godinës së Teatrit Kombëtar dhe dhënia e tokës së tij për ndërtim kullave të biznesit. Opozita thotë se Edi Rama përfiton mbi 200  milion euro nga kullat. Opozita e ka kauz momentale për përplasje. Lulzim Basha nuk ka lenë, deri tani, asnjë shteg keqinterpretimi apo dyshimi se mund të bëjë një “17 maj” të dytë, sepse jo vetëm e mashtruan, por nëse e bën prapë firmos “vdekjen politike” personale.

Ndërsa Monika Kryemadhi tha mbrëmë në “News 24” se “kur të vendosë opozita fillimin e protestave kundër kryeministrit nuk ka kthim prapa”, që përkthehet se po pritet një DITË FINALE, përballje. Natyrisht para majit 2019.

Po shkojnë me vrik e me dëshirë, të dyja palët, drejt një përplasje. Nga përplasjet njërës i ikën koka, si rregull.

Ndërkohë “supermeni” durrsak rri e vështron sa herë kalon ndonjë makinë policie! Nis herë pas here sms kryeministrit, duke i kujtuar se nuk dua të jem “Sajmiri nr.2” në PS. “Gjushi” di shumë gjëra jo vetëm në Durrës…

Pasi u lodh me sms iu drejtua Facebook ku ka postuar këtë tekst:

“O Lulëzim Basha! Ti duhet t’i harrosh Durrësin, Shijakun dhe Krujën.. Sepse dikur edhe votonin për Saliun e për PD, po për toçin e Saliut votojnë vetëm nostalgjikët e PD dhe aq! Ti duhet ta kuptosh që s’ke vota o Lulëzim dhe s’ta kam fajin as unë, as durrsakët, as shijaksit, as krutanët. NUK KE VOTE! Je një peshk rezervati që nuk hahesh dot dhe hidhu përpjetë sa të dush me kaseta me telefonata e me sajesa vemjesh..

TY NUK TE BESON ASKUSH o toçi i Saliut që i hap telefonin vetëm kunatit. Kurse mua më besojnë se ju hap telefonin të gjithëve dhe s’i kam duart as me gjak, as me zhul eurosh si puna jote! Ti vazhdo dil e shpif përditë jo krimi, jo droga, jo leku jo byreku, se ka ardh koha t’i marr edhe ca lekë unë nga thesi që të mban kunati ty. Do shihemi në gjyq bashkë ose në fakt jo, se ti merr raport mjekësor kur të thërret gjykata. Toç!”, shkruan Dako në Facebook.

 

SHKARKO APP